in

Gjendet pas pesë muajve trupi i emigrantit që ra nga trageti

Trupi i gjetur në grykëderdhjen e Bunës është i Gentian Petës. Identifikimi u bë i mundur falë një dokumenti

Tiranë, 19 gusht 2014 – Gjendet pas 5 muajve trupi i emigrantit Gentian Peta që në prill, në rrethana ende të pasqaruara, ra në ujërat e Adriatikut nga trageti i linjës Durrës–Bari. Policia ka njoftuar të hënën gjetjen në grykëderdhjen e Bunës të një trupi në gjendje të dekompozuar, identifikimi i të cilit si i humburi Peta është bërë vetëm falë një patente.

Gentian Peta, 39 vjeç, emigrant në Gjermani, i martuar e me dy fëmijë u zhduk më 19 prill në ujërat e Adriatikut, rreth 12 milje nga bregu shqiptar, kur ra nga trageti Bridge i linjës Bari-Durrës me të cilin po kthehej në Shqipëri. Bashkudhëtare të Petës kur zbarkuan në Durrës deklaruan se mjetet e shpëtimit u hodhën me vonesë në det nga ekuipazhi dhe se ndihma për 39-vjeçarin nuk kishte qenë efikase. Kërkimet për të zgjatën dy ditë e më pas u ndërprenë pasi për shkak të detit të trazuar e kohës së gjatë u shuan të gjitha shpresat për ta gjetur atë në jetë. Policia e prokuroria e Durrësit kanë hapur hetime për zbardhjen e asaj ngjarjeje e për të parë përgjegjësi të mundshme të ekuipazhit të tragetit, por deri tani çështja nuk është mbyllur.

Plot një vit më parë, një tjetër shqiptar është zhdukur në ujërat e Adriatikut. Ka qenë 20 gusht 2013 kur një 31-vjeçar shqiptar që po riatdhesohej me urdhër të kuesturës së Teramos është hedhur nga trageti, siç deklaruan asokohe bashkudhëtarë të tij.

Durrës. Vidhet kasaforta e tragetit Bari-Durrës me 53 mijë euro

“Përshtatshmëria e strehimit” me 500 euro? Gjykata shfuqizon super-taksën