in

“Hera e parë”. Kledi, Anbeta & Co. në një spektakël galà në Brancaccio për Jubileun e Pavarësisë

 Në Romë, festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë mbyllen  me spektaklin galà “Hera e Parë” që do të mbahet në Brancaccio më 9 dhjetor 2013 në orën 21. Është ideuar nga Kledi Kadiu e Anbeta Toromani që kanë mbledhur për të festuar së bashku disa ndër balerinët shqiptarë më në zë në botë

Romë, 18 tetor 2013 – Në kuadrin e veprimtarive për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, mbërrin më 9 dhjetor në Teatrin Brancaccio të Romës, spektakli galà përmbyllës i festimeve të jubileut. Është një shfaqje baleti, e ideuar si homazh për Atdheun nga Kledi Kadiu e Anbeta Toromani me titull “Hera e Parë”. Spektakli organizohet nga Ambasada e Shqipërisë në bashkëpunim me Agon Channel dhe Toto Holding.

Nën drejtimin artistik të Gentian Dodës, balerinët shqiptarë ndër më të famshmit në botë, Anbeta Toromani, Kledi Kadiu, Erjon Kruja, Brigel Gjoka, Hektor Budlla, Leart Duraku, Rezart Stafa, Dorian Grori, e miqtë e tyre Claudia Vecchi, Beatriz Uhalte Cisneros, Alessandro Macario do të sjellin në skenë pjesët e tyre më të arrira.

“U bënë 20 vjet që balerinët e brezit tonë janë shpërndarë nëpër botë, e prej kohësh e mendonim me Anbetën të mblidheshim të gjithë bashkë në një spektakël dedikuar vendit tonë ku të gjithë ne hodhëm hapat e parë”. – tregon Anbeta Toromani për Shqiptari i Italisë. “Rasti i 100-vjetorit të Pavarësisë na u duk i shkëlqyer, dhe menjëherë i propozuam idenë tonë Ambasadës që u tregua e gatshme të jepte kontributin e saj aktiv në organizim” shton Kledi Kadiu.

E kështu, Kledi e Anbeta kanë nisur vjet përpjekjet konkrete për të gjetur një teatër prestigjioz e një datë të mundshme sa më afër asaj të festës kombëtare që këtë nëntor përkon me mbylljen e festimeve të vitit jubilar.

“Që të gjithë miqtë e kolegët tanë pranuan me kënaqësi idenë tonë dhe u treguan menjëherë të gatshëm për të qenë pjesë e këtij spektakli – tregon Kledi. – Janë të gjithë të angazhuar me kompani baleti ndër më prestigjiozet në botë si Hofesh Shechter Company, The Forsythe Company, Aterballetto, Balletto di Roma, Teatro san Carlo di Napoli, Compañía Nacional de Danza, Balletto Classico Così Stefanescu, Balletto  di Montecarlo, e megjithatë, në emër të Shqipërisë, gjetën mënyrën që më 9 dhjetor të jenë në skenën e teatrit Brancaccio në Romë”.

“Uroj që salla të jetë plot e të gjithë bashkë të festojmë Atdheun” thotë Anbeta, ndërsa Kledi shton me optimizëm: “Është ‘Herë e Parë’, siç e thotë edhe titulli i spektaklit, dhe uroj të jetë i pari i shumë të tjerëve”.

Kledi, Anbeta & Co. ftojnë të gjithë më 9 dhjetor (ora 21.00) në Teatrin Brancaccio të Romës. Për informacione e bileta, mund t’i drejtoheni Teatrit Brancaccio (Via Merulana, 244, 00185 Roma – Tel 06.80687231/2, Fax 06.80687235, www.teatrobrancaccio.it).

Keti Biçoku

Lecce. Deti nxjerr në breg kufomën e të riut Mario Jaku

Diplomat e lehta të universiteteve shqiptare