in

Gjykata e Hagës: “Greqia të mos pengojë integrimin Maqedonisë”

“Greqia ka shkelur marrëveshjen e përkohshme mes Athinës dhe Shkupit e nënshkruar në vitin 1995”

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) e Hagës, të cilës Maqedonia i është drejtuar në nëntor 2008, vendosi më 5 dhjetor se Greqia nuk u është përmbajtur detyrimeve të saj duke kundërshtuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO me pretekstin se nuk është gjetur ende një emër i përshtatshëm për këtë ish-republikë jugosllave. Vendimi i Gjykatës së Hagës është këshillimor dhe nuk ka fuqi vepruese.

Athina ka bllokuar që prej vitit 1991 njohjen ndërkombëtare të Maqedonisë nën këtë emër duke e konsideruar se ky emër i përket trashëgimisë së saj kombëtare.

Në muajin nëntor 2008, Maqedonia iu drejtua GjND-së duke akuzuar Greqinë për vendosjen e vetos për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe për shkelje të marrëveshjes së ndërmjetme mes dy vendeve në vitin 1995 dhe që drejton marrëdhëniet e tyre dypalëshe. Kjo marrëeshje parashikonte që Athina të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO ose në çdo organizatë tjetër ndërkombëtare ku Greqia është anëtare, nëse kjo bëhet në emrin “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, ARYM ose FYROM në anglisht.

Pas vendimit të Gjykatës së Hagës, NATO rikonfirmoi se do t’i propozonte Maqedonisë të anëtarësohej në Aleancë pasi të zgjidhë mosmarrëveshjen me Greqinë.

“Një ftesë do t’i drejtohet ish-Republikës jugosllave të Maqedonisë sapo të merret një zgjidhje e pranueshme nga palët për çështjen e emrit”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Maqedonia ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian që në vitin 2005, por nuk ka filluar ende bisedimet e anëtarësimit, pasi Greqia e ka penguar hapjen e tyre pavarësisht rekomandimeve të Komisionit Evropian.

Presidenti i BE-së Herman Van Rompuy inkurajoi sot kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski për vazhdimin e përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga të dyja palët në mosmarrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës dhe theksoi se vendimi i GjND-së mund ta ndihmojë për këtë.

“E nxita kryeministrin Gruevski të vazhdojë përpjekjet për një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët me Greqinë lidhur me çështjen e emrit dhe shpreha besimin se vendimi i dhënë dje nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, CIJ, mund t’i japë një shtysë të re këtyre përpjekjeve”, deklaroi ai në një komunikatë pas një takimi me kreun e qeverisë maqedonase.

Turqia përshëndeti vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), ku thuhet se Greqia ka shkelur detyrimet ndaj Maqedonisë, të përcaktuar në marrëveshjen e nënshkruar mes dy vendeve, në vitin 1995. “Përshëndesim vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i së cilës
shpresojmë të përshpejtojë integrimin evropian dhe euroatlantik të Maqedonisë”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë turke të Punëve të Jashtme.

 

Erika De Nardo e gli albanesi

Kukës. Dalin mbi sipërfaqe të ujit rrënojat e qytetit të vjetër