in

Gjenova 2001 – G8-ta e tmerrit

Nga Gjenova 2001 kanë mbetur të ngulitura në kujtesë imazhe që koha vështirë se mund t’i fshijë: një qytet i shkretuar, trupi i pajetë i një njëzetvjeçari përtokë, thundra e një polici mbi fytyrën e një vajze të plagosur mbi kalldrëm: ndoshta nuk ka qenë Kili i 1973-shit apo Argjentina e vitit 1976, por padyshim, pak muaj pas krijimit, qeveria deshi të jepte një sinjal se si do të administronte rendin publik dhe kundërshtimet që do të mund të kish pasur gjatë pesë vjetëve pasardhës
Nga Massimo Canario

Kanë kaluar nëntë vjet nga G8 e Gjenovës dhe shumë ujë ka rrjedhur nën urë, shumë gjëra kanë ndryshuar: shtatë ndër tetë kryetarët e qeverive që u mblodhën në kryeqendrën ligure për të diskutuar fatet e botës nuk mbajnë më të njëjtën poltronë: Aznar, Schroeder, Chrétien Putin, Koizumi, Blair dhe Bush. Vetëm Berlusconi vazhdon të drejtojë edhe sot e kësaj dite Italinë.

Por ajo që ka ndryshuar rrënjësisht është gjeopolitika e botës: samiti i Gjenovës kish mbaruar prej më pak se dy muajsh kur atentati ndaj Kullave Binjake do të detyrojë mbarë botën të përballet me të tjera raste të jashtëzakonshme, deri atëherë të lëna pas dore në mënyrë të pafalshme. Fjalë si luftë parandaluese deri atëherë të panjohura, do të na bëhen tepër familjare. Gjatë këtyre pesë vjetëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të një rritjeje tensionesh dhe luftërash, me rezultatin e trishtueshëm që sot të jetojmë në një botë gjithnjë e më të pasigurt.

Mbledhja e madhe e 2001-shit është i pari takim ndërkombëtar që qeveria e sapoformuar italiane duhet të përballojë. Me gjithë që anëtarët e saj, duke filluar nga kryeministri i saj Berlusconi, përpiqen të mbrojnë të kundërtën, ekzekutivi italian nuk gëzon mbështetjen e shtypit ndërkombëtar. Që një javë para zgjedhjeve, e përjavshmja angleze The Economist shkruante: “Siç tregon hulumtimi ynë, Mr. Berlusconi nuk është në gjendje të drejtojë qeverinë e asnjë vendi, aq më pak të njërës prej demokracive më të pasura të botës”.

Qeveria donte të tregohej sa më efikase, por u përkujdes pak për thelbin e shumë më tepër për formën. U kalua nga masat si mbyllja e blindimi i rrugëve të tëra, me hekura të lartë 5 metra, riorganizimi i gjithë qarkullimit rrugor dhe saldimi i të gjitha pusetave, deri te masa edhe komike si ndalimi i nderjes së rrobave në dritaret e ballkonet mbi rrugë apo krijimi i skenografive artificiale me ballkonet e lulëzuara dhe rrugët tejet të pastra.

