in

Gherardo Bosio, krijuesi i një kryeqyteti

Puna e Bosios në Tiranë është një akt heroik i paprecedent; përveç planeve urbanistike, vetëm në Tiranë ai realizoi Universitetin, Akademine e Arteve, Kolonadën me Institutin Arkeologjik, Stadiumin (sot Qemal Stafa), Kryeministrinë, Hotel Dajtin, Pallatin e Brigadave me gjithë parkun e mobiliet unike të tij, si dhe skicoi trajtat planivolumetrike të Pallatit të Kulturës, Muzeut Kombëtar etj. Vështirë se mund të gjendet në krejt historinë e arkitekturës botërore një aktivitet më intensiv dhe realizime më të mëdha se ato që Gherardo Bosio zhvilloi në Shqipëri
Nga Artan Shkreli

Trupat italiane sapo kishin hyrë në Shqipëri, kur Zenone Benini, nënsekretar shteti për Çështjet Shqiptare, pas një audience në prill të 1939-ës me Benito Musolinin, i kërkoi takim arkitektit Gherardo Bosio. Nga ky takim ka fare pak të dhëna, por thelbi i tij është i protokolluar. Bosios iu dha një detyrë madhore dhe një rast unikal për çdo profesionist: të realizonte planin rregullues të një kryeqyteti në Europë. Të një kryeqyteti që, në pikëpamje urbane thuajse nuk ekzistonte, por që në perspektivën e tij duhej të shprehte ambiciet e një fuqie të re që po shfaqej në skenën botërore: Italisë Fashiste. Thënë shkurt e shqip, kjo nuk ishte thjesht një detyrë e vështirë, ajo paraqiste një sfidë të mirfilltë në rrafsh kontinental. Perandoria e re Italiane, duke shfrytëzuar kujtimin madhështor dhe rrënjët, ende me limfë të Romës Antike në Ballkanin Perëndimor (saku në krejt Mesdheun), mëtonte të rivendoste kontrollin e saj në rajon nëpërmjet një programi shumëplanësh, ku arkitekturës dhe urbanistikës do t’u kushtohej përkujdesje konceptuale dhe vëmendje financiare e veçantë.

Mussolini do t’i shpalonte Europës mosbesuese se vullneti për pushtet i shoqëruar nga vetëdija historike për rolin qytetërues të gens romanorum, mund ta ngrinte Shqipërinë e Varfër nga ligatinat e provincës osmane, dhe më të humbur të kontinentit, në majat e zhvillimit modern të kohës. Ai besonte në një ëndërr të tillë, dhe kish bërë të besonin kështu shumë njerëz në Itali. Kish me vete ky njeri edhe besimin e një brezi artistësh-heronj të artit bashkëkohor, të cilët – dorësëpari arkitektë – shihnin tek diktatura mjetin më efikas për radikalizimin e qyteteve dhe realizimin e ëndrrës së futuristëve për t’i dhënë “çdo brezi qytetin e vet”.

Bosio ish pinjoll i një familjeje të pasur bankierësh dhe ushtarakësh fiorentinë, e, sikundër pjesa më progresiste e artistëve europiane, qe unjisuar me klithmën e futuriste të Sant’Elia-s dhe me përmbajtjen e manifestit radikal të Marinetti-t. Ishte mahnitur nga realizimet e para të Walter Gropiusit dhe shkollës Bauhaus në Gjermani dhe bënte pjesë në një rreth artistësh e arkitektësh që i kishin vënë vetes misionin e vështirë për ta sjellë frymën e avangardës edhe në Itali. Kështu, që në vitet Njëzet, ai deklaroi se “nuk mundemi me qênë kaq miopë sa mos me vû re shpërthimin e fuqishëm në ket botë të nji prandvere arti, të çliruem tashmâ prej konopëve mbytës të imitimit e të formulavet boshe”. I ndërgjegjshëm për tërmetin që arti dhe arkitektura moderne po shkaktonin në “botën e vjetër” dhe militant i estetikës së re, sipas së cilës çka nuk është funksionale nuk mund të jetë e bukur, Bosio i ri shkruante atbotë se “po shpërthen nji arkitekturë që dashunon ajrin dhe driten gjithkah, që beson në luksin dhe thjeshtsinë…e që beson mâ tepër n’fuqinë shprehse të nji dige racionale, se sa n’ate të nji harku triumfit”. Themelues i “Gruppo Toscano Architetti”, duke mbrojtur realizimet e para në Firence të kësaj estetike – përkundër opinionit të çmeritur mediatik – ai mbështeti Stadio Comunale të Pier Luigi Nervit, por dhe atë ngrehinë që kohë më pas do cilësohej si kryevepër e arkitekturës europiane, Stazione di Firenze, të konceptuar nga njëri prej etërve të arkitekturës moderne italiane, Giovanni Michelucci. Duke iu drejtuar botës, Bosio deklaronte për ndërhyrjet në zemër të Firences historike, se këto vepra do të shërbenin “si furnizuese të fuqishme oksigjenit, t’afta me ringjallë frymëmarrjen astmatike të arkitektures fiorentine”.

