in

Franca: Shqipëria vend i sigurt, nuk pranojmë kërkesat e azilit nga qytetarët e saj

Lajmin e jep ministria e Brendshme shqiptare, sipas së cilës, bien ndjeshëm kërkesat e azil-kërkuesve edhe në Belgjikë e Luksemburg

Tiranë, 30 dhjetor 2013 – “Franca klasifikon Shqipërinë në listën e vendeve të sigurta të origjinës së azilkërkuesve, çka e bën të pamundur fitimin e azilit nga shtetasit shqiptarë. Ndërkohë numri i shtetasve shqiptarë që kërkojnë azil në Belgjikë dhe Luksemburg është ulur gjatë muajve tetor – nëntor të vitit 2013”. Lajmin e jep ministria e Brendshme shqiptare të cilës i janë përcjellë statistikat e autoriteteve shtetërore të këtyre vendeve.

Pas liberalizimit të vizave, abuzimi me lëvizjen e lirë në Schengen për të kërkuar azil në vende si Gjermania, Franca, Suedia, Belgjika e Zvicra, ka pasur si pasojë “kërcënimin” e këtyre vendeve për rivënien e vizave. Madje së fundi, Këshilli Europian ka miratuar “klauzolën mbrojtëse” që parashikon pikërisht “rivënien e regjimit të vizave në raste abuzimesh nga qytetarët e vendeve që gëzojnë lëvizjen e lirë (për periudha të shkurtra) në zonën Schengen”.

Në komunikatën e sotme të Ministrisë së Brendshme shkruhet: “Ministria e Punëve të Brendshme të Francës ka njoftuar se Zyra e Azilkërkuesve ka vendosur ta rikthejë Shqipërinë në listën e vendeve të sigurta. Ky vendim është publikuar në Buletinin Zyrtar dhe ka efekte të menjëhershme. Kjo e bën pothuajse të pamundur fitimin e azilit nga shtetasit shqiptarë në Francë”. Ministria shqiptare thekson se “vendimi i Autoriteteve franceze vjen pas vlerësimit të masave të marra nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit të Shqipërisë për të forcuar sigurinë e brendshme në vend”.  

Lajme të mira edhe nga Belgjika, sipas të dhënave zyrtare të të cilës, për muajt tetor – nëntor janë regjistruar gjithsej 54 persona që kërkuan azil, ndërkohë që vetëm në muajin shtator kishin kërkuar azil 47 persona.

Gjatë muajit tetor 2013, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2012 vërehet një rënie me 22%  e numrit të azilkërkuesve në Belgjikë. Ndërsa për muajin nëntor 2013, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2012 është konstatuar një rënie me 60% i numrit të azil-kërkuesve.

Në Belgjikë, kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë, përfaqësojnë vetëm 3,1% të totalit të kërkesave nga të gjitha vendet e botës.

Edhe në Luksemburg regjistrohet rënie në numrin e shtetasve shqiptarë që kanë kërkuar azil: gjatë periudhës shtator-nëntor 2013 kanë qenë vetëm 11 persona. Të dhënat konfimohen nga Drejtoria e Imigracionit e Luksemburgut. 

Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, Shqipëria renditet në vendin e 4-t, pas Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Që prej fillimit të viti 2013 numri total i azilkërkuesve në Luksemburg është 61 shtetas, që përkon me 6,7% të totalit të kërkesave për azil të dorëzuara nga shtetas nga të gjitha vendet e botës.

Ministria e Punëve të Brendshme e mbyll komunikatën e saj duke u bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të mos nisen për në vendet e BE me qëllim aplikimin për azil. “Kjo jo vetëm është tërësisht e pamundur, por përbën dhe shkelje të rregullave për lëvizjen e lirë. – kujton ministria – Njëkohësisht, Policia e Shtetit po heton çdo veprimtari që synon organizimin e largimit për qëllime abuzive të qytetarëve shqiptarë drejt vendeve të BE-së”.

(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Gjirokastër. Ndalohen 33 emigrantë të parregullt pranë kufirit me Greqinë

Nga shqiptari Erzen në italianin Emilio. Gjykata i lejon të ndërrojë emrin