Më parë, protestat kundër “më të mëdhenjve” të tokës kishin qenë më të shumta dhe më të zhurmshme. Lëvizja që i kundërshton është shfaqur për herë të parë në arenën ndërkombëtare në vitin 1999 në Seattle ku zhvillohet një mbledhje e ministrave të WTO, World Trade Organization, Organizatës botërore të Tregtisë. Me këtë rast lëvizja proteston bujshëm politikën ku mbështetet WTO. Që atëherë e njëjta skenë përsëritet në çdo takim ndërkombëtar të rëndësishëm. Të njohur me emrin Populli i Seattle-it apo Lëvizja No Global, organizata ka përfaqësuar, nga pikëpamja politike, një nga të rejat më të spikatshme të këtij fillim mijëvjeçari. Lëvizja, komplekse dhe heterogjene, ka në radhët e saj kundërshtues radikalë, anarkikë por edhe katolikë. No Global është ndoshta një emër që i përafrohet e që nuk e përcakton tamam, por më i përdoruri nga shtypi, për të treguar, paksa me përtesë, një realitet shumë më të ndërlikuar. Të jesh kundër globalizimit në një botë ku mbizotëron interneti dhe komunikimi i menjëhershëm dhe i gjithanshëm mund të duket anakronistik, dhe është mëse e vërtetë që disa pozita tejet radikale të No Global-ve janë të tilla. Por në të vërtetë çka kundërshtohet nuk është globalizimi në vetvete, por pretendimi i imponimit të modeleve të njëjta të zhvillimit në çdo anë të globit, shpesh me receta, si në rastin e shumë vendeve të Amerikës Latine, që duke mos mbajtur absolutisht parasysh realitetet lokale, kanë provokuar dëme edhe më të mëdha nga ato që donin të kuronin. Jo rastësisht, një nga sloganet më të përdorur të lëvizjes thotë: “Të mendojmë globalisht, të veprojmë lokalisht”.

Me afrimin e ditëve të Gjenovës rritet edhe shqetësimi për trazirat q mund të ndodhin. Rastet pararendëse nuk janë aspak inkurajuese: përleshje të ashpra kanë ndodhur edhe më parë në raste të ngjashme, e pikërisht në Itali. Në Napoli më 24 prill, gjatë një manifestimi për paqen, organizuar për të protestuar kundër bombardimeve në ish Jugosllavi, pati përleshje të egra mes manifestuesve e forcave të rendit, me të plagosur nga të dyja palët.
Në Salisburg, më 1 korrik, gjatë një forumi ekonomik botëror Tutat e zeza apo Black Block shkaktuan incidente të rënda.
Provohet rruga e bashkëbisedimit, por nuk është e lehtë. Disa kryetarë shtetesh përpiqen të bisedojnë me përfaqësues të lëvizjes, duke u premtuar që do të merren masa të rëndësishme në favor të vendeve të Botës së Tretë, masa me të cilat nuk mund të mos jesh dakord.

Ndërkaq fillon blindimi i Gjenovës. Përcaktohet një zonë e kuqe ku nuk mund të hyjnë manifestuesit, për asnjë motiv. Natyrisht kjo përpjekje për të sterilizuar protestat nuk pranohet. Nisin kërcënime të tipit: do të rrethojmë zonën e kuqe, do ta pushtojmë simbolikisht. Vihen në qarkullim zëra të rremë vetëm e vetëm për të ngritur tensionin: flitet që do të merren peng agjentë e që do t’u hidhet policëve gjak i infektuar.
Më 15 korrik Berlusconi deklaron i kënaqur që gjithçka është në rregull, por gjatë ditëve pasardhëse, të përpikta si orët zvicerane, shfaqen bombat: një pako bombë dërgohet në kuesturën e Gjenovës, duke plagosur rëndë një ushtarak; më 19 korrik një tjetër bombë shpërthen në selinë e TG4-rës, duke plagosur sekretaren e drejtorit Emilio Fede.

Në këtë atmosferë, më 19 korrik, nisin punimet e G8-tës dhe takimet e alternuara. Gjatë mbrëmjes zhvillohet një manifestim paqësor e shumëngjyrësh migrantësh që mbledh mëse pesëdhjetëmijë persona. Gjenova duket e shkretuar dhe përjeton një situatë të çuditshme: ka nga ata që duan ta mbrojnë dhe të tjerë që duan ta marrin: në mes banorët.