Bosio, themelues i grupit të kryesuar nga Micchelucci, u formua dhe militoi nën moton e Le Corbusier-së dhe Gropiusit mbi “primatin e urbanistikës”, dhe kjo besojmë e tij do të kushtëzonte gjer në ind gjithë punën e tij të mëtejshme si urbanist në Adis-Abeba, Gondar, Dessié, Gimma, Rieti e Tiranë. Në këtë mënyrë ai i përket kryekëput brezit të arkitektëve që mbaruan Universitetet në vitet 26-27 të shek XX dhe që kërkonin jo vetëm një “rregull të ri”, por, në emër të një “international style”, edhe “heqje dore nga individualiteti krijues” në emër të një homogjeniteti kulturor të ri që ende nuk e kish fituar betejën ndaj klasicizmit.

Gjithsesi shtegu i Bosios, ndonëse i shpejtë, nuk qe krejt i drejtë; në punën e tij ndjehet i gjithë fillim-shekulli (në kuptimin artistik). Projektoi në stil të renesansës (1927), neoklasikes (1928), manierizmit (1929), artit nouveau (1930), Bauhausit (1931), ekspresionizmit (1932), racionalizmit (1933), futurizmit (1935). Pas këtyre kalesave kaq të shpejta e mahnitëse, ai ndaloi, në vitet 29-30, tek “stili ndërkombëtar”, të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, udhëhequr prej bindjes së Sant’Elias se “në jetën moderne procesi i zhvillimeve stilistike në arkitekturë ndalon. Arkitektura shkëputet nga tradita dhe rifillohet doemos nga e para”.

Për arkitekturën italiane ishte një kohë vërtet e plleshme; koha kur vetë Le Corbusier kërkoi të takohej me Mussolinin. Në fakt fashizmi në Itali toleroi deri diku atë që nazizmi dhe komunizmi do ta luftonin. Marrja e pushtetit nga nacional-socialistët e Hitlerit, në Gjermani dha efekt të kundërt. Politika zyrtare naziste e përbuzi “en bloque” të gjithë produktin modernist në art; e përbuzi si të infektuar nga fryma bolshevike dhe të molepsur nga filozofitë me sfond judaik. Për arkitektët gjermanë pikat e referimit nuk do të ishin modernistët por thuajse gjithnjë neoklasicistët, madje neomedievalistët – duke mos fshehur përçmimin ndaj artit mesdhetar në përgjithësi (ku fundja edhe vetë klasicizmi kish lindur), në raport me artin romanik e atë gotik, të cilët u konsideruan gjermanike, pra “ariane”. Edhe situata në Bashkimin Sovietik po bëhej e ngjashme me atë në Gjermani. Pas një pranvere modernizmi në dy dekadat e para të shekullit, gjatë të cilave artistët radikalë e antiakademikë shfrytëzuan klimën e revolucionit për të përhapur idetë e tyre, regjimi ndërmori një prapakthehu të vrulltë. Viti 1933, është viti i vendimit për konkursin e Pallatit të Sovieteve që i dha fitoren Boris Jofanit (me projektin e tij monumental e figurativ, i cili kurorëzohej nga një statujë gjigante të Leninit në majë) përkundër projektit racionalist të Le Corbusier-së. Sikurse në Gjermaninë Naziste edhe në BRRSS arkitekturës moderne iu kthyen shpatullat njëherë e mirë.

