in

Firence. Rritet popullsia e huaj dhe ulet ajo vendase

Janë 53.338 banorët e huaj të Firences në fund të vitit 2011, dhe përbëjnë 14,3% të popullsisë. Vijnë kryesisht nga Rumania (14,7%), Peruja (10,5%), Shqipëria (10,3%), Filipinet (8,6%). Janë këto të dhënat e raportit “Migranti, le cifre 2012” të prezantuar nga komuna

Romë, 5 shkurt 2013 – Në janar, Drejtoresha i Shërbimit Social në Firence, Stefania Saccardi, ka paraqitur raportin “Migranti, le cifre 2012”, një raport që dokumenton rritjen e numrit të banorëve të huaj në kryeqendrën toskane nga njëra anë dhe uljen e numrit të fiorentinasve denbabaden në anën tjetër.

Në fund të vitit 2011 banorët me shtetësi të huaj që jetonin në Itali, ishin pak më shumë se 5 milionë domethënë rreth 8,2% e popullsisë totale. Në të njëjtën kohë banorët e huaj në Firence ishin 53.338, 6,7% më shumë se në 2010 (apo në vlerë absolute, 3.309 persona më shumë), ndërsa italianët që jetonin në qytet ishin 318.772, rreth 3.000 më pak se në vitin 2010 kur ata shënonin një prani prej 321.956 banorë. Të huajt në Firence përbëjnë 14,3% e popullsisë së përgjithshme.

Të dhënat konfirmojnë një rritje të qëndrueshme të banorëve të huaj dhe rënien demografike të popullsisë italiane: në vitin 2006, fiorentinasit ishin 331.027 kurse në 2011 numri i tyre ka zbritur deri në 318.772. Për sa i përket shtetasve me prejardhje nga vendet jashtë BE-së, në vend të parë renditen peruanët (10,5%), e pas tyre shqiptarët (10,3%), filipinasit (8,6%), kurse Rumania me 7.771 prani (14,7%) renditet në vendin e parë për sa i përket qytetarëve të huaj komunitarë që banojnë në Firence.

Sipas të dhënave të Kuesturës së Firences, lejet e qëndrimit të vlefshme në dhjetor 2011 kanë qenë 77.030 (nga të cilat rreth gjysma vetëm në Bashkinë e Firences) me një rritje prej 6,7% në krahasim me një vit më parë, kurse 19.500 janë lejet e qëndrimit të dhëna personave nën moshën 18-vjeçare.

Për sa i përket emigrantëve me qëndrim të parregullt në Itali, OSCE (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) ka llogaritur vetëm për vitin 2011 një fluks prej 60.300 emigrantësh klandestinë në shkallë kombëtare. Në këtë aspekt diçka mbi shifrat e thonë të dhënat e sanatores së fundit: u paraqitën mbi 140 mijë kërkesa, nga të cilat 2.582 Sportelit unik të Firences.

Në fillim të vitit shkollor 2011/2012 studentët e huaj të regjistruar në shkollat e Firences ishin 7.751 rreth 14% i gjithë nxënësve (55.811). Përqindja e studentëve të huaj arrin nivelet më të larta në shkollat 8 vjeçare me 16,2%, ndërsa në shkollat e mesme regjistrohet prania më e ulët me vetëm 11,6%. Gjatë katër viteve të fundit është konsoliduar një rritje: nga 6.140 në vitin shkollor 2007/2008 në 7.751 të 2011/2012.

Për sa i përket studimeve të larta, në vitin akademik 2010/2011 ka pasur sërish një rritje të lehtë të studentëve të regjistruar në Universitetin e Firences (europianë e jo-europianë). Ata kanë kaluar nga 3.051 në 3.158 vetë në një total prej 54.889 studentësh. Shumica e studentëve të huaj vijnë nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe nga Shqipëria. Fakulteti i Ekonomisë dhe i Letërsisë janë më të preferuarit nga studentët e huaj.

Përgatiti Arbër Agalliu

Fyle në Tiranë: “Statusi në dorën tuaj. Zgjedhjet test kyç”

Ruçi e Balla të PS-së takojnë emigrantët në Udine