Lecce, 31 janar 2011 – Natën e të shtunës 21 vjeçari shqiptar Ferdi Kadija, prej kohësh me banim në Lecce, është gjetur i vrarë me një plumb në kokë në shtëpinë e tij.
Me sa dihet deri tani i riu kishte thirrur dy shokë për të kaluar së bashku mbrëmjen. Ende nuk është marrë vesh nëse shkrehja e revoles është bërë me dashje apo ka qënë aksident, megjithëse mendohet se hipoteza më e mundshme është ajo e vetëvrasjes. Kur shokët e viktimës kanë thirrur ambulancën, i riu kishte ndërruar jetë. Vetëm këto janë informacionet e dhëna nga ekipi mjekësor që gjeti të riun në dhomën e gjumit me armën pranë. Në vendngjarje, përveç karabinierëve dhe policisë ka shkuar edhe një mjek ligjor.
Hetimet tani duhet të zbulojnë se si ka ndodhur ngjarja dhe se pse i riu kishte armë në shtëpi.