Qyteti i lashtë bregdetar
I dyzuar mes lartësisë që ofron relievi i tij shkëmbor dhe butësisë së krijuar nga bregu i detit, Ulqini, qyteti i lashtë ilir, shtrihet nga Kepi Mendrës në veri, deri ku lumi Buna derdhet në Detin Adriatik.
Është konsideruar si një nga qytetet më të vjetër të pellgut të Adriatikut dhe për shkak të pozitës së tij gjeografike, që nga parahistoria e deri në fund të shekullit të XIX, ai ka qenë i joshur nga shumë pushtues. Disa kanë qëndruar gjatë në këtë qytet, disa më shkurt, por të gjithë kur vizitonin Ulqinin duket se kanë lënë gjurmët e tyre.
Pjesë e perandorisë romake, më pas e asaj bizantine, në shekujt XII-XIV, pjesë e perandorisë Serbe, kohë nga e cila kanë mbetur shumë kisha, Ulqini u mor nga Venedikasit në vitin 1415.
Historikisht banorët e këtij qyteti kanë qenë të lidhur me aktivitetin e tyre si detarë, tregtarë dhe zejtarë. Pas vendimeve të Kongresit të Berlinit në vitin 1880, Ulqini me periferitë e tij deri në lumin Bunë, iu bashkua Malit të Zi, një republikë e vogël e përbërë nga 650.000 mijë banorë. Pikërisht, në atë periudhë njihen edhe shpërnguljet më të mëdha të ulqinakëve drejt qytetit të Shkodrës dhe rrethinave të saj.
Sipas të dhënave historike, rreth 81 trungje familjesh migruan nga Ulqini, ndërkohë që bombardimi i vitit 1944 shënoi një migrim të dytë të madh nga Ulqini drejt Shkodrës. Për mbi 40 vjet, ulqinakët që jetonin në Shkodër nuk mund të shkonin në vendlindjen e tyre dhe qyteti i tyre u kthye për ta në një gojëdhënë të ndaluar.
I njohur në antikitet me emrin ”Colchinium” dhe më pas i përmendur nga historiani romak Tito Livio me emrin Olcinium, sipas shumë gjasave, Ulqini mendohet të jetë banuar nga banorë që i takonin fisit ilir të labeatëve, që shtrihej rreth Liqenit të Shkodrës, dikur Liqeni i Labeatëve.
Ai mori pamjen që ka ka sot, si një qytet-plazh buzë detit Adriatik, rreth viteve ’70, kur udhëheqësi jugosllav, Tito, kreu një sërë investimesh në këtë zonë.
Banorët tregojnë se edhe shtëpitë e vendosura në kalanë e Ulqinit, ku janë gjetur gjurmët më të lashta të këtij qyteti, u rehabilituan pikërisht në atë periudhë. Të veshura me rrasa guri gri, ato duken mëse të mirëmbajtura. Ndërsa një shoqatë është krijuar enkas për të mbrojtur këtë pasuri, ku si vlerë vërtet e rrallë konsiderohet një beden ilir, i gjetur në shtresat e thella të platesë së kalasë.
Në një bllok guri, i ruajtur në bedenin mesjetar, i cili dominon mbi gjirin dhe Molon e Ulqinit, figuron ende një reliev me konture primitive dhe arkaike, që sipas historianëve, paraqet perëndinë lokale të detit, apo zotin ilir të detit si mbrojtës të qytetit bregdetar.
Por, që kur u pushtua për herë të parë nga turqit në vitin 1393, ai hyri në sferën e ndikimit orientolo-islam dhe nën këtë ndikim u themeluan shumë objekte fetare.
I konsideruar si një plazh shkëmbor, por edhe ranor, (plazhi i Madh rreth 13 kilometra i gjatë), përgjatë shumë viteve në Ulqin pushonin kryesisht shqiptarët e Kosovës dhe më pak të Maqedonisë.
Rreth 10 vite më parë, Ulqini filloi të preferohej dhe të vizitohej edhe nga shqiptarët e Shqipërisë, të cilët vitet e fundit shënuan pikun e preferencës së tyre për të kaluar pushimet në këtë qytet, dikur ‘mollë e ndaluar’ për shqiptarët.
Por, nuk janë të paktë shkodranët e vendosur këtu në Ulqin. Dikush është martuar, dikush është punësuar, dikush ka hapur ndonjë tregti. Në baret e pafund buzë detit në klubet e natës shumë artistë shqiptarë interpretojnë këngë tradicionale të Shqipërisë, këngë tipike të Kosovës, këngë tradicionale të kësaj zone.
Në maj të vitit 2006 në një referendum, rreth 55,4% votuan pro pavarësisë së Malit të Zi duke shënuar shpërbërjen përfundimtare të Jugosllavisë dhe njëherazi edhe pavarësinë e Malit të Zi, ku jetojnë veç shqiptarëve dhe malazezëve, dhe boshnjakë dhe romë etj.
Aktualisht, Ulqini banohet nga rreth 40 mijë banorë dhe mbi bazë të statistikave llogaritet që mbi 7% të jenë shqiptarë.