in

Heroinat e vështira të Luli Bitrit

Në filmin Amnistia të Bujar Alimanit, aktorja Luli Bitri luante të shoqen e një të burgosuri, në filmin e ri italian “Dimmi che destino avrò”, të regjisorit Peter Marcias, luan rolin e Alinës, një vajzë rome që e kthyer për ca kohë pranë njerëzve të saj, bën hesapet jo vetëm me të tjerët por edhe me veten, emocionet e saj më të thella, ëndrrat, dëshirat, me vetë identitetin e saj

Romë, 7 nëntor 2012 – Merr pjesë në seksionin “Festa Mobile” të Festivalit të Filmit në Torino dhe më pas