Pas suksesit të korrur dhjetorin e shkuar në teatrin Brancaccio të Romës, më 5 maj 2014 Anbeta Toromani, Kledi Kadiu e balerinë të tjerë të famshëm në katër anët e botës, do të kthehen me “Hera e Parë” atje ku e nisën karrierën e tyre, në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.
Anbeta e Kledi do të çojnë spektaklin Hera e Parë në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Të hënën, më 5 maj 2014, ora 20.00.
Spektakli, i ideuar nga Kledi Kadiu e Anbeta Toromani, nën drejtimin artistik të Gentian Dodës, do të bashkojë edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, aty ku hodhën hapat e parë të karrierës, balerinët shqiptarë ndër më të famshmit, Anbeta Toromani, Kledi Kadiu, Erjon Kruja, Brigel Gjoka, Hektor Budlla, Leart Duraku, Rezart Stafa, Dorian Grori, e miqtë e tyre Claudia Vecchi, Beatriz Uhalte Cisneros, Alessandro Macario. Janë të gjithë artistë të angazhuar në kompani baleti, ndër më prestigjiozet në botë si: Hofesh Shechter Company, The Forsythe Company, Aterballetto, Balletto di Roma, Teatro san Carlo di Napoli, Compania Nacional de Danza, Balletto Classico Cosi Stefanescu, Balletto di Montecarlo.
Kishte lindur pikërisht si një homazh për vendlindjen në 100-vjetor të pavarësisë. “U bënë mëse 20 vjet që balerinët e brezit tonë janë shpërndarë nëpër botë, e prej kohësh e mendonim me Kledin të mblidheshim të gjithë bashkë në një spektakël dedikuar vendit tonë ku të gjithë ne hodhëm hapat e parë” – tregonte Anbeta Toromani për Shqiptari i Italisë para dhënies së spektaklit në Romë.
Krijimi i mundësisë për dhënien e “Herës së Parë” edhe në Shqipëri është “një mrekulli”. “Jemi të lumtur që arrijmë të kthehemi të gjithë bashkë atje ku e nisëm. Jemi entuziastë” thotë sot Kledi Kadiu për shqiptariiitalise.com, që falënderon në mënyrë të veçantë “Ministrin e Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe Ministren e Kulturës Mirela Kumbaro, të cilët e mbështetën fort këtë nismë, Ambasadën italiane në Shqipëri e Institutin italian të Kulturës, si edhe Delegacionin e BE-së në Tiranë e qendrat e tij të informimit në Shkodër e Vlorë”.
K.B. Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)