Një makinë e vjedhur shtyn karabinierët të kontrollojnë në shtëpinë e dy shqiptarëve që vijnë ta marrin. Aty gjejnë pesë persona të tjerë e armë të vjedhura. Arrestohen që të shtatë
Romë, 6 gusht 2012 – Duke u nisur nga ndjekja e një makine Audi A4 e dyshimtë, karabinierët e Castelfiorentinos kanë arrestuar shtatë të rinj shqiptarë me moshë nga 19 deri në 25 vjeç, klandestinë apo me probleme me ligjin, me përjashtim të njërit.
Historia nisi të shtunën pasdite në Castelfiorentino në rrugën Neruda, kur karabinierët kanë pikasur një Audi A4 të parkexhuar. Nga kontrollet, rezultonte që makina ishte vjedhur pak kohë më parë në Milano ndërsa targat ishin vjedhur një natë më parë në Barberino di Mugello. Kështu, ata pritën mos dikush vinte për të marrë makinën. Dhe kështu ndodhi, pas pak mbërritën dy shqiptarë që u kontrolluan dhe u arrestuan për mbajtje malli të vjedhur.
Kur karabinierët kanë shkuar në shtëpi të tyre, në rrugën Carducci, për të kontrolluar, zbulojnë të papritura të tjera. Aty gjejnë pesë shqiptarë të tjerë, një prej të cilëve duhet të ishte në burg për një sentencë të gjykatësit për hetimet paraprake të Pisës për veprat penale të vjedhjes dhe evazionit.
Në shtëpi janë gjetur edhe dy pistoleta të vjedhura të mbushura me fishekë. Për këtë arsye kanë arrestuar edhe pesë personat që gjetën në shtëpi me akuzat e mbajtjes së paligjshme të armëve dhe municioneve, mbajtje armësh klandestine (njëra prej pistoletave kishte numrin e matrikullës të fshirë) dhe për shit-blerje mallrash të vjedhur.
Të shtatë të rinjtë shqiptarë, me moshë nga 19 deri 25 vjeç janë mbyllur në burgun e Sollicianos.