Rama: Prania e 170 ndërmarrjeve italiane, themel për rritjen e bashkëpunimit
Duke marrë fjalën në ceremoninë e çeljes së Javës italiane në Shqipëri, Kryeministri vërejti se në Shqipëri mund të fitohet më shumë se në Itali, pasi paguhen shumë më pak taksa dhe ka më pak burokraci. “Po ashtu, në Shqipëri ka shumë më tepër nevojë për punë dhe shumë më pak kosto të punës se sa në Itali”, shtoi Rama.
“Ne besojmë shumë se nëse do të arrijmë të kapërcejmë murin e paragjykimeve, në katër vitet e ardhshme do të kemi një transformim rrënjësor të këtij volumi”, u shpreh kryeministri.
Rama u shpreh kritik, se megjithë lidhjet e natyshme mes shqiptarëve dhe italianëve, apo dëshirën e mirë për bashkëpunim mes dy palëve, “shifrat e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare mes Italisë dhe vendeve të rajonit tregojnë se ne jemi të fundit”.
“Jemi të parët në dashurinë për Italinë, por të fundit në shkëmbimet tregtare. Jemi vendi më i afërt me Italinë, ndërsa të tjerët duhet të kalojnë përmes nesh, por jemi më vendi i largët në radhën e vendeve që shkëmbejnë mallra e kapital me Italinë. Dua të shpresoj shumë që prania e 170 sipërmarrjeve këtu për këtë Javë të rëndësishme Italiane është një gur themeli për të bërë të mundur që Shqipëria të jetë realisht vendi ku një fluks i ri investimesh italiane do të derdhen”, shprehu optimizëm kryeministri.
Në kuadër të nxitjes së shkëmbimeve me Italinë Rama foli për një problem të vjetër që duhet zgjidhur, siç është ai i një takse transporti diskriminuese, që daton nga viti 1958. “Kjo taksë qëndron aty si një pengesë shumë e madhe për investitorët që transportojnë mall në Itali dhe që u duhet të paguajnë një taksë katër-pesë herë më të lartë se gjithë transportuesit e tjerë në rajon”, tha ai.
Kryeministri u ndal tek angazhimi i qeverisë për nxitjen e klimës së biznesit vendas dhe të huaj dhe krijimin e perspektivave të reja për të, përmes krijimit të strukturave të posaçme, si Këshilli Ekonomik Kombëtar, ndërsa është në formim e sipër Këshilli Kombëtar i Investimeve.
“Po ashtu kemi krijuar grupin e nxitjes së biznesit italian, i mbështetur nga deputetë të Kuvendit, që janë një lloj ‘eskorte politike’ për lehtësimin e komunikimit me investitorët, duke ushtruar presion pozitiv mbi qeverinë për të gjitha rastet kur duhen përgjigje që vonojnë.
Kryeministri vuri në dukje angazhimin e qeverisë, se krahas interesimit për biznesin fason, të nxisë investimet italiane edhe në sektorin e energjisë, të minierave, turizmit e veçanërisht bujqësisë. “Momenti kur investitorët italianë do t’i kthejnë realisht sytë nga bujqësia dhe do të shohin nga afër potencialin e madh të zhvillimit dhe përfitimit në këtë sektor ne do të kemi të njëjtin efekt zinxhir si në sektorin e manifakturës”, tha Rama.