in

Franca pezullon Shengenin. Çfarë ndryshon për imigrantët?

Kufijtë nuk janë mbyllur, vetëm janë rivendosur kontrollet për një muaj. Kush ka dokument qëndrimi nuk ka pse trembet. Ndryshon puna për refugjagtët e imigrantët e parregullt

Romë, 16 nëntor 2015 – Pezullimi i marrëveshjeve të Shengenit, bashkë me shpalljen e gjendjes së emergjencës në mbarë vendin, është përgjigjja e parë e qeverisë franceze pas masakrës të së premtes.

Franca mbyll kufijtë” titullonin shumë media duke thjeshtëzuar në maksimum e duke lënë vend për keqkuptim. Franca, në fakt, nuk “mbylli kufijtë”, por vetëm rivendosi, deri më 12 dhjetor, kontrollet në kufijtë e brendshëm, ato që e ndajnë nga shtetet e tjera evropiane.

Është mirë të kujtohet, që kjo mundësi parashikohet nga vetë marrëveshjet e Shengenit për raste të jashtëzakonshme që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare. Diçka e tillë ka ndodhur edhe më parë, për shembull kur janë mbajtur mbledhje ndërkombëtare të nivelit shumë të lartë dhe ekzistonte rreziku që shteti që i organizonte të vihej në shënjestër të terroristëve që vinin nga jashtë. E njëjta gjë po ndodh sot që terroristët kanë goditur rëndë Parisin.

Vendimi i marrë të premten në mbrëmje nga qeveria franceze nuk u ndalon hyrjen në Francë as qytetarëve evropianë e as qytetarëve jokomunitarë që kanë në xhep lejeqëndrim të vlefshëm të lëshuar nga një prej vendeve evropiane. Këta të fundit, ashtu si edhe më parë, mund të udhëtojnë për turizëm në Francë pa kërkuar vizë hyrjeje.

Nëse do të ndalohen nga policia e kufirit, qytetarët evropianë duhet të tregojnë kartat e identitetit. Jokomunitarëve do t’u kërkohet të tregojnë pasaportën dhe lejen e qëndrimit. Kush ka të gjitha dokumentet në rregull, nuk do të ketë asnjë pasojë, veç humbjes së kohës, e pashmangshme në radhat që mund të krijohen në kufi për shkak të kontrolleve.

Natyrisht ndryshon puna për migrantët e parregullt, që do rrezikojnë më shumë të zbulohen pot ë përpiqen të hyjnë në Francë. E njëjta gjë vlen edhe për refugjatët, që të zbarkuar në Itali, i shmangen identifikimit e përpiqen të shkojnë në Francë për të kërkuar azil politik: po të kapen në pikën kufitare mes Mentones dhe Ventimiglias, për shembull, do të kthehen mbrapsht, sepse sipas rregullores së Dublinit janë të detyruar të kërkojnë azil aty ku mbërrijnë, pra në Itali.

A do të ndikojë gjendja e krijuar në dhënien e vizave për në Francë? Meqë çdo shtet ka të drejtën e vetëgjykimit (discrezionalità) në lejimin apo jo të hyrjes së shtetasve të vendeve të tjera, teorikisht mund të shtohen kontrollet për qytetarët e vendeve që Franca konsideron më me rrezik e të shtohen edhe rastet e mosdhënies së vizave. Në të vërtetë, prej vitesh tashmë niveli i kujdesit të treguar ndaj disa zonave të nxehta është i lartë, ndaj vështirë se situata do të rëndohet në këtë aspekt për shkak të kësaj emergjence të fundit.

Së fundi duhet thënë që edhe kush jeton në Shqipëri e do të shkojë në Francë për pushime, për të parë një të afërm, apo sidoqoftë për të ndenjur atje për më pak se tre muaj, mund ta bëjë pa kërkuar vizë. Franca nuk ka rifutur sistemin e vizave për vendet që gëzojnë liberalizimin e vizave.

EP

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Përse Franca?

Krimi i klandestinitetit. Qeveria nuk e shfuqizon, “të vendosë Parlamenti”