in

Futboll. Në pritje të ndeshjes Shqipëri-Francë

Përfaqësuesja franceze është stërvitur të enjten në stadiumin Qemal Stafa. Për trajnerin e saj, Blanc, Francës i duhet fitorja. Ndërkaq, policia merr masat e fundit për të siguruar ruajtjen e rendit gjatë ditës së nesërme kur do të zhvillohet edhe ndeshja Shqipëri-Francë, e vlefshme për per eleminatoret e Euro 2012

Tiranë, 1 shtator 2011 – Trajneri i përfaqësueses franceze të futbollit, Laurent Blanc është shprehur në konferencën për shtyp, përpara ndeshjes së nesërme ndaj Shqipërisë se, “Francës nuk i duhet barazimi në këtë takim”. Por gjithsesi shtoi trajneri i “gjelave”, “një barazim mund të jetë edhe pozitiv në rast se ndeshja nuk shkon mirë”. “Nëse ndeshja del barazim varet nga përmbajtja e lojës nëse mund të quhet dështim”.

Në lidhje me kombëtaren kuqezi, Blanc u shpreh se nëse Shqipëria do të dijë të tregojë cilësitë e saj në lojë atëherë edhe ndeshja do të jetë e vështirë. “Ndeshjen e nesërme e shoh të vështirë. Ekipi shqiptar është agresive, sidomos përballë publikut të tij. E vlerësoj skuadrën shqiptare dhe do ta respektojmë në fushë”, tha Blanc, i cili shtoi se, “megjithëse Shqipëria ka ekip të mirë, nesër duam ta mundim”.

Blanc shtoi se përfaqësuesja franceze ka disa pasiguri për takimin e nesërm, pasi disa lojtarë janë të dëmtuar, por sot u stërvitën të gjithë lojtarët për të parë gjendjen e secilit prej tyre.

Për mesfushorin e përfaqësueses shqiptare, Lorik Cana, i cili ka pasur një të kaluar në kampionatin francez, tek Olimpiku i Marsejës Blanc u shpreh “E vlerësoj shumë si lojtar Canën, megjithëse ka shumë kohë që nuk e kam parë”.

Trajneri i Francës, Laurent Blanc foli edhe në lidhje me skuadrën e dytë në grupin, D Bjellorusinë, e cila ka 12 pikë, një më pak se Franca. “Bjellorusia na ka marre 4 pikë nga 6 të mundshme, por mendoj se ata e meritonin fitoren në Paris. Kryesojmë grupin, kemi një humbje, një barazim dhe 4 fitore’, tha Blanc, duke treguar optimizëm për ecurinë e skuadrës së tij në këto eliminatore .

Ndeshja kundër Francës, e vlefshme për grupin “D” në fazën e eliminatoreve për Europianin e vitit të ardhshëm që do të zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë, do të luhet nesër në orën 21:00, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.  Në grupin D, Shqipëria  ka arritur të grumbullojë 8 pikë në 6 ndeshje, duke u renditur në vend të 5-të me 2 fitore, 2 humbje dhe dy barazime.

Në ndeshjen e fundit të luajtur për këtë kompeticion, Shqipëria humbi në Bosnjë me rezultatin 2-0, ndërsa Franca ka arritur një barazim në Rumani.

Ndërkaq, Policia e kryeqytetit njoftoi se, ka marrë të gjitha masat për mbrëmjen e së premtes në Tiranë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërmjet kombëtares shqiptare dhe asaj të Francës.

Nga burimet e Policisë mësohet gjithashtu se duke filluar nga ora 14.00 deri në 24.00 të ditës së nesërme, do të bllokojë qarkullimin në rrugët “Dervish Hima”, “Asim Zeneli” dhe “Lekë Dukagjini”, segmentin nga Aba Center deri tek Stadiumi “Qemal Stafa”, si dhe segmentet rrugore që të çojnë për në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë. Ndërkohë që nuk do të lejohet edhe parkimi i automjeteve në Sheshin “Italia”, si dhe përreth stadiumit. Ndërsa gjatë hyrjes së sportdashësve në stadium, do të ushtrohet kontroll i imtësishëm nga uniformat blu, me qëllim parandalimin e  futjes në stadium të mjeteve dhe sendeve të forta, fishekzjarre, shishe të ndryshme, kapsolla, flamuj me shkopinj, parrulla me mbishkrime jo të përshtatshme etj.

Festivali i Durrësit nderon me Gladiatorin e Artë regjisorin e madh Coppola

Zgjedhjet e 8 majit në Komisionin e Venecias