Zëvendës kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti konsujt shqiptarë nga vendet e BE dhe të rajonit. Mbarëvajtja e aplikimit për pasaportat biometrike dhe ngritja e Shtëpive kulturore për shqiptarët, në qendër të bisedës
Tiranë, 30 shtator 2011 – Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti në takim konsujt shqiptarë në vendet e BE-së dhe të rajonit, ka njoftuar zyra e shtypit e MPJ-së. E pranishme në këtë takim ka qenë edhe shefja e misionit të Organizata Ndërkombëtare e Migracionit (IOM) në Tiranë, Elisa Tsakiri.
Ministri Haxhinasto ka theksuar se një nga përparësitë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe përfaqësive konsullore shqiptare kudo në botë, ka qenë dhe mbetet shërbimi cilësor për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit. Ai e vuri theksin te domosdoshmëria e rritjes së numrit të shërbimeve, të cilat, përveç veprimeve të përditshme konsullore, duhet të përfshijnë edhe asistencën ligjore për shqiptarët kudo ku ata jetojnë.
Sipas ministrit, dhënia e pasaportave biometrike në Ambasadat Shqiptare në Greqi dhe Itali është një histori suksesi e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Haxhinasto bëri të ditur se në kuadër të zgjerimit të shërbimit konsullor dhe për t’i shërbyer më mirë emigrantëve shqiptare po shqyrtohet hapja e konsullatës shqiptare në Kretë.
Një objektiv i punës dhe aktivitetit konsullor të Ministrisë së Punëve të Jashtme, tha shefi i diplomacisë shqiptare, do të vazhdojë të jetë hapja me përparësi e “Shtëpive Kulturore për Shqiptarët”, dhe i mësimit të gjuhës shqipe, fillimisht në vendet ku komuniteti shqiptar është më i përqëndruar dhe pastaj do përdoret si model për t’u shtrirë në vende të tjera.