in

Futboll. Shqipëria në vend të 22-të të renditjes FIFA. Lë pas edhe Francën

FShF: “Ky është rezultati zyrtar më i rëndësishëm në historinë e futbollit shqiptar”

Tiranë, 6 gusht 2015 – Kombëtarja shqiptare e futbollit ka arritur një rekord të ri. Në renditjen e FIFA-s të botuar sot, kuqezinjtë e Gianni De Biasit janë në vendin e 22-të.

Muajin e kaluar, Shqipëria arriti rekordin e saj në këtë renditje, duke u rreshtuar në vendin e 36-të në botë. Marrja e 3 pikëve në tavolinë, pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të Lozanës, për ndeshjen e papërfunduar Serbi –Shqipëri, zhvilluar më 14 tetor të vitit të kaluar në stadiumin “Partizani” të Beogradit, ka ndikuar që pozita të përmirësohet ndjeshëm për ekipin kombëtar shqiptar.

Shqipëria lë pas edhe kombëtaren e Francës që konsiderohet ndër më të mirat në botë. Në krye të renditjes së FIFA-s janë Argjentina, Belgjika dhe Gjermania. Italia renditet në vendin e 16-të.

Renditja e Shqipërisë në vendin e 22-të është “rezultati zyrtar, historikisht më i rëndësishëm, për futbollin shqiptar, në të gjitha kohërat” thekson Federata Shqiptare e Futbollit në komunikatën e saj.

Duket se futbolli shqiptar po kalon një moment të artë. Pas dhënies së tre pikëve në tavolinë për ndeshjen me Serbinë, kuqezinjtë janë një hap larg fazës finale të Evropianit Francë 2016. Pikërisht mbrëmë, me fitoren 2-0 përballë moldavëve të Milsamit, Skënderbeu arriti diçka që asnjë nga klubet shqiptare nuk e kishte realizuar deri tani: u kualifikua për në play off të Champions League.

 

Romë. Arrestohen tre shqiptarë të armatosur

Bashkimi familjar. Të ardhurat minimale për ta kërkuar gjatë këtij viti