Shqipëria bën një hap drejt fazës finale të Francës. Temperatura të ndryshme në një tabelë renditjeje që u vendos në tavolinë, dhe pse nuk ishte shumë ndryshe edhe në realitet. Përtej revoltës dhe dëshpërimit serb. Festë në Tiranë dhe Prishtinë, Beogradi është -2
Nga Vladimir Karaj
Vendimi thjesht u vonua shumë prej Gjykatës së Arbitrazhit në Lozanë. Shqipëria merr tri pikë dhe tre gola nga një ndeshje, në të cilën lojtarët e saj u dhunuan prej fillimit deri në minutën e 41-të. Tifozët dhe punonjës të sigurisë shpërthyen në grushte e karrige kundër tyre dhe kundërshtarët u fshehën pas copës me slogane nacionaliste (një shaka pa kripë në një ndeshje të tensionuar) të një tifozi, të cilën e përdorën si argument për dhunën dhe që dukshëm shërbeu vetëm për t’u zënë sytë e mos parë atë që ndodhi në fushë. Shqipëria fitoi sepse, ashtu siç argumenton CAS vendimin, ndeshja “u ndërpre për shkak të fishekzjarrëve” (jo dronit), se “organizatorët nuk garantuan sigurinë”, se Shqipëria nuk u ftua nga arbitri të futej në ndeshje e për rrjedhojë nuk ishte ajo fajtore për ndërprerjen e ndeshjes. Serbia dënohet se nuk garantoi sigurinë. Se tifozët e saj dhunuan fushën dhe se nuk arritën të garantonin sigurinë për të rifilluar ndeshjen.
Në Shqipëri ka festë, në Beograd dëshpërimi është i madh dhe ata besojnë se u është bërë një padrejtësi. “Drejtësia europiane për të kushedisatën herë u shndërrua në një padrejtësi botërore. Ata që e shkaktuan incidentin, u shpërblyen, kurse viktima u dënua. Vendimi i gjykatës në Lozanë është i turpshëm për drejtësinë dhe paraqet ofendim për të gjithë njerëzit normalë”, shkruajti kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç.
Atje duket se duan ende të besojnë se droni ishte një konspiracion qeveritar e jo më e shumta një budallallëk që vuri në rrezik jetën e lojtarëve të Shqipërisë. Ia veshën atë që në fillim qeverisë shqiptare, vëllait të kryeministrit madje, dhe mendojnë që harta, prej të cilave gjenden me qindra në forumet ballkanase të internetit pa dallim kombësie, ishte e mjaftueshme për të justifikuar shpërthimin e tifozëve të tyre dhe dhunën ndaj futbollistëve. Por edhe këtu CAS ka menduar ndryshe. Ata e kanë quajtur banderolën për të cilën Shqipëria do paguajë një gjobë 100 mijë euro: “nacionaliste e patriotike”. Kjo i ka mërzitur më shumë përfaqësuesit e Federatës Serbe dhe qeverinë atje. Këtë, ata e quajnë një turp, duke e parë banderolën si një agresion territorial. Praktikisht, nëse gjykata do të merrte në konsideratë banderolat, ndeshja nuk duhej të ishte filluar kurrë dhe vendimi duhej të ishte dhënë shumë më herët, por për Serbinë, prania e banderolave të ngjashme dhe sulmet raciste ndaj futbollistëve shqiptarë nuk ishin problemi (ata kurrë nuk i kanë përmendur).
Në Shqipëri ndërkohë nuk ka më shpërthime antieuropiane. “Kurva plakë”, siç iu referuan shumë Gjergj Fishtës pas dy vendimeve të para, nuk është se i ka shqiptarët me sy të keq. “Supeeeer! Ja ç’dmth drejtësi europiane! 3 pikë për Kombëtaren Kuqezi në Beograd!!!”, shkruante kryeministri Rama që si homologu i tij ishte protagonist në ndeshjen pa top.
Supeeeer! Ja ç’dmth drejtesi europiane! 3 pike per Kombetaren Kuqezi ne Beograd!!! #ForcaShqiperia
Posted by Edi Rama on Venerdì 10 luglio 2015
Pakkush e ka pritur që Shqipëria të ishte gati me pikë të plota në vendin e dytë të eliminatoreve për Europianin. Shtimi i ekipeve në grup u kishte dhënë shpresë shqiptarëve për një kualifikim, por kjo është me gjasë shumë më shumë sesa shpresonin. “Vendimi i CAS erdhi nga një analizë e thellë 360 gradë e të gjitha fakteve, u mor shumë kohë për të marrë një vendim të tillë, por drejtësia u vu në vend, se kur një ndeshje ndërpritet prej tifozëve, e vetmja gjë që mbetet është se skuadra që pëson dhunë duhet të fitojë ndeshjen”, – tha trajneri i kombëtares Xhani De Biasi. Kapiteni Lorik Cana që u kritikua madje nga disa zëra se pse nuk e kishte drejtuar skuadrën sërish në fushë edhe pas asaj që kishte ndodhur, ishte i gëzuar veçanërisht dje. “Të gjithë jemi të gëzuar që drejtësia triumfoi sepse ishim në të drejtën tonë, por dhe se përpjekjet për të mbrojtur qëndrimin tonë, në fund rezultuan të suksesshme. Kjo duhet të jetë një motiv shtesë për ne që të realizojmë ëndrrën e të gjithëve për të shkuar në Europian”, tha Cana për TCH. Por përtej emocioneve gjithçka është qartazi e fituar në fushë. Shqipëria ishte edhe para këtij vendimi në një pozicion mjaft të mirë dhe ndeshja me Danimarkën e cila vodhi një barazim në Tiranë do të kishte qenë vendimtarja. Pozicioni i tanishëm siç pranon trajneri sigurisht është më i mirë, qartë për këtë flet edhe interesimi i Danimarkës. Madje në Tiranë lajmi erdhi në mëngjes herët prej mediave daneze. Jo pak i mërzitur trajneri i tyre e quajti “tronditës vendimin”. Qartazi rivalët e Shqipërisë në këto eliminatore nuk janë serbët që edhe pa vendimin e Arbitrazhit të Lozanës ishin në fund të listës dhe pa shanse kualifikimi. Por nga ana tjetër, ndryshe nga sa ndodh në Serbi, në Kopenhagen gazetarët mendojnë ndryshe prej trajnerit të tyre. “Fshiji lotët Morten”, i shkruante trajnerit të kombëtares së tij kryeredaktori për sportin i ekstrabladet.dk Allan Olsen. Pak më poshtë ai vendos pikat mbi I. Ai e quan vendimin e CAS të drejtë dhe të qartë dhe i thotë trajnerit të tij se në fakt nëse duan të fitojnë duhet të mundin Shqipërinë në fushë. Olsen madje shkruan se vendimi ishte një rikthim të drejtësia që UEFA nuk qe e aftë të jepte. Kjo ndërkohë sjell një panoramë të re.
Po ashtu ndërsa @ediramaal (Edi Rama) dhe @SerbianPM (Aleksandër Vuçiç) u gërricën në Twitter për ndeshjen e 8 tetorit, e cila me gjasë (nëse Shqipëria realizon stadiumin) do të luhet në Shkodër, Xhani De Biazi pa e fshehur asnjë moment gëzimin “për drejtësinë me D të madhe”, është duke bërë llogaritë e ndeshjes me Danimarkën. Qartazi dy kryeministrat mund të përfundojnë duke parë një stërvitore nacionaliste dhe jo një ndeshje futbolli, por kjo vetëm nëse De Biasit i dalin llogaritë në ndeshjet e radhës e Shqipëria shkon “e kualifikuar” kundër Serbisë.
Ky është praktikisht skenari më i mirë për Tiranën. Tre pikë dhe tre gola që e bëjnë verën të plotë në këto anë, ndërsa në Beograd temperaturat kanë rënë në -2 (pikë në renditje). Në Nënë Tereza në Tiranë dhe në Prishtinë mijëra tifozë dolën të festonin fitore në tavolinë, ku nuk mungon as “flamuri” i famshëm i dronit i bërë hit ndër ta që prej Beogradit. Nacionalizmi dhe komercializimi i fitores nuk janë në fakt diçka e mirë edhe pse ja zënë tribunën gëzimit foshnjorë të tifozëve që nuk presin më shumë se një kualifikim në Francë. Por përtej gjithë kësaj skene Shqipëria nuk mori asgjë më shumë se saç meritonte prej një drejtësie gjakftohtë faktesh dhe dokumentesh. Ushtruesi i dhunës nuk mund të fitojë në sport. Vendimi mori një kohë të gjatë më shumë prej “frikës” së UEFA-s se do të dëmtonte garën. Praktikisht prej atëherë Shqipëria që pa llogaritur ndeshjen me Serbinë nuk ka asnjë humbje në grup, madje tregoi një nivel të jashtëzakonshëm loje kundër Francës, ka bindur se nuk po merr asgjë që nuk e meriton në fushë.
Trajneri do të kërkojë të dëshmojë këtë kundër Danimarkës.
“Situata ndryshon sepse ky vendim na jep më shumë besim për të luftuar për një kualifikim direkt, por gjithçka do të varet nga ndeshjet e radhës, e sidomos nga ajo e shtatorit kundër Danimarkës, që do të jetë edhe ndeshja kyçe për ecurinë tonë. Unë mendoj se vendi i tretë nuk është arritur matematikisht, por na mungon pak. Ne duhet të përqendrohemi ndeshje pas ndeshje, siç kemi bërë deri tani, dhe të marrim maksimumin nga çdo ndeshje, siç është edhe mentaliteti im. Ju jap fjalën se do të japim 110% për të arritur objektivin tonë, por nëse do t’ia dalim apo jo, varet edhe nga kundërshtarët tanë”, deklaroi De Biasi.
Lorik Cana beson se Shqipëria është një ekip i fortë dhe kjo i jep shpresë se mund të marrim pikë edhe në ndeshjet e tjera, por edhe ai kërkon përqendrim: “Por ne na pret pjesa më e vështirë e rrugës, por jemi shumë të përgatitur për t’i shkuar deri në fund”. Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit nga ana tjetër nuk ishte një lëmoshë. Dukshëm ai është një fitore juridike e Shqipërisë dhe përfaqësuesve të saj përballë dy vendimeve të UEFA-s dhe kundërshtimit të Serbisë e me gjasë edhe ndonjë trysnie të Danimarkës. Portugalia kryesuese (edhe pse e ka humbur përballjen me Shqipërinë) nuk duket fort e shqetësuar për çfarë ndodh në pjesën tjetër të tabelës. Por duke e lënë sportin mënjanë dhe duke iu rikthyer politikës Shqipëria me gjasë për herë të parë arrin një fitore në tavolinë. Një fitore që përtej të gjithave e bën vendin të mos ndjehet cep i harruar, i përbuzur dhe i shtypur.