Me pjatën e tij “Qengj në kore lajthish” është vlerësuar më i miri i 12 konkurrentëve nga 11 shtete të ndryshme të Amerikës, Afrikës dhe Evropës
Fundim Gjepali, shefi ekzekutiv i restorantit të njohur të Romës, Antico Arco, është vlerësuar së fundi me çmimin e parë në Gran Prix Ndërkombëtar të Kuzhinës Mesdhetare që është mbajtur nga data 8 deri më 16 mars në Gragnano, kryeqytetin botëror të makaronave. Konkursi ishte vetëm një nga aktivitetet e shumta të organizuara gjatë një jave në qytetin e Kampanias, që kishin për qëllim jo vetëm ekspozimin e produkteve vendase por në veçanti promovimin e kuzhinës mesdhetare.
Juria teknike me 7 anëtarë, e përbërë nga shefa të mëdhenj kuzhine, kritikë të njohur kulinarë dhe përfaqësues të federative të kuzhinierëve, e kryesuar nga shefi i shumëvlerësuar Michele Deleo, ka vlerësuar gatimet e 12 konkurruesve nga 11 vende të tre kontinenteve të ndryshme Evropë, Afrikë dhe Amerikë.
Përveç Italisë që përfaqësohej, veç Kampanias dhe nga një shef kuzhine i një krahine tjetër, në garë përfaqësoheshin Shqipëria me 33-vjeçarin Fundim Gjepali, Kuba, Brazili, Tunisia, Maroku, Senegali, Ukraina, Gjermania, Franca, dhe Spanja.
Ndër të gjithë këta, fitoi Fundimi me gatimin e mishit të “qengjit në kore lajthish”. Çmimin ia dorëzoi senatori Pietro Langhella në një mbrëmje gala të organizuar më 15 mars në prani të 300 të ftuarve.
“Pjata që solla në konkurs nuk është recetë shqiptare e mirëfilltë, është një krijim i imi – tregon Fundimi – por përbërësit e saj janë që të gjithë pjesë e kuzhinës shqiptare. Jam i lumtur që mora çmimin e parë si përfaqësues i Shqipërisë. Sepse, siç po vërejmë të gjithë me kënaqësi, gjithnjë e në Itali më shumë bien në sy e vlerësohen ekselencat shqiptare. Fakti që jap kontributin tim të flitet mirë për vendin tonë në një aktivitet të tillë ndërkombëtar më lumturon e më bën të ndihem krenar”.
Fundimi, shef i suksesshëm dhe i njohur tashmë në Itali, së fundi ka qenë protagonist në Shqipëri, i një eveniment të organizuar për qëllime bamirësie. Bashkë me shefin Altin Prenga në restorantin e këtij të fundit, Mrizi i Zanave në Fishtë të Lezhës, kanë shtruar drekë për mbledhje fondesh për blerjen e abetareve për bijtë e imigrantëve në Itali.
K.B.
Lexo edhe: “Qengji në kore lajthish” i shefit Fundim Gjepali
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)