Të nesërmen fillon zyrtarisht samiti. Atmosfera është e tensionuar. Ndërsa “të mëdhenjtë” e botës diskutojnë, forcat e ruajtjes së rendit duket se nuk janë në gjendje të mbajnë situatën në kontroll. Negociatat me Forumin Social, organizëm që drejton të gjitha manifestimet e protestave të parashikuara në Gjenovë, vazhdojnë deri natën vonë e duket sikur arrihet një marrëveshje: nëse korteu bën rrugën për të cilën është rënë dakort, do të shkojë gjithçka mirë, në të kundërt forcat e rendit do të ndërhyjnë. Papritur dhe pa ndonjë motiv të dukshëm kontaktet ndërpriten; nga ai çast ndërmjetësuesit që veprojnë për llogari të lëvizjes, praktikisht parlamentarë të të Gjelbërve dhe të Rifondacionit Komunist, nuk arrijnë të komunikojnë me bashkëbiseduesit e tyre.

Pasdite korteu i pafund që përshkon qytetin sulmohet me dhunë dhe çahet dysh. Ndërkohë pjesa e Levantes, e lënë pothuajse pa mbrojtje, bie në dorë të Tutave të zeza. Grupi, të gjithë të veshur me të zeza dhe me fytyrë të mbuluar, sulmon bankat, thyen vetrinat, lëshon gaz lotsjellës. Policët e paktë të mbetur në zonë – pjesa më e madhe është dërguar në mbrojtje të zonës së kuqe – i lënë të veprojnë.
Ndërkaq, në qendër të qytetit situata precipiton. Përleshjet mes manifestuesve dhe policisë vazhdojnë deri në epilogun tragjik të sheshit Alimonda. dy fotografi shëtitin mbarë botën: tek e para shihet një djalë me fytyrë të mbuluar që mban në duar një bombol zjarrfikëse. Tek e dyta, e shkrepur një çast më pas, i njëjti djalë është përdhe, në një pellg gjaku, i vdekur. Është Carlo Giuliani, 20 vjeç. I ka qëlluar një karabinier bashkëmoshatar, Mario Placanica. Nga ato foto u nxorën disa përfundime: i pari është se karabinieri u ndie i kërcënuar dhe ka vepruar për mbrojtje të ligjshme. Por një pyetje lind natyrshëm. Si është e mundur që një agjent teorikisht i stërvitur, i mbrojtur nga mjeti i blinduar ku gjendet, të ndihet i kërcënuar nga një i ri që ka në dorë një bombol zjarrfikëse? Edhe sikur të pranojmë që ka ngatërruar atë bombol me diçka tjetër më kërcënuese, si është e mundur që e vetmja rrugëzgjidhje që gjen është t’i qëllojë tjetrit në trup?

Realiteti na duket ndryshe. Prej ditësh ndihej një klimë e ndezur; disa gazeta, sidomos ato të qendrës së djathtë, përsëritnin ankthshëm që nga anë e No Global-ve po kërkohej me çdo kusht një dëshmor për të pasur një martir për të hyjnizuar, thuajse për të ndërtuar një justifikim paraprak për gjithçka do të ndodhte. Por mbi të gjitha, policët e karabinierët e dërguar për t’u bërë ballë manifestimeve nuk duken mjaft të përgatitur dhe ndihen të mbrojtur nga një qeveri që në raste të ndryshme u ka lënë të kuptojnë që do të mbajë gjithnjë anën e tyre çfarëdo që të ndodhë. Sipas hipotezës më të mirë besoj që mund të thuhet që Placanica të ketë pasur frikë, ta ketë zënë paniku, dhe në mënyrë të palogjikshme të ketë qëlluar me plumb Giulianin. Hipotezën më të keqe nuk do të donim ta çonim nëpër mend, por me gjithë çka ndodhi të nesërmen, disa pyetje duhen shtruar.

