in

Freedom House: Përkeqësohet liria e shtypit në Shqipëri

Ndër vendet e Ballkanit, me përjashtim të Maqedonisë, të gjitha të tjerat, përfshirë edhe Kosovën, kanë liri më të lartë shtypi se Shqipëria. Italia pak më mirë se një vit më parë, falë dorëheqjes së Berlusconit si Kryeministër në nëntor të vitit të shkuar

Romë 1 maj 2012 – Liria e shtypit në Shqipëri vijon të përkeqësohet. Raporti më i fundit i organizatës Freedom House tregon se liria e shtypit në Shqipëri është përkeqësuar me një vit më parë, duke rënë në vend të 107 në botë, me një vlerësim prej 51 pikësh në kuptimin negativ. Më parë, Shqipëria ishte në vendin e 102 me 50 pikë. Media në vendin tonë cilësohet si pjesërisht e lirë. Por ajo që bie në sy është se na ka parakaluar edhe Kosova, që tani ndodhet në vend të 97-të. Një vit më parë ata ishin në vend të 104-të.

Raporti i ri vëren se në Evropën Qendrore dhe Lindore, klasifikim ky hyn edhe Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit është shënuar një rënie në dallim nga viti i kaluar, por Shqipëria lë pas vetëm Maqedoninë. Përmirësimet e vetme të vogla, sipas raportit, janë shënuar në Kosovë, Mal të Zi dhe Gjeorgji. Për Kosovën është përmendur si përmirësim ulja e tendencës së sulmeve ndaj gazetarëve si dhe transparenca më e madhe e pronësisë së mediave.
Ndërkaq, në gjendje më të mirë vlerësohet të jetë liria e shtypit në Bosnjë e Hercegovina me notën 48, ndërsa më lart gjendet Mali i Zi e Serbia të dy këto shtete kanë marrë notën 35.

Në tabelën e radhitjes së vendeve të anketuara, ndër vendet e rajonit, Serbia së bashku me Malin e Zi hyjnë në vendin e 75-të, Kroacia në të 83-tin, Bosnjë e Hercegovina në të 95-in, Kosova në vendin e 97, Shqipëria në vendin e 107 dhe Maqedonia e fundit në atë të 115-in.

Freedom House, vendet që i vlerëson nga 0-30 i sheh si vende me shtyp të lirë, ato që marrin nota nga 31-60 klasifikohen në kategorinë e vendeve me shtyp pjesërisht të lirë, kurse në kategorinë e notimit nga 61-100 hyjnë vendet me shtyp jo të lirë. Vendet me liri shtypi më të lartë janë Finlanda, Norvegjia e Suedia. Me nivelin më të ulët të lirisë: Korea e Veriut.

Italia mbetet mes vendeve me liri të pjesshme të shtypit, por në raport përmendet një përmirësim i situatës “falë faktit që Silvio Berlusconi dha dorëheqjen nga kryeministër në nëntor të vitit të shkuar, gjë që uli përqëndrimin e medieve në Vend”. “Berlusconi është pronari privat më i madh i mediave – sqaron raporti – dhe me pozitën e tij politike kishte në dorë edhe mediat shtetërore, përfshirë edhe ndikimin mbi drejtorë e gazetarë të rëndësishëm”.

Shiko renditjen e 197 vendeve sipas Freedom House

Blerja e shtëpisë së parë. A ka ndonjë zbritje nga taksat?

Berishës i djeg zemra për emigrantët, por jo kur këta shkojnë në Amerikë