Ky pra ish limeri ideologjik ku duhej të punonte Bosio arkitekt dhe urbanist. Nga njëra anë një Europë e ndarë më dysh në zgjedhjet e saj mbi ardhmërinë e arkitekturës e nga ana tjetër një Itali që, me rrëshqitjen drejt diktaturës, po prirej t’i rishikonte qëndrimet e veta ndaj artit modern. Kjo kontradiktë do të shfaqej deri diku edhe në veprën madhështore të Bosios, por sidomos do të shfaqej në punimet e tij të Tiranës, punime të cilat shënojnë dhe pjesën e fundit të aktivitetit të tij n’atë jetë të shkurtër që pat.

Bulevardi i Tiranës fotografuar gjatë ndërtimit të Pallatit të Fashos, sot Korpusi qendror i Universitetit të Tiranës
Idetë e Bosios mbi konceptimin dhe ndërtimin e qyteteve të parandorisë, nuk kishin kaluar pa rënë në sy të Mussolinit. Për këtë, në prill të 1938-ës ai i dha një audiencë të veçantë arkitektit, ku dëgjoi prej tij eksperiencën e ngritjes së qyteteve të reja në Afrikën Lindore. Bosio e kish marrë miratimin zyrtar. Tashmë ai kishte një status të rëndësishëm si urbanist dhe një mbështetje (jo vetëm potenciale) për të vijuar punën e vet në shkallë të gjërë. Kur vuri këmbë në Tiranë në korrik të 1939-ës, ai ishte sakaq këshilltar i parë dhe drejtor i Zyrës Qendrore të Edilicjes dhe Urbanistikës. Pikërisht themelimin e një strukture të tillë i pat kërkuar Beninit në takimin e prillit në Romë. Zyra në fjalë, e krijuar nga Bosio, kishte një funksion tejet të centralizuar; ajo ishte një organizëm qendror që administronte, nën direktivat unitare të një arkitekti, të gjitha planet rregulluese të qyteteve të Shqipërisë, por në funksion të saj ishte dhe “kontrolli i aktivitetit ndërtimor e privat në lokalitete të ndryshme të vendit në mënyrë që të mund të mundësohej zhvillimi racional, homogjen dhe i rregulluar me ligj”.