Tensioni i lartë ngrihet edhe më. Ministri i Brendshëm Scaiola nuk është në qytet, siç nuk është as shefi i policisë Di Gennaro. Në orën 18.30 kreu i shtetit Carlo Azelio Ciampi del përpara telekamerave pranë Berlusconit. Duket i acaruar dhe nervoz, shpreh hidhërimin e tij dhe të kombit për vdekjen e Carlo Giulianit, kërkon pezullimin e manifestimeve të programuara për ditën pasardhëse.
Të shtunën miliona persona manifestojnë rrugëve të Gjenovës. Ndodh diçka e pabesueshme: Tutat e zeza vazhdojnë të pashqetësuar nga askush të shkatërrojnë qytetin ndërsa policia hidhet kundër manifestuesve.
Zëvendës kryeministri Gianfranco Fini qëndron tërë ditën në kuesturën e Gjenovës, nga ku nisen direktivat. Ai thotë që është atje për t’u shprehur solidaritetin e qeverisë forcave të rendit, por me sa duket solidariteti ngatërrohet me premtimin e mosdënimit.

Vjen mbrëmja. Bëhen bilancet e para: për G8-tën – e cila, siç ndodh shpesh, nuk arrin në asnjë përfundim konkret – flitet pak për të mos thënë aspak. Emisionet e lajmeve dhe faqet e para të gazetave, italiane dhe të huaja, përqendrohen në trazirat e të premtes dhe të së shtunës. Rezultati më i keq i mundshëm për të gjitha palët, pasi edhe përmbajtja, thelbi i Forumit social errësohet krejtësisht. Në mënyrë paradoksale, ka nga ata që janë disi të kënaqur që nuk është derdhur më shumë gjak. Por në darkë vonë vihen në qarkullim zëra tejet shqetësues: në shkollën Diaz, ku ka shumë të rinj dhe disa nga përfaqësuesit e Forumit social, policia po kryen një blitz. Gazetarët e pranishëm do të dokumentojnë dhunë të padëgjuar. Të rinjtë, të akuzuar për shoqërim keqbërës me qëllim shkatërrimin e qytetit, rrihen, torturohen dhe dërgohen në masë në kazermën e Bolzanetos, ku vazhdojnë rrahjet. Asnjë nuk i shpëton dhunës: parlamentarë të partive të majta, sindikalistë, gazetarë, edhe të gazetave filoqeveritare.
Politikanët polemizojnë me njëri-tjetrin: D’Alema, një nga liderët e opozitës, zakonisht shumë i kujdesshëm, nuk stepet të flasë për situate kiliane. Parlamentarët e mazhorancës rreshtohen që të gjithë në mbrojtje të forcave të policisë që, nga anë e tyre, mbrojnë në bllok kolegët e tyre: kush nuk e bën shihet me dyshim. Nga 93 të rinjtë e arrestuar vetëm dhjetë mbahen në kuesturë. Më 27 korrik, ndërsa televizionet vazhdojnë të shfaqin filmime që dëshmojnë në mënyrë të qartë dhunën e policisë dhe të karabinierëve, kryeministri Berlusconi ndërhyn në Dhomën e deputetëve duke thënë tekstualisht: “G8 ka qenë një sukses politik dhe diplomatik, ku janë marrë vendime konkrete që nuk duhen nënvlerësuar”.

Nga Gjenevë 2001 kanë mbetur të ngulitura në kujtesë imazhe që koha vështirë se mund t’i fshijë: një qytet i shkretuar, trupi i pajetë i një njëzetvjeçari përtokë, thundra e një polici mbi fytyrën e një vajze të plagosur mbi kalldrëm: ndoshta nuk ka qenë Kili i 1973-shit apo Argjentina e vitit 1976, por padyshim, pak muaj pas krijimit, qeveria deshi të jepte një sinjal se si do të administronte rendin publik dhe kundërshtimet që do të mund të kish pasur gjatë pesë vjetëve pasardhës. 

Massimo Canario

Grimca: Tunisi-Sardenjë me not

Çdo dy të vdekur të huaj në punë një është shqiptar, rumun ose maroken