in

Heqja e vizave. Basha: “Edhe agjencitë turistike të informojnë qytetarët”

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha u ka kërkuar edhe operatorëve privatë turistikë  bashkëpunim për informimin e qytetarëve lidhur me të drejtat dhe detyrimet, që rrjedhin nga procesi i liberazimit të vizave në zonën “Shengen”

Tiranë, 19 nëntor 2010 – Agjencia e lajmeve ATSh njofton që në vijim të fushatës informuese që ka ndërmarrë mbi të drejtat dhe detyrimet që dalin pas procesit të liberalizimit të vizave, ministri Basha zhvilloi një takim  me operatorët turistikë, ku ndër të tjera, sqaroi të gjitha rregullat që shqiptarët duhet të respektojnë për të lëvizur lirshëm dhe kërkoi angazhimin e agjencive turistike për informimin e klientëve mbi lëvizjen e lirë.

Duke theksuar se janë pikërisht agjencitë e udhëtimit, operatorët turistikë, ata që do të përballen me fluksin e qytetarëve që do të udhëtojnë në zonën Shengen, Ministri Basha kërkoi që bashkëpunimi të konkretizohet dhe të jetë sa më operativ me autoritetet policore që do të vënë numra telefonikë në dispozicion të agjencive turistike për informacione dhe sqarime të nevojshme që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë

Basha tha se “Policia e Shtetit, në veçanti Departamenti i Kufirit, në bashkëpunim me ekspertë të BE-së po përgatisin një manual ku do të tregohen të gjitha detajet dhe procedurat e kalimit të kufirit për në zonën “Shengen”. Tha gjithashtu se po përgatitet Pyetësori për rregullat që duhet ndjekur për të lëvizur lirshëm, ndërsa policia kufitare po trajnohet dhe ka nisur nga puna për këtë pyetësor. 

“Lëvizja e lirë në zonën Shengen do të kryhet vetëm me pasaportën biometrike dhe qytetari duhet të respektojë afatet e qëndrimit”, theksoi mes të tjerash Basha.

Prej mëse një muaji, ministri i Brendshëm po zhvillon takime grupe të ndryshme qytetarësh, si nxënës, studentë, etj, për t’u shpjeguar procesin e liberalizimit të vizave ku në përgjigje të pyetjeve, ka informuar mbi të drejtat dhe detyrimet. Basha gjithashtu ka theksuar se të gjitha ata qytetarë të cilët do të abuzojnë me liberalizimin e vizave do të “goditen” me rreptësinë më të madhe.

Lexo edhe: Heqja e vizave është realitet

 

Një milion të mitur “të huaj”, mëse gjysma kanë lindur këtu

Shkurtohet personeli, zgjatet pritja për të marrë dokumentet