in

Futboll. Në pritje të sfidës me Serbinë

Përfaqësuesja e Shqipërisë sot rreth mesditës ka mbërritur në Beograd ku do të luajë ndeshjen e radhës kundër përfaqësueses serbe. Nuk do të ketë asnjë tifoz nga Shqipëria, pas vendimit të palës serbe.
Edhe pse është një ndeshje që vlen tre pikë në klasifikimin e Grupit I, ku përfaqësuesja jonë kryeson me 4 pikë, për shqiptarët në të gjithë globin kjo është një sfidë e veçantë. 11 kuqezinjtë thuajse të vetëm në stadiumin e Partizanit në Beograd, do të kenë mbi vete sytë, veshët dhe zemrën e miliona shqiptarëve anembanë botës.

Kuqezinjtë premtojnë: Do të bëjmë të ndihen krenarë të gjithë shqiptarët!

Kapiteni Lorik Cana, mbrojtësi Mërgim Mavraj dhe autori i golit ndaj Danimarkës, Ermir Lenjani, premtojnë se do të bëjnë të gjithë shqiptarët kudo që janë të ndjehen krenarë.

Ikona e futbollit shqiptar, Lorik Cana, është i vetëdijshëm se kjo sfidë do të jetë e vështirë, por ai premton se skuadra e tij do t’i bëjë krenar gjithë shqiptarët.

“Është një ndeshje e rëndësishme dhe premtojmë se do të bëjmë të gjithë shqiptarët të ndjehen krenarë për ne”, ka thënë Cana.

Të njëjtin mendim se ndan edhe partneri i Canës në mbrojtjen e Shqipërisë, Mërgim Mavraj. “Është një ndeshje futbolli, por gjithsesi është një sfidë që për tifozët do të thotë shumë. Do të përpiqemi të mareim rezultat dhe t’i bëjmë të ndjehen krenarë për ne”, tha Mavraj.

Ndërkaq, golashënuesi në barazimin e Shqipërisë kundër Danimarkës, Emir Lenjani thotë se Shqipëria do të japë 200 përqindëshin në duelin me Serbinë.

“Ndaj Serbisë është një ndeshje e veçantë do të japim 200% tonë dhe shpresojmë për një fitore”, theksoi Lenjani.

Ai shpreson se edhe në duel me Serbinë do të gjejë rrugën e golit. “Shpresoj të shënoj një tjetër gol, megjithatë do të përpiqem të jap maksimumin dhe nëse do të më jepet mundësia për të shënuar nuk do të hezitoj”, tha ai.

Granit Xhaka: Dashtë Zoti fitojnë kuqezinjtë dhe u gëzoftë një Shqipëri e tërë

Taulant e Granit Xhaka

Luan me kombëtaren zvicerane Granit Xhaka, por për ndeshjen Serbi-Shqipëri, nuk ka asnjë mëdyshje: është me Shqipërinë e në Facebook publikon urimin e tij për kuqezinjtë, pjesë e të cilëve është edhe i vëllai, Taulant Xhaka. Kështu ka shkruar në Facebook,  vëllai i Taulant Xhaka, i cili luan për kombëtaren e Shqipërisë.

“Edhe pse luaj për një tjetër kombëtare, që ky gjaku im mbetet prej shqiptari  s’e kam mohuar kurrë. – komenton ai në rrjetin social – Uroj nga zemra vëllanë tim dhe Shqipërinë që nesër të fitojnë kundër Serbisë, sepse unë kurrë nuk i harroj të parët e mi sa të kem jetën. Dashtë Zoti fitojnë dhe u gëzoftë një Shqipëri e tërë”.

Fadil Vokrri (FFK) për Express: Tifozët serbë vetëm sa do t’i motivojnë lojtarët e kombëtares shqiptare

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, ish-lojtari i parapëlqyer i tifozëve serbë të Partizanit, Fadil Vokrri, ka folur për Gazeta Express para sfidës Serbi-Shqipëri. I konsideruari legjendë nga tifozët serbë të Partizanit, Vokrri pret që Shqipëria ta shfrytëzojë epërsinë psikologjike që ka me pikë kundër serbëve.

“Unë mendoj se Shqipëria është në përparësi, pasi ka katër pikë, kurse Serbia një.  Ata kanë vetëm një pikë dhe duhet gjithsesi të fitojmë. Kjo është një epërsi për ne”, u shpreh Vokrri. “Sa i përket rezultatit, nuk do të jetë i njëjtë si kundër Portugalisë, pasi ajo ka qenë ndeshja e parë dhe Shqipëria është nënvlerësuar, kurse tani është ndryshe. Por unë mendoj se mund të fitojmë”, shtoi me tej kreu i FFK-së.

Vetë ky i fundit nuk do të jetë prezent në ish-stadiumin e tij. “Jo, nuk do të jem prezent. Tani sa jam kthyer nga Zyrihu”, tha Vokrri. Ai përmendi edhe atmosferën që dinë te krijojnë tifozët serbë, por theksoi se ajo vetëm sa do t’i movitojë më shumë lojtarët e kombëtares shqiptare. “Tifozët duhet të jenë një motiv shtesë për lojtarët. Ata nuk duhen të bien pre e provokimeve”, përfundoi Vokrri.

Tifozi shqiptar shpalos flamurin kuqezi në Beograd

Pas vendimit që ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë do të zhvillohet pa praninë e tifozerisë mike, Komisari për sigurinë në Federatën Serbe të Futbollit (FSS), Milivoj Mirkov, ka kërcënuar: “çdo person që shfaq simbole kombëtare të Shqipërisë në stadium, do të arrestohet. Kjo bazohet në ligjin për ndalimin e dhunës në sport”.

Por nga sa duket në fotografinë që po përhapet në internet, një tifoz shqiptar pozon me flamurin kombëtar para stadiumit të Partizanit, aty ku nesër do të luhet ndeshja, duke sfiduar autoritetet serbe

Mbi 300 tifozë shqiptarë nga Zvicra, gati të mbërrijnë në Beograd për ndeshjen

Mbi 300 shqiptarë që banojnë në Zvicër do të ndjekin ndeshjen Serbi-Shqipëri në Beograd. Edhe pse pala serbe ka vendosur që ndeshja të luhet pa tifozë nga Shqipëria apo Kosova, askush nuk mund të ndalojë shqiptarët e Evropës, me pasaporta edhe të vendeve ku kanë emigruar të shkojnë e të ndjekin kombëtaren e tyre.

Sipas agjencisë “Presheva Jonë”,  ditët e fundit ka pasur shumë rezervime të fluturimeve nga qytete zvicerane për në Beograd nëpërmjet kompanisë “Airserbia”, dhe këto të gjitha janë bërë me qëllim të ndjekjes së ballafaqimit në fjalë. Vetëm të shtunë e të diel ka pasur katër fluturime  nga aeroporti i Zyrihut në drejtim të Beogradit. “Mes pasagjerëve ka pasur me dhjetëra shqiptarë, kryesisht të rinj dhe me pasaportë zvicerane” ka thënë për “Presheva jonë” Sergjan Popoviç, zëdhënës i kompanisë serbe në Zyrih. “Për çudi, ditët e fundit vërehet një interesim i madh i pasagjerëve shqiptare nga Zvicra në drejtim të Beogradit” ka pohuar  Popoviç.

Miqësorja Itali-Shqipëri në Genova për të ndihmuar qytetin e përmbytur

“Njoh vrasësit e Artan Santos”. Sa i besueshëm është dëshmitari?