Falë ndërhyrjes së Karitasit dhe të Zyrës Pastorale të Shëndetit të arkidioqezës së Spoleto-Norcias, një foshnjë katërmuajshe me probleme të rënda shëndetësore sillet nga Tirana për t’u kuruar në spitalin pediatrik Bambino Gesù të Romës
Romë, 24 gusht 2012 – Operatorët e Karitasit dhe të Zyrës Pastorale të Shëndetit të arkidioqezës së Spoleto-Norcias janë angazhuar së fundi në një mision të lartë humanitar dhe kanë arritur të sjellin më 10 gusht nga Tirana në Itali një foshnje katërmuajshe bashkë me të ëmën. E sapolindura është në gjendje shëndetësore kritike për një problem të rëndë me metabolizmin: nuk asimilon atë që ha dhe në katër muajt e jetës së saj ka shtuar vetëm treqind gramë.
Me të mbërritur në aeroportin e Perugias vogëlushja është dërguar në spitalin e qytetit ku mjekët e repartit të Pediatrisë janë përkujdesur për të deri pak ditë më parë.
Sipas nëndrejtorit të Karitasit të Spoleto-Norcias, avokatit Giorgio Pallucco, e sapolindura kishte përmirësim, por nevojitej të gjenin shkaqet e patologjisë së saj përmes disa analizave që bëhen vetëm në disa spitale. Për këtë arsye vogëlushja është dërguar tani në spitalin Bambino Gesù të Romës, më i miri në Itali për fëmijët. “Është në duart e mjekëve më të mirë” – thotë i kënaqur avokati Pallucco.
Falë ndërhyrjes së Zyrës Pastorale të Shëndetit të arkidioqezës së Spoleto, foshnjës i është siguruar një librezë shëndetësore me të cilën mund të kurohet në të gjithë territorin italian. Ndërkaq është kërkuar edhe ndërhyrja e Gjykatës së Umbrias për të miturit që të marrë masa të mëtejshme në mbrojtje të vajzës.