in

Franco Frattini Qytetar Nderi i Tiranës

Bashkia e Tiranës ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” ish ministrin e Jashtëm të Italisë, Franco Frattini, për kontributin e tij të çmuar për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen dhe integrimin euroatlantik të Shqipërisë

Tiranë, 11 korrik 2012 – Ish-shefi i diplomacisë italiane, Franco Frattini është shpallur dje “Qytetar Nderi” i Tiranës. Në një ceremoni të organizuar nga kryebashkiaku Lulzim Basha në Pallatin e Brigadave, Frattinit i janë dorëzuar çelësat e Tiranës me motivacionin “Për kontributin e çmuar për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen dhe integrimin euroatlantik të Shqipërisë”.

Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast qytetari i parë i Tiranës, Lulzim Basha u shpreh se Frattini nuk merr sot çelësin e suksesit, pasi çelësat e zemrave të shqiptarëve i ka pasur prej kohësh.

I pranishëm në ceremoni, edhe kryeministri Berisha shprehu vlerësimin më të madh ndaj Frattinit, për rolin e tij jo vetëm në liberalizimin e vizave, por dhe në integrimet euroatlantik dhe atë Europian.

Vetë ish-ministri italian u shpreh i nderuar nga ky vlerësim ndaj tij, ndërsa shprehu bindjen se heqja e vizave nuk ishte as dhuratë as favor nga BE, por gjithçka ishte më se e merituar.

“Është një nder i madh për mua sa i përket nderit që më bëhet nga zoti. Basha dhe fjalët që tha Kryeministri Berisha. Kjo vizita e imja në Tiranë është dëshmi e nderit që më bëhet në një vizitë vëllazërore në Shqipëri. Është një nder i madh ku sot mu dorëzuan çelësat e Tiranës dhe kam kënaqësinë të shoh dhe ndryshimet e shumta që kanë ndodhur në qytetin e Tiranës. Shqipëria e meriton vërtet këtë përpjekje, dhe liberalizimi i vizave nuk ishte një dhuratë apo favor, por gjithçka më se e merituar”, eshte shprehur Frattini.

Edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një takimi që ka pasur sot me deputetin e Parlamentit Evropian dhe ish-ministrin e Jashtëm të Italisë, Franco Frattini, vlerësoi maksimalisht rolin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm për rrugëtimin integrues të Shqipërisë në strukturat euroatlantike, sidomos për liberalizimin e vizave.

Presidenti Topi e uroi Frattinin për titullin e nderit, ndërsa theksoi se “veprimtaria aktive si politikan e si diplomat, por edhe predispozicioni natyral i zotit Frattini në mbështetje të përshpejtimit të procesit të integrimit të Shqipërisë meriton mirënjohjen e thellë të popullit shqiptar dhe institucioneve të vendit tonë”.

Në takim u diskutua edhe mbi situatën politike në vend. Ata ndanë të njëjtin mendim mbi rëndësinë e gjetjes së vullnetit të duhur politik për kryerjen sa më parë të reformave, në përmbushje të kritereve të vendosura nga Bashkimi Evropian duke mundësuar kështu edhe marrjen e statusit të vendit kandidat për t’u integruar në gjirin e familjes evropiane brenda këtij viti të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Durrës Përurohet terminali i ri i trageteve

Zgjatet për një vit lejeqëndrimi i të huajve në zonat e tërmetit