in

Fitoi 10 milionë por duhet të kënaqet me 500 mijë

Sistemi i lojërave elektronike “çmendet” dhe shpërndan bileta fituese milionare. SNAI, koncesionari shtetëror i lojërave, nuk njeh asnjërën prej tyre, por shqiptari – fitues i mëse 10 milionëve – e hedh në gjyq. Gjykata detyron SNAI-n t’i japë 500 mijë €

Romë, 24 tetor 2012 – Gjashtë muaj më parë fitoi 10.091.317,24 euro por me gjyq tani duhet të kënaqet me “vetëm” 500 mijë që duhet t’i japë SNAI, koncesionari shtetëror i lojërave dhe basteve.

Faktet mbi të cilat dje u vendos në gjykatë, janë të 16 prillit të shkuar, kur një 35 vjeçar shqiptar rezident në Cervia hyn në qendrën SNAI të sheshit Artusi për të luajtur me slot machine një videolotari që parashikon edhe mundësinë e fitimit të shumave me disa zero.

E mes zhurmave dhe llambushkave që ndizen e fiken, endrra e kujtdo që shkon para atyre makinerive bëhet realitet: makineta lëshon biletën fituese me shumën marramendëse “10.091.317,24 euro”, të shoqëruar nga shënimi “Tërhiqni paratë te arkëtari”. Gjithçka dukej në rregull në letra, por u pa që në fillim që nuk ishte e lehtë të merrje shumën. Arkëtari e drejtoi 35-vjeçarin te përgjegjësi i pikës së lojërave, ky i tha t’i drejtohet drejtpërdrejt SNAI-t spa për të marrë paratë e fituara.

Në këtë pikë shqiptari e ka të qartë që nuk do ta ketë të lehtë të fusë në xhep paratë e se i leverdis të marrë një avokat. Ndërkaq në mbarë Italinë brenda asaj jave prilli vërehen fitore të çuditshme dhe të majme shumë më tepër se zakonisht, aq sa SNAI vendos të mos i njohë sepse “janë pjellë” e një gabimi teknik në sistem. Justifikim që përdoret edhe për avokatin e shqiptarit nga fundi i prillit. “Nuk na rezulton të ketë pasur fitore të tillë atë ditë”. E menjëhershme përgjigjja e avokatit që në maj kthehet dhe i kërkon SNAI-t të paktën të paguajë 500 mijë eurot që është dëmshpërblimi maksimal i parashikuar nga rregullorja e Monopoleve të Shtetit. Por edhe kërkesa e re mbetet pa përgjigje, kështuqë avokati vendos të nisë procedurën legale për rikuperimin e parave, të cilave u shtohen tani edhe shpenzimet legale.

Të hënën, më 23 tetor mbërrin vendimi i gjykatës së Ravennas që i njeh shqiptarit të drejtën e shumës prej 500 mijë eurosh dhe detyron SNAI-n t’ia paguajë “menjëherë dhe jo me këste”, përveç 2.000 eurove për mbrojtjen legale dhe 536 eurove për shpenzimet e gjykatës.

SNAI-t, koncesionarit shtetëror të lojërave dhe basteve, nuk i mbetet tjetër veçse të paguajë ose të paraqesë ankesë për vendimin e gjykatës brenda 40 ditëve.

E ardhmja shqiptare e italianëve

Studentët e ASAT-it festojnë 100-vjetorin e pavarësisë