Biologu italian ka nisur sot në mëngjes përshkimin e 118 miljeve detare që ndajnë bregdetin e Tunizisë me atë të Sardenjës
Romë 21 korrik 2010 – Giovanni Brancato, biolog 55 vjeç, është hedhur në ujë në 6 të mëngjesit në Biserta të Tunizisë, duke nisur kështu të përshkojë me not një det të tërë në drejtim të brigjeve të Sardenjës. Për më tepër, pa mbrojtjen e kafazeve kundër peshkaqenëve, që do ta bënte padyshim më të lehtë e më të sigurt kapërcimin e detit. Brancato duhet të përshkojë plot 118 milje detare apo 220 km, duke notuar për gjashtë orë në ditë për shtatë ditë rresht.
55-vjeçari është biolog nutricionist, me fizik sportisti dhe një sipërmarrje të tillë nuk e ka për të parën herë: edhe në korrik të 2008-tës ka notuar për katër ditë për të përshkuar 145 km që ndajnë Korsikën me Ligurian.
“Edhe këtë herë, eksperimenti nuk ka qëllim vetëm arritjen e një rekordi sportiv – shpjegon ai vetë – por parashikon edhe përditësimin e thellimin e kërkimeve të ndryshme mjeko-shkencore mbi fiziologjinë e të ushqyerin në kushte ekstreme. Një tjetër objektiv i këtij kapërcimi të detit është dhënia e një kontributi për një afrim të mëtejshëm shoqëror, kulturor dhe turistik mes Tunizisë dhe Italisë”.