in

Flukset. Ministri Maroni: “Do të përfundojmë shpejt shqyrtimin e kërkesave”

 

Ministri i Brendshëm italian shpjegon në Senat: “Asnjë problem gjatë tre click-day. Sportelet unike kanë nisur punën me shqyrtimin e kërkesave”

Romë, 10 shkurt 2011 – Ministri i Brendshëm Roberto Maroni është i kënaqur për mbarëvajtjen e tre ditëve të para të vlefshme për paraqitjen e kërkesave të flukseve, të ashtuquajturave click-day. Madje është i bindur që shqyrtimi i kërkesave do të përmbyllet në kohë shumë të shkurtër. Këtë ka thënë dje në Senat, gjatë një seance informuese mbi ecurinë e flukseve.

Ministrisë së Brendshme, ka shpjeguar dje Maroni, i kanë mbërritur “396.802 kërkesa, nga të cilat 326.425 nga shtetas të vendeve me kuota të rezervuara (231.987 për punë familjare – 28.189 badanti dhe 203.798 colf dhe 94.438 për punë të varur; 63.147 kërkesa për punë shtëpiake ( 55.443 colf e 7.704 badanti) për shtetas nga vende që nuk kanë kuota të rezervuara; dhe 7.230 kërkesa kanë të bëjnë me konvertimet e lejeve të qëndrimit, punonjësit e formuar në vendlindje dhe ata me origjinë italiane”.

“Dua të saktësoj – ka shtuar ministri – që sistemi i marrjes dhe i administrimit të kërkesave i është përgjigjur më së miri numrit të lartë të dërgesave që në sekondat e para të vlefshme për  nisjen e kërkesave. Mbi bazën e shpërndarjes së kuotave në nivel provincial, që tashmë ka nisur të bëhet nga ministria e Punës, sportelet unike të imigracionit kanë nisur nga e marta, 8 shkurti, shqyrtimin e praktikave, duke filluar me marrjen – në rrugë telematike – të gjykimit të drejtorive provinciale të punës, të kuesturave dhe qendrave për punësimin”.

“Procedura – ka përfunduar Maroni – nuk ka hasur asnjë problem, edhe pse ndokush ankohej apo i trembej kësaj mundësi . Kjo ndodhi falë përforcimit të strukturave të sitit të ministrisë së Brendshme, që lejoi administrimin në mënyrë efikase të kërkesave. Tashmë procedura po ecën me hap të shpejtë, dhe falë edhe përtëritjes së kontratave të punës për 650 punonjësit  e përkohshëm, mendojmë të përmbyllim praktikat e dekretit të flukseve brenda një kohe pak a shumë të shkurtër”.

Flukset: Të gjitha kërkesat e konvertimeve do të plotësohen

Luigi Tenco – Mort në Sanremo 1967