Më 10 nëntor 2017 Ora 11.00, në Tirana International Hotel (Salla Abret), Sheshi Skënderbej 8, Tiranë, prezantohet “Gra të Shqipërisë. Midis migrimit, traditës dhe modernitetit”, i pari libër që flet për shqiptaret e Italisë e për rolin e tyre në vendin ku kanë mërguar e në atdhe.
“Gra të Shqipërisë. Midis migrimit, traditës dhe modernitetit” është një projekt i realizuar nga gratë e për gratë që flet për zhvillim, përfshirje sociale dhe luftë për të drejtat.
Si ishte situata e grave shqiptare në të kaluarën? Çfarë ndryshoi me rënien e regjimit totalitar? Çfarë ndodhi pas emigrimit të shumë grave e vajzave shqiptare? Sa janë shqiptaret në Itali e me çfarë merren? Ç’pasoja ka pasur procesi i migrimit? Cila janë sukseset, sfidat e problemet e tyre?
Këto e të tjera pyetje gjejnë përgjigje në librin “Donne d’Albania. Tra migrazione, tradizione e modernità” (Gra të Shqipërisë. Midis migrimit, traditës dhe modernitetit), përgatitur nga Rando Devole dhe Claudio Paravati, publikuar nga shtëpia botuese e revistës “Confronti”. Midis reflektimeve, analizave e dëshmive, kanë marrë fjalën shumë gra e vajza: shqiptare e italiane, të brezit të parë e të dytë. Një projekt i grave e për gratë, për të folur për zhvillim, përfshirje sociale dhe luftë për të drejtat.
Nga një anë, libri dëshiron të promovojë një proces njohjeje e nga tjetra të nxisë reflektime rreth gjendjes së grave shqiptare, në Shqipëri e në Itali. Në këtë kuptim, vëllimi do të dëshironte të ofronte raste për diskutim e dialog, midis të gjithë aktorëve të shoqërisë, për situatën e grave dhe problematikat e tyre. Bëhet fjalë për tema me rëndësi të jashtëzakonshme e tejet aktuale, që meritojnë vëmendjen e institucioneve dhe të gjithë vendit.
Prezantimin e librit në Tiranë do ta përshëndesë Ambasadori i Italisë në Shqipëri Sh.T. Alberto Cutillo. Veç kuratorëve Rando Devole e Claudio Paravati, nën moderimin e gazetares Erjona Rusi, do të marrin fjalën Senida Mesi, zëvendëskryeministre e Shqipërisë, Diana Çuli, presidente e Forumit të Pavarur të Grave shqiptare, Luisa Chiodi, Drejtoreshë e “Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa”, Nicola Pedrazzi, historian, ekspert i marrëdhënieve italo-shqiptare, Anila Husha, eksperte migracioni, funksionare SPRAR, dhe Gresa Hasa, studente në Fakultetin e shkencave politike të Universitetit të Tiranës.