Në një takim me banorë të Pogradecit, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, nuk harron të theksojë detyrimin që kanë shqiptarët për të mos abuzuar me liberalizimin e vizave
Pogradec, 20 tetor 2010 – “Lëvizja e qytetarëve shqiptarë pa viza do të thotë qëndrim jo më shumë se 90 ditë në harkun kohor të 6 muajve në vendet e Bashkimit Evropian, pasi në të kundërt ata do t’u nënshtrohen penaliteteve”, u shpreh Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, në një takim që zhvilloi sot me banorë të qytetit të Pogradecit, në kuadër të fushatës informuese për procesin e pritshëm të liberalizimit të vizave afatshkurtra.
Sipas ATSh-së, në takimin e organizuar në qendrën kulturore “Lasgush Poradeci”, kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se zbatimi i ligjeve të vendeve që do të liberalizojnë vizat, është jo vetëm kusht, por edhe lartësim i dinjitetit të qytetarëve shqiptarë. Ai ka informuar banorët e Pogradecit për punën e qeverisë shqiptare për liberalizimin e vizave, që filloi me përshtatjen e shumë ligjeve me vendet evropiane, me pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike, me forcimin e kapaciteteve të disa agjencive ligjzbatuese, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe forcimin e regjimit të kufirit.