Nga ora 08.00 mund të nisen kërkesat për punësimin sezonal të punonjësve rezidentë jashtë Italisë. Do të autorizohen, maksimumi, 60mijë ardhje
Romë, 22 mars 2011 – Ka nisur sot në orën 8 të mëngjesit gara për punësimin e 60mijë punonjësve sezonalë të domosdoshëm kryesisht në sektorët e turizmit dhe bujqësisë për periudha të caktuara. Dekreti që autorizon ardhjet e tyre është shpallur dje në Gazetën Zyrtare.
Këtë vit, punonjësit sezonalë mund të vijnë nga këto vende: Shqipëri, Mali i Zi, Kosovë, Bosnja-Hercegovina, Maqedoni, Kroaci, Serbi, Indi, Pakistan, Bangladesh, Sri Lankë, Ukrainë, Tunizi, Marok, Moldavi, Egjipt, Nigeri, Niger, Gambia, Gana, Filipine.
Një risi e rëndësishme i dallon këto flukse nga të mëparshmit. Për punonjësit sezonalë nga këto vende që kanë qenë për të paktën dy vjet rresht në Itali, punëdhënësit mund të kërkojnë një autorizim shumëvjeçar. Në këtë mënyrë, vitin e ardhshëm, këta punonjës sezonalë do të mund të vijnë në Itali duke mos kaluar më mes flukseve.
Në të vërtetë për flukset e sezonalëve nuk ka qenë asnjëherë e nevojshme të nxitohesh, hyrjet e autorizuara nga qeveria janë zakonisht të mjaftueshme për të kënaqur të gjitha kërkesat e paraqitura. Por gjithsesi, ndërmarrjet bujqësore, hotelet dhe restorantet duhet të mbajnë mirë parasysh që, edhe në rastin më të mirë, do të kalojë të paktën një muaj nga paraqitja e kërkesës deri në çastin kur punonjësi do të vijë në Itali. Ndaj për të mirën e punës së tyre, u leverdis të nxitojnë.