Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë në BE, Štefan Füle mori pjesë në seminarin dyditor, organizuar nga delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe ministria e Integrimit për të marrë mendimin e Komisionit Evropian mbi Planin e Veprimit të përgatitur nga Qeveria shqiptare lidhur me prioritetet kyçe
Tiranë, 30 mars 2011 – Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë në BE, Štefan Füle inkurajoi sot udhëheqësit politikë, që “të përdorin mundësitë pozitive për të promovuar dialog politik konstruktiv mes të gjitha palëve të ndryshme, të përmirësojnë funksionimin e parlamentit dhe ta çojnë Shqipërinë në mënyrë të sigurt dhe së bashku drejtë rrugës së BE-së”.
Sipas agjencisë së lajmeve ATSh, Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë në BE, Štefan Füle e cilësoi më rëndësi “marrjen në konsideratë të prioriteteve kyçe në lidhje me aspektet politike, pasi kriza politike përbën një pengesë serioze për përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit për progresin e Shqipërisë drejt BE-së”.
“Vlerësoj përpjekjet e bëra nga qeveria shqiptare në përgatitjen e planit të veprimit dhe i falënderoj autoritetet shqiptare pasi kanë dëshmuar përgjegjësi të hapur pas sugjerimeve dhe rekomandimeve të KE-së”, u shpreh zyrtari i lartë i BE-së.
Eurokomisoneri vuri në dukje se “KE vazhdon të jetë i përkushtuar për perspektiven europiane të Shqipërisë, sikurse jo vetëm prezenca e tij këtu, që dëshmon këtë angazhim dhe besim në potencialet e Shqipërisë. Por dhe përfaqësuesja e lartë, baronesha Anshton dhe i dërguari i saj special, Lajcak nga ana e tyre kanë pasur si qëllim të ndihmojnë për zgjidhjen e ngërçit të pranishëm politik”. Sipas tij, “ngërçi politik duhet të zgjidhet. Kjo është një përgjegjësi e përbashkët e udhëheqësve politikë në Shqipëri, pas kjo është ajo çfarë qytetarët presin. Dhe ata kanë të drejtë. Përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike duhet të veprojnë si të tillë, ata duhet të përfaqësojnë popullin dhe të gjejnë kompromiset demokratike”.
“Zgjedhjet të lira, të drejta dhe transparente janë një e drejtë demokratike kyçe për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe se Shqipëria nuk mund të humbë këtë mundësi për të treguar se mund të kryejë marrëdhënie në harmoni me standardet europiane dhe ndërkombëtare”, tha eurokomisoneri. “Bashkëpunimi konstruktiv mes partive për zbatimin e rekomandimeve të bëra nga ODIHR për të përmirësuar praktikën elektorale, është çelësi i suksesit dhe mund të ofrojë një mundësi për të çuar ngërçin politik drejt fundit. … Nëse nuk gjendet asnjë zgjidhje, KE nuk do të jetë në gjendje që të bëjë një vlerësim pozitiv për Shqipërinë në progres raportin tonë të ardhshëm dhe jo vetëm që Shqipëria nuk do të shkojë drejtë rrugës europiane bashkë me vendet e tjera të Ballkanit, por mund të ngelet mbrapa nga fqinjët e saj aspirues për në BE”, shtoi Füle. Duke vënë në dukje se, ” 12 prioritetet kyçe ofrojnë një orientim të qartë për afrimin në BE”, Füle nënvizoi se “duhet punuar drejt integrimit të Shqipërisë në BE dhe të shihet si një objektiv kombëtar që tejkalon konsideratat politike”.
“Kjo është e vetmja mënyrë për Shqipërinë, që të pëmbushë objektivat e fundit të integrimit në BE. Në këtë rast, udhëheqësit politikë duhet të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe të vendosin interesin e vendit mbi të gjitha konsideratat e tjera”, nënvizoi zyrtari i lartë i BE-së.
“Më duhet ta theksoj shumë se përgjegjësia për zbatimin e masave të propozuara qëndron në Shqipëri. Shpresojmë që ky proces do të mobilizojë të gjitha energjitë e domosdoshme, të cilat ekzistojnë në vend mes njerëzve shqiptarë për të realizuar objektivin tonë të përbashkët të integrimit europian”, përfundoi, Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë, Štefan Füle.