in

Hakmarrja përgjak Tiranën

Vritet në mes të Tiranës për gjakmarrje 71 vjeçari Mark Shkreta. Djemtë e tij kishin vrarë pak kohë më parë në Mamurras 9-vjeçarin I. Llani

Tiranë, 19 korrik 2012 – Ka kaluar veç një muaj  kur hasmëria mes familjeve i mori jetën 17 vjeçares Marie dhe gjyshit të saj Kolë Qukaj, e sot në mëngjes, për të njëjtën arsye, përgjaken rrugët e Tiranës. Këtë radhë viktima është Mark Shkreta, 71 vjeç.

Mark Shkreta, babai i dy vëllezërve Shkreta,  të cilët ekzekutuan pak kohë më parë në Mamurras 9-vjeçarin I. Llani dhe plagosën xhaxhain e tij,  Muharrem Llani, banues ne Mamuras,është vrarë me armë zjarri. Sipas policisë, ngjarja ndodhi sot, rreth orës 06.30, në rrugën Hoxha Tahsim pranë farmacisë nr.5 në Tiranë.  

Viktima është babai i Oligert dhe Maringlen Shkretës, të cilët janë arrestuar për vrasjen e një fëmije 9-vjeç dhe plagosjen e një shtetasi, ngjarje e ndodhur para 2 muajsh në Mamurras.

Nga hetimet paraprake dyshohet se autor i vrasjes të jetë Jetmir Llani, 33 vjeç, banues në Mamurras,  ndërsa motivet e saj duhen kërkuar te hakmarrja, pasi para 2 muajsh djemtë e viktimës i kanë vrarë Jetmir Llanit djalin 9-vjeç, dhe i kanë plagosur vëllain. Policia, bashkë me Prokurorinë e Tiranës po punojnë intesivisht në drejtim të dokumentimit ligjor të kësaj ngjarjeje, lokalizimin dhe kapjen e autorit Jetmir Isuf Llani, i cili është shpallur në kërkim.

Sipas shifrave të dhëna së fundmi nga Top Channel gjatë vitit të kaluar, përqindja e vrasjeve për gjakmarrje shënuan rekordin e 8 viteve të fundit duke arritur në pesë për qind të vrasjeve zyrtare. Shtatë persona humbën jetën si rezultat i këtij fenomeni, nga 134 në total që regjistroi Shqipëria vitin e shkuar.

Por, lexohet më tej në materialin e përgatitur nga televizioni në fjalë, “si pasojë e vrasjeve u detyruan të ngujohen edhe 4 familje te tjera. Vrasja për gjakmarrje ka regjistruar në vend shifrën 0 sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme vetëm në vitet 2008 – 2009, por shpeshherë opozita akuzon në komisionet e ndryshme parlamentare se manipulohet me këtë statistikë, ndërsa deputetët e mazhorancës nuk e konsiderojnë këtë fenomen si një rrezik real për shoqërinë…

Një studim i para tre viteve, organizuar nga Forumi i Mendimit të Lirë me mbështetjen e Ambasadës Amerikane, tregonte se në qarkun e Shkodrës ishin te ngujuara 84 familje, me rreth 400 persona nga te cilët 94 fëmijë. Me ndryshimet e bëra pesë vjet më parë, Kodi Penal parashikon si vepër penale detyrimin për ngujim dhe dënon kërcënuesit me 3 vjet burg e 1 milion lekë gjobë. Por deri tani, askush nuk është dënuar në bazë të këtij neni, e madje asnjë hetim zyrtar nuk është hapur edhe pse është dokumentuar zyrtarisht numri i familjeve të ngujuara”.

Elbasani i shpreh mirënjohje vajzës së tij, Enis Xhepës, për rezultatet e larta në ShBA

Ismail Kadare hedh në gjyq Nexhmije Hoxhën