in

Gjykata e Apelit: Fullani arrest shtëpie, Golemi mbetet në burg

Gjykata e Apelit vendosi masën e sigurisë arrest në shtëpi për ish-Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Po sot, gjykata e Apelit la në fuqi masën e sigurisë arrest me burg të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, për kryeinspektoren e BSh-së, Elivar Golemi.

Pas fjalës së ish guvernatorit të BSh-së në Gjykatën e Apelit dhe argumenteve të dhëna nga avokati i tij Maks Haxhia, grupi i gjyqtarëve i kryesuar nga Kryetari i Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj, vendosën një masë më të butë për Fullanin, i cili akuzohet për shpërdorim detyre për vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Thesari i Shtetit.

Gjykata e Apelit vendosi që Fullani të lihet i lirë, të qëndrojë vetëm në shtëpi dhe të mos kontaktojë me njeri tjetër jashtë. Megjithatë, avokati i tij, Haxhia, që e quajti të paligjshëm arrestimin e Fullanit më 5 shtator, që në deklaratën e tij të parë për mediat, në fund të vendimit të sotëm deklaroi se do të ankohet në Gjykatën e Lartë, sepse ai dhe klienti i tij kërkonin një masë edhe më të butë se arrest shtëpie.

Gjatë fjalës së tij të kërkuar në gjykatë, ish-Guvernatori është mbrojtur duke thënë: “Jam udhëhequr gjithnjë nga ligji dhe ndershmëria si Guvernator i BSH-së. Në dhjetë vite punë, banka ka marrë vlerësime maksimale. Banka e Shqipërisë ka qenë e binjakëzuar me shumë banka prestigjioze europiane. BSH-ja ka bashkëpunuar gjithnjë me Prokurorinë, ndaj e ka kryer gjithnjë detyrën e saj. Ngjarja është shumë e rëndë dhe ne e kemi denoncuar. Vjedhja e Thesarit të Shtetit është e shkëputur nga mënyra se si funksionon banka”.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë për ish-Inspektoren e Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi, duke e lënë atë sërish në burg.

Avokati mbrojtës i Golemit, i ka thënë trupës gjykuese, se arrestimi i klientes së tij është i paligjshëm dhe se akoma nuk është njohur me provat e Prokurorisë.

Ndërsa vetë ish-Inspektorja, ka thënë se ndaj sa ka mungesë provash të mjaftueshme provash. “Është hera e parë që më jepet mundësia të flas. Kundërshtoj arrestimin tim dhe çdo veprim është bërë në mungesën time. Unë raportoja para Këshillit Mbikëqyrës. Kam detyrim ta bëj këtë çdo 3 muaj, raportet i kam dërguar në Komisioni e Ekonomisë”.

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Fermo. Vriten nga punëdhënësi kosovarët Valdet Avdyli dhe Nexhmedin Mustafa

Qeveria u bën thirrje edhe emigrantëve të aplikojnë për Këshillin Mbikëqyrës të BSh-së