Formimi i tij i mëparshëm, si pedagog i vizatimit dhe i restaurimit në Universitetin e Firences, e lejoi që në një kohë shumë të shkurtër të koagulonte njohuri bazë për atë pjesë të trashëgimisë arkitekturore shqiptare që paraqiste më tepër elemente racionale në vetvete. Duke lënë mënjanë skemat orientalizuese të trashëgimisë osmane në vend, Bosio u përqendrua në impaktin dhe figuracionin që “kulla” malësore kish paraqitur për shekuj dhe në ligjërimin e tij të ardhshëm arkitekturor do ta përdorë me sukses një element të tillë kaq përfaqësues për Shqipërinë. Në këtë frymë ai, në bashkëpunim me P. N. Berardin, ndërton Pavionin e Shqipërisë në Fiera del Levante të Barit duke konceptuar një volum arkitekturor në trajtë të një paralelopipedi kompakt dhe ku nëpërmjet përdorimit të gurit shfaq në këtë pavijon një cilësi fortifikuese duke rivendikuar “kullën shqiptare”, por të trajtuar me çelës modern. Të njëjtën gjuhë arkitekturore, por të emfatizuar sipas një monumentaliteti të shkëlqyer, Bosio fillon të projektojë që në 39-ën edhe Pallatin e Fashos (sot korpusi i Universitetit të Tiranës). Ky objekt, ndryshon rrënjësisht jo vetëm nga Pallati i Kolonadës dhe i Akademisë së Arteve (siç i quajmë sot), por edhe nga Kryeministria dhe akoma më tepër nga Pallati i Brigadave. Pavarësisht nga kritika ndërkombëtare, jemi të mendimit se kemi të bëjmë jo dhe aq me një kompromis të Bosios drejt formave tradicionale – që në fund të fundit sot kjo nuk konsiderohet më një gabim – por me një qëndrim ndaj regjimit. Në këtë periudhë në Itali, racionalizmi filloi të revizionohej dhe grupimet e arkitektëve në trysninë ideologjike po flisnin gjithnjë e më tepër për një racionalizëm me individualitet dhe jo internacional. Kjo e thënë me fjalë të tjera ishte ti hiqje bazën filozofile krejt lëvizjes moderne e cila kish lindur bash si një international style. Kështu Bosio, që në veprat e tij të fundit në Shqipëri, po prirej gjithnjë e më tepër drejt një skematizimi dhe një purizmi abstrakt, fort i rrallë edhe në arkitekturën italiane të kohës, bën një përjashtim me projektin e Pallatit të Fashos që i shërbente për të marrë licencën e një lirie të skajshme në projektimin e objekteve të tjera të sipërcituara (të gjitha vepra të tij – me ose pa bashkëpunim – përfshirë këtu edhe Stadiumin dhe hotel “Dajti”). Por edhe ky “lëshim” ndaj një monumentalizmi neoimperial dhe figuracioni tradicional që luhatet mes renesansës italiane dhe mesjetës shqiptare, nuk bëhet pa një kriter vetjak. Që në të ritë e tij Bosio kur fliste mbi raportin mes modernes dhe traditës theksonte se ai ishte për “një arkitekturë të gjallë, që pulson, që paraqet bukurinë e harmonive rioshe larg atyre që quhen proporcione tradicionale…por që identifikohen me bukurinë që mund të krijohet nëpërmjet teknikave të reja, që nuk ecën me kokën mbrapsht dhe sytë e fiksuara në të kaluarën, por sheh përpara dhe vetëm ndonjëherë ndalon për tu përkulur me respekt mbi veprën e paraardhësve tanë”.

Ky është motivi që Bosio në projektimin e Planit Rregullues të Tiranës propozonte që të ruhej krejtësisht bërthama e vjetër e qytetit “për të mos humbur gjurmët e qytetit të vjetër mysliman”, dhe Tirana e Re ndonëse projektohej me kritere perëndimore duhej të ruante në tërësi dhe të fuqizonte me impaktin e saj karakterin e brishtë të “qytetit kopësht” të cilin për arsye social-historike Tirana për fat e kishte.

Ky respekt i Bosios për traditën vendase edhe në urbanistikë, nuk ishte dhe aq karakteristik për të. Respekti ndaj traditës, pa tradhtuar idealet e racionalizmit dhe të funksionalizmit në urbanistikë, iu forcua në Shqipëri. Këtu ai, ndonëse kishte një pushtet shumë të madh në funksionin e tij (si kryearkitekt i vendit), nuk veproi si në planet rregulluese që i kishin dhënë famë në Afrikën Lindore Italiane popullata e së cilës i konsideronte të paqytetëruara dhe primitive. Në ato qytete arkitektura dhe urbanistika e Bosios kanë një natyrë të dukshme koloniale dhe i mbivihen me dhunë çdo forme ekzistuese lokale. Vetë Bosio shkruante se “varfëria materiale e jetës abisinase nuk ka prodhuar as art, as sisteme konstruktive që të mund të jenë të nevojshme për ne…, asgjë për tu përftuar nga pikpamja urbanistike e arkitektonike”.

Veç Tiranës, pa humbur kohë ai filloi drejtimin e punës për planet rregulluese të Shkodrës, Milotit, Durrësit, Elbasanit, Korçës, Beratit, Vlorës e Sarandës, duke u përqendruar më së tepërmi në ato të Vlorës dhe Elbasanit. Për fat të keq këto plane, shpesh tepër të detajuara, jo vetëm nuk u zbatuan, por u harruan qëllimisht. Etiketa absurde “arkitekturë fashiste” penalizoi jo vetëm ndërtesat e realizuara, por edhe idetë revolucionare të Bosios në urbanistikë dhe u çensurua pa kuptim studimi i tyre në Universitet. Përsa jetoi regjimi, qe e ndaluar që brezat e arkitektëve të rinj të dinin përsenë e kapërcimit kulturor që Bosio i bëri Brasinit, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kapërcim që la pas citimet dhe stilet manieriste apo të rilindjes europiane për tek linjat e pastra të një racionalizmi reduktivist. Për dhjetëvjeçarë të tërë vepra e arkitektëve italianë në Shqipëri, por veçanërisht ajo e Bosios u la në “shêjtninë e vet” duke mbërritur në një degradim të skajshëm deri ditën kur projekti “Kthim në Identitet” do ti vinte ato nën vëmendjen e opinionit.

Puna e Bosios në Tiranë është një akt heroik i paprecedent; përveç planeve urbanistike, vetëm në Tiranë ai realizoi Universitetin, Akademine e Arteve, Kolonadën me Institutin Arkeologjik, Stadiumin (sot Qemal Stafa), Kryeministrinë, Hotel Dajtin, Pallatin e Brigadave me gjithë parkun e mobiljet unike të tij, si dhe skicoi trajtat planivolumetrike të Pallatit të Kulturës, Muzeut Kombëtar etj. Vështirë se mund të gjendet në krejt historinë e arkitekturës botërore një aktivitet më intensiv dhe realizime më të mëdha se ato që Gherardo Bosio zhvilloi në Shqipëri. Nuk do harruar se e gjithë puna e tij në Tiranë u bë vetëm për një vit e gjysmë: Gusht 1939 – Mars 1941. Nuk do shpërnjohur edhe se viti i fundit i jetës së tij ishte një vit i ndarë mes punës, ndërhyrjeve kirurgjikale dhe dhimbjeve të sëmundjes së pashërueshme që i kish zënë pritë.

Bosio vdiq nga kanceri ne moshën 38-vjeçare, më 16 prill 1941, në vilën e tij të Montefontit në Firence. Vdiq si hero duke punuar mbi projektet e Shqipërisë deri në orën e mbrame. Ai e kish kuptuar fatin e tij dhe se nuk kishte rrugë tjetër për të përfunduar atë sasi të tmerrshme projektesh, përveçse duke e mbajtur të fshehte nga familja dhe kolegët sëmundjen grykëse që po e vinte poshtë. Familjarët morën vesh se kish thuajse një vit që kurohej vetëm kur ai u kthye në shtëpi për të mbyllur sytë.

La pas atë që kritiku Cresti e përmbledh me fjalët: “Gherardo Bosio i jetoi me hov krijues të padiskutueshëm eksperiencat e tija projektuese e realizuese, krejtësisht i vendosur, ndonëse në pak kohë, për të lënë pas shenja konkrete dhe të çmuara të një profesionalizmi shembullor plot etikë dhe kulturë”; por për ne shqiptarët ai la pas një Kryeqytet.

* * *

Kështu pra ndodhi që një masiv i mendimit të përparuar europian, krejt prej guri të bardhë, ra në baltën e Tiranës, u ngul në tokën tonë si cifël e ngurtë e një meteori që kalon pranë veç për pak kohë, dhe i la njerëzit e kësaj toke të trullosur e në mëdyshje të thellë se çfarë mund të bënin me atë masiv të copëtuar në boulevard. E në këtë mëdyshje, ata u treguan koherentë me veten: nga njëra anë, e lanë ashtu për dhjetëvjeçarë të tërë, të gërryhej prej vetiu, por pa e ngarë, si shenjë totemike zotash – përtej kufijve të njohjes tyre; e nga ana tjetër, vazhduan si më parë zmadhimin e qytetit, sipas avazit të vjetër osman, por me mjete të tjera, duke e rrethuar, e rrethuar, masivin e huaj me leukocitet e plazmës sonë vrastare.

Artan Shkreli

Italianët që nuk kalojnë testin e hyrjes në mjekësi? Shqipëria i pret krahëhapur

Papa Francesco: “Migranti e rifugiati non sono pedine, cambiare atteggiamento”