in

Guri i rëndë në vend të vet

Emigranti, nëse kthehet, është burim i vërtetë për Shqipërinë. Shqiptarët janë më të bindurit. Thonë: “Guri i rëndë në vend të vet”. e kanë menduar gjithnjë kështu.
Bledar Bukaqeja ka ngritur në Shqipëri, pas përpjekjesh të ndryshme, një ndërmarrje të vogël telematike: përgatit site interneti dhe u jep punë dhjetë personave

Është një zyrë e vogël në Shkodër, në rrugën Don Bosco, ku një shkallë të çon përpara një dere. “Shtegtarët për zhvillim” është shkruar mbi derë. Kujt troket, e shumë vetë po e bëjnë, u hapin dy të sapomartuar, Mauro Platè e Cristiana Paladini, përgjegjësit e projektit “Risorse Migranti” të ideuar nga Acli-Ipsia, që gëzon bashkëpunimin e Karitasit Italian dhe të Kooperimit të ministrisë së Jashtme. Këtu e kanë kuptuar që emigranti, nëse kthehet, është burim i vërtetë për Shqipërinë. Shqiptarët janë më të bindurit. Thonë: “Guri i rëndë në vend të vet”. E kanë menduar gjithnjë kështu.

“Ideja – shpjegon Mauro Platè – është ajo e vlerësimit të kompetencave të personave që e kanë pasur rastin, edhe si klandestinë, të bënin eksperiencë jashtë shtetit, veçanërisht në Itali apo në Greqi. Duke mbështetur këta migrantë që kthehen, me dëshirë apo me forcë, mund të stimulohet formimi i një kulture sipërmarrëse për të krijuar një ind më të përshtatshëm, pse jo edhe mbi modelin italian”. E shoqja e tij, Cristiana, nga tavolina përbri, shton: “Ky është hapi i parë për të punuar mbi të drejtat e tyre. Kush kthehet sjell si bagazh gjithë ç’ka mbledhur jashtë shtetit. Kush ka jetuar si i parregullt e sjell në Shqipëri i bindur, ndoshta, që kjo është norma. Ndërsa projekti ka për qëllim formimin e punonjësit duke krijuar në të vetëdijen e të drejtave të veta”.

Nga viti 1991 deri në vitin 2005, sipas studimeve të Strategjisë Kombëtare për Migracioni, 710 mijë persona janë larguar nga Shqipëria; dërgesat e tyre në para gjatë vitit 2007 ishin 952 milionë euro duke përbërë 14% të prodhimit të brendshëm bruto. Shkodra është një nga distriktet më të goditura nga kjo hemorragji.

Pikërisht për këtë arsye projekti Acli lind këtu dhe në Lezhë. Zhvillohet në tre vjet. “Tani jemi vetëm në fazën e parë, atë të formimit për planin e ndërmarrjes. Vështirësia e parë për kë kthehet dhe dëshiron të hapë në Shqipëri një ndërmarrje të vogël – shpjegon Platè – lind pikërisht nga vështirësia e parashikimit të një plani sipërmarrës. Këtu thuhet “le ta nisim njëherë, pastaj shohim e bëjmë”, por ky është edhe motivi i parë i dështimit”. Faza e dytë e projektit është ajo e konsulencës dhe e shoqërimit në veprimtarinë e sipërmarrjes së vogël; ndërsa faza e fundit, që ende nuk ka nisur, është ajo e hapjes së garës për dhënien e kredisë “start up”, që nuk është tjetër veçse shuma e nevojshme për të nisur aktivitetin privat apo për të blerë materialet e para.

Natyrisht loja nuk është vetëm mes emigrantit që kthehet në atdhe dhe kësaj zyre të vogël. Edhe administrata publike ftohet të luajë rolin e saj. Deri më sot, vetëm 6% e personave të kthyer marrin një pension të vogël familjar nga qeveria shqiptare. “Do të përfshihen – është shkruar italisht e shqip në paraqitjen e projektit – aparatet administrative, autoritetet vendore dhe të sipërmarrësve me qëllim që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që përfaqësohen nga emigrantët e kthyer”. Deri më sot shkallën në rrugën Don Bosco e kanë ngjitur, plot shpresë, mbi 200 vetë.

Ndërmarrja telematike
Bledar Bukaqeja, 28 vjeç, i dobët, i mprehtë në fytyrë e me buzëqeshje gjithë ironi. Në Itali është fizikant, ka diplomën trevjeçare të Statale-s snë Milano, me një tezë mbi “Separazione dei livelli energetici della doppia buca di potenziale per effetto tunnel”. Në italishte të bukur të thotë: “Do të ta tregoj?”, dhe matet të marrë fletoren. Në Shqipëri ka ngritur, pas përpjekjesh të ndryshme, një ndërmarrje të vogël telematike: përgatit site interneti dhe u jep punë dhjetë personave. Fizikisht është në Shkodër, por selia legale e ndërmarrjes së tij është në Milano. Kush dëshiron të ketë faqe internet që të mbajnë firmën e ekipit të Bledarit (dhe e kanë bërë plot avokatë, ekonomistë dhe dentistë italianë), mjaft të shkojë në www.easywebitalia.it dhe e gjen atë që kërkon. Bledari në njëfarë mënyre i mban lidhjet me Italinë.

Iniciative tjetër sipërmarrëse e tij, një phon-center në Shkodër, përdorte linja telefonike italiane dhe më parë akoma, një call-center kalonte në Itali në mënyrë që të ofronte tarifa më të lira se ato të shoqërive telefonike shqiptare. Me Italinë e mbajnë lidhur dy vitet e tjera të universitetit. Në fakt, në shtator do të kthehet për të dhënë provimet në fakultet.

Përveç aftësisë me sistemet telematike, që duket se e ka dhunti të lindur, Bledari ka zotësinë e të kujtuarit të datave, veçanërisht ato që lidhen me jetën e tij italiane. Arriti në Itali më 28 shtator 2002, që atëherë e deri në vitin 2009 (23 tetor, për të qenë të saktë) ka bërë lloj-lloj punësh. Të gjitha të ndershme: transport invalidësh, ngarkim-shkarkim pakosh, pizzaiolo, dhe pjatalarës. Vetëm një herë ‘ia ka hedhur’ padrejtësisht dhe e rrëfen: “Në stacionin hekurudhor Roma Termini mora një birrë dhe një panine e baristi nuk ma mori faturën. Treni u vonua. Pas një ore kisha prapë uri. Me të njëjtën faturë mora një tjetër birrë e një tjetër panine”. Sikur heq një peshë nga shpatullat. Pse Bledar-ët nuk janë akoma të shumtë në Shqipëri? “Miqve të mi, të rinjve të moshës sime – thotë me ironi – u mungon njohjam e ashtuquajtura know how. Mendojnë vetëm me “kopjo dhe ngjit”. Dikush hap një bar, e pastaj edhe një tjetër, e një tjetër akoma”. Ka të drejtë. Mjaft të hedhësh sytë rreth e rrotull. Në të gjitha rrugët e Shqipërisë sheh bare, njëri pas tjetrit. (G. Ruggiero)

Lexo edhe: Guri i rende ne vend te vet /2

Guri i rende ne vend te vet /3

Gaia që fiton vetëm çmime të para

Guri i rëndë në vend të vet / 2