in

“Trashëgimia e një Princi” në ekspozitë

Mbretërimi jetëshkurtër i Princ Vidit është prezantuar në ekspozitën “Trashëgimia e një princi”, me fotografi, skica, dokumente e kartolina nga libri “Princi i shqiptarëve”,  i autorëve Artan Lame dhe Petraq Gramo.

Tiranë 29 shtator 2011 – Libri “Princi i shqiptarëve” i promovuar pasditen e sotme në Muzeun Historik Kombëtar, aty ku dhe është çelur ekspozita “Trashëgimia e një princi”, që përmban 270 imazhe të periudhës së Princ Vidit, 80 prej të cilave botohen dhe ekspozohen për herë të parë. 

“Princi i shqiptarëve” sjell imazhe të panjohura të Princit, që Lame i ka siguruar nga arkivi i tij personal, por dhe foto që ndodhen në pronësi të koleksionistëve shqiptarë. Por libri nuk përqëndrohet vetëm tek Vidi, por sjell edhe një panoramë të situatës kaotike të Shqipërisë së sapokrijuar.
Libri, i konceptuar si album, ku çdo foto ka shpjegimin përkatës, përmban fotografi, skica, dokumente, kartolina e karikatura, të mbledhura nga Arkivi Qendror Shtetëror, Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit, Arkivi i familjes Vid, koleksioni i Misionit Ushtarak Holandez, etj.   
“Princi i shqiptarëve” ka një parathënie nga Nikolaus Roth, kryetar i Bashkisë të Neuwied në Gjermani, i cili ka qenë kryeqyteti i Principatës mesjetare të qeverisur nga familja e Princ Vidit që nga shekulli XII.

Sipas Artan Lames, ky mbretërim nuk funksionoi për njëmijë arsye, por mbi të gjitha për shkak të humnerës kolosale të krijuar ndër qindra vjet midis qytetërimit europian, ku po i fusnin shqiptarët, dhe atij otoman, prej nga po dilnin. “Mënyra më e thjeshtë për ta kuptuar këtë gjë me sa më pak fjalë, është imazhi. Pikërisht përmes imazheve, ky libër përpiqet të dokumentojë këtë përpjekje”, u shpreh Lame.

Bashkëautori Petraq Gramo, i cili ka mundësuar sjelljen në Shqipëri të një pjesë të fotografive dhe disa dokumenteve të tjera të Arkivit të Familjes Vid, tha gjatë promovimit të librit, se ky libër erdhi si nevojë për të plotësuar boshllëkun e një periudhe historike të patrajtuar. 

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi, e cilësoi librin si një vepër me karakter të mirëfilltë historik. “E gjithë kjo lëndë e pasur që nuk qarkullon në letërsi, gjendet e shpalosur në faqet e librit të Artan Lames”, tha Malltezi. 

 

Italianët numërohen. Edhe emigrantët

Haxhinasto: “Shërbimi cilësor për emigrantët, përparësi e MPJ-së”