in

Gërdeci: Opozita proteston, Berisha i bashkohet dhimbjes së familjarëve

Ndërsa tragjedia e Gërdecit  ende nuk e ka një fajtor, në trevjetorin e saj Qeveria nga njëra anë, opozita nga ana tjetër, përpiqen të akuzojnë njëra tjetrën dhe të instrumentalizojnë dhimbjen e familjarëve të viktimave

Tiranë, 16 mars 2011 – Partia Socialiste, organizoi dje pasdite një protestë ku u përkujtua 3-vjetori i tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona, mes të cilëve gra e fëmijë, dhe ku u plagosën mbi 300 persona. Pasi u vendosën tre kurora me lule në përkujtim të viktimave të kësaj tragjedie, fjalën e morën disa nga drejtuesit e opozitës si Namik Dokle, Paskal Milo, Petro Koçi, Spartak Ngjela e Besnik Bare që kërkuan zbardhjen e kësaj tragjedie nga drejtësia dhe ndëshkimin e fajtorëve.

Ndërsa kreu i opozitës, Edi Rama në fjalën e tij tha se “u bënë tre vjet nga dita kur 26 njerëz të zakonshëm u vranë dhe kujtimi i asaj vrasjeje makabër me duart e një shteti të vënë në dispozicion të pushtetit, kumbon më shumë se çdo fjalë sot”. Rama theksoi se kjo qeveri e ka kthyer vendin në një fabrikë vdekjeje dhe zgjidhja është largimi i saj.

Po dje, zyra e shtypit të qeverisë njoftoi që “kryeministri Sali Berisha iu bashkua dhimbjes së familjarëve të viktimave që 3 vjet më parë humbën jetën në tragjedinë e Gërdecit dhe i bën thirrje institucioneve të drejtësisë të mos vonohen në ndëshkimin e përgjegjësve të kësaj tragjedie”.

Madje zyra e shtypit shtoi se “Kryeministri përshëndeti aktin dinjitoz të banorëve të Gërdecit, distancimin e tyre nga loja makabre që po vazhdon të luajë Partia Socialiste dhe kryetari saj, Edi Rama, me dhimbjen e të afërmve për jetët e të humburve të 15 marsit sa herë afrojnë fushatat elektorale” duke theksuar se “në 2-vjetorin e kësaj tragjedie Edi Rama nuk u kujtua fare për viktimat pasi nuk ishte vit elektoral”.

Tre vjet pas tragjedisë – Gërdeci mbetet pa drejtësi

Provimet e maturës, kusht pranimi edhe për universitetet private