in

Gjendet viktima e fundit e ortekut në Restelicë të Kosovës

E vetmja që ka shpëtuar është Amsera Reka, 5 vjeç, të afërmit e të cilës tani janë vetëm ata që jetojnë në Toskanë, për të cilët ambasada e Kosovës në Romë tregohet e gatshme t’i ndihmojë nëse një ditë do të dëshirojnë të sjellin në Itali vajzën e vogël

Romë, 14 shkurt 2012 – Ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë operacionit të kërkimit, kanë gjetur të martën edhe viktimën e fundit, të dhjetën, të fatkeqësisë në Restelicë të Sharrit, të cilës i mbijetoi vetëm një vajzë e vogël, Amsera Reka, 5 vjeçe.
Viktima e fundit u gjend rreth orës 13:35 të ditës. Komandanti i Forcës së Sigursië së Kosovës, gjeneralejtnant Kadri Kastrati e shpalli të përfunduar operacionin e FSK në Restelicë.
Dje pasdite Restelica përcolli për në banesën e fundit nëntë viktimat e para, ndërsa mbarë Kosova ishte në zi për fatkeqësinë natyrore që goditi familjen Reka. Një tragjedi e këtyre përmasave kishte ngjarë në Kosovë, para 28 viteve, kur nga një ortek në Rugovë të Pejës  humbën jetën 11 pjesëtarë të të njëjtës familje.

Sot, vajza e vogël që i mbijetoi tragjedisë së Restelicës, 5-vjeçarja Amsera kushërinjtë më të afërm duket se i ka larg, në Toskanë. E konfirmojnë këtë fakt edhe ambasadori kosovar në Romë, Albert Prenkaj, dhe zëvendëskonsulli Arben Muhameti.

“Për shkak të motit, situata në Kosovë është shumë e vështirë. Jemi të hidhëruar për tragjedinë e familjes Reka që humbi dhjetë pjesëtarë të saj në Restelicë. Dimë që një pjesë e mirë e kësaj familjeje jeton në Toskanë – thotë për shqiptariiitalisë.com ambasadori Prenkaj – por këto ditë nuk na ka kontaktuar asnjë prej tyre, nuk na ka ardhur asnjë kërkesë ndihme prej tyre”.

“Nëse do të kenë ndonjë nevojë për ne – shton zëvendëskonsulli Muhameti – duhet të dinë se jemi të gatshëm t’i ndihmojmë me të gjitha mundësitë tona. Është ende herët, por nëse do të duan të marrin vajzën e vogël që të jetojë me ta, do të ndërhyjmë pranë autoriteteve italiane që të kenë bashkimin familjar me të, e që një gjë e tillë të bëhet sa më shpejt”.

Bëma e fundit e Borghezio-s: “Një web-site kundër imigrantëve”

Moti i keq. Situatë dramatike në mbarë Shqipërinë