in

Francë Bie helikopteri ushtarak, gjashtë të vdekur

Ishte për ushtrinë shqiptare, që po blen disa helikopterë nga Franca sipas një kontrate të vitit 2009

Një helikopter ushtarak i kompanisë “Eurocopter”, është rrëzuar më 25 korrik rreth orës 13.30 në malet e thepisura të Provencës në Francës, teksa po bënte testet e fundit përpara se vihej në prodhim në shkallë të gjerë për ushtrinë shqiptare. Për pasojë, gjashtë anëtarët e ekuipazhit, pilotë, teknikë dhe inxhinierë ekspertë të provave, humbën jetën.

Dëshmitarët thanë se helikopteri po fluturonte ulët mbi zonë dhe papritur u rrëzua në grykën e një lumi. Sipas hetimeve të para, dyshohet se helikopteri është rrëzuar pasi ka prekur një kabull elektrik.

Helikopteri tip “Cougar”, po kompletonte një seri fluturimesh kolaudimi përpara se të vihej në prodhim për ushtrinë shqiptare, sipas marrëveshjes së firmosur në vitin 2009 nga qeveria shqiptare për blerjen e 5 helikopterëve transportues nga kompania “Eurocopter”. Helikopteri i rrëzuar parashikohej të përdorej nga ushtria për transportimin e personaliteteve, si dhe për nevoja të tjera të ushtrisë.

Ministria shqiptare e Mbrojtjes konfirmoi lajmin për rrëzimin e helikopterit dhe bëri të ditur se në “Cougar”-in e rrëzuar nuk ka pasur shtetas shqiptarë.

Ministria e Mbrojtjes kishte organizuar për ditën e sotme ceremoninë e pritjes së 2 helikopterëve në aeroportin Nënë Tereza në Rinas, e parashikuar për në orën 18:00, e cila u anulua.

 “Ceremonia e parashikuar me rastin e ardhjes sot në Aeroportin e Rinasit (pjesa ushtarake) të dy helikopterëve të prodhuar në bazë të kontratës me kompaninë franceze “EUROCOPTER”, e cila do të zhvillohej në Komandën e Forcave Ajrore në Rinas, nuk do të zhvillohet për shkak të aksidentit të ndodhur dje në Alpet e Francës me helikopterin “Cougar””- ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes.

 

 

Karta blu. Rregulla të reja për punonjësit e huaj me kualifikim të lartë

Armando Kasaj për prokurorinë fshiu provat e 21 janarit, për gjykatën është i pafajshëm