Ndër shpjegimet më të rëndësishme të qarkores së përbashkët të ministrive të Punës dhe të Brendshme, padyshim është ai që sqaron datat e paraqitjeve të kërkesave, sidomos për konvertimet e lejeve të qëndrimit për të huajt me prejardhje nga vendet që kanë marrëveshje dypalëshe me Italinë.
Qarkorja sqaron që:
– më 31 janar, nga ora 08.00, duhet të nisë paraqitja e kërkesave për punësimin e punonjësve nga vendet që kanë lidhur marrëveshje me Italinë dhe që renditen në nenin 2 të dekretit të flukseve. Në këtë datë, punëdhënësit duhet të paraqesin kërkesat për 4.500 shqiptarët me banim në Shqipëri që parashikon dekreti;
– më 2 shkurt, nga ora 08.00, duhet të nisë paraqitja e kërkesave për punësimin si bashkëpunëtorë shtëpiakë të punonjësve nga vendet që nuk kanë marrëveshje me Italinë (sipas nenit 3 të dekretit);
– më 3 shkurt, nga ora 08.00, duhet të nisë paraqitja e të gjitha kërkesave të tjera të parashikuara në nenet 4, 5 dhe 6 të dekretit të flukseve. Me këtë sqarim, bien edhe dyshimet mbi datën e paraqitjes së kërkesave për konvertim të lejeve të qëndrimit të imigrantëve me prejardhje nga vendet me kuota të rezervuara: kërkesat për konvertimet duhet të paraqiten të gjitha më datë 3 shkurt 2011.
Kështu, shqiptarët që jetojnë në Itali me një lejeqëndrim çfarëdo e që kërkojnë konvertimin në lejeqëndrim për punë sipas nenit 4 të dekretit të flukseve, duhet të paraqesin kërkesë më 3 shkurt 2011.
Në ligj është shkruar shprehimisht që do të pranohen kërkesat e paraqitura brenda 6 muajsh nga data e botimit të dekretit në Gazetën Zyrtare.
Keti Biçoku
Shkarko qarkoren e përbashkët të ministrive të Brendshme dhe të Punës të 3 janarit 2011
Kthehu në Specialen mbi Dekretin e Flukseve 2010