in

Garanti i të burgosurve: “Cie-të janë burgje. E papranueshme”

Angiolo Marroni, Garant për të burgosurit në Lazio, kundër rritjes së kohëqëndrimit në kampet e refugjatëve: “Dështim i politikave të integrimit”.

Romë, 9 gusht 2011 – “Me miratimin e dekretit që parashikon rritjen e kohëqëndrimit në Cie  deri në 18 muaj, Kuvendi i ka kthyer këto struktura nga këto struktura nga qendra të pritjes në burgje të mirëfillta”.

Kjo është vërejtja e ashpër e bërë nga Garanti për të burgosurit i Lazios, Angiolo Marroni, që ka komentuar konvertimin në ligj të dekretit 89 të 2011-tës.

Në analizën e tij Garanti thotë se është i bindur se përplasjet dhe trazirat që kanë ndodhur ditët e fundit në Cie dhe Cara (qendrat e pritjes për kërkuesit e strehimit politik) në të gjithë Italinë janë “shenjë e një klime të dëshpërimit që po bëhet gjithnjë e më i papërmbajtshëm dhe që krijon situata intolerance dhe dhune gjithnjë e më akute, sinjale këto të një tensioni të lartë të përcaktuar nga një ndjenjë padrejtësie e thellë e motivuar nga vetëdija e të qenit të trajtuar si të burgosur, pa kryer ndonjë krim”.

Ky është rasti, sipas Garantit, i grave imigrante të mbajtura në Ponte Galeria. Gra që nuk kanë precedentë penalë dhe që shpesh vijnë nga situata shfrytëzimi dhe skllavërimi. “Pas masave urgjente të miratuara në qershor – shpjegon Marroni – Parlamenti ka ndërmarrë një linjë politike shumë të ashpër ndaj imigracionit”, që është në kontrast me emergjencën humanitare që po vërehet ditët e fundit.

“Kjo normativë e re do të përkeqësojë situatat në Cie dhe mundësia e mbajtjes së të huajve në to deri në 18 muaj është një hap i mëtejshëm drejt një barbarie të papranueshme në mënyrën e përballjes me problemet e lidhura me emigracionin në Mesdhe”.

Sipas Garantit, me gjithë përpjekjet e mëdha të administruesve të qendrave dhe të zyrave të imigracionit të kuesturave që gjatë këtyre ditëve janë gjithnjë të mbytura nga puna, strukturave u duhet të përballen përditë me vështirësitë dhe ngadalësinë burokratike si “inercia e konsullatave që nuk përgjigjen apo që u përgjigjen me shumë vonesë kërkesave për njohjen e shtetësisë, kusht i domosdoshëm për riatdhesimin” ka qortuar Marroni.

“E gjithë kjo – përfundon Garanti – nuk është koherente me parimet e bashkëjetesës civile, të tolerancës dhe të solidaritetit që kanë karakterizuar historikisht popullin dhe institucionet italiane”.

Imigrantët do të shpëtojnë pensionet në Itali

Rregulla të reja qëndrimi dhe dëbimi për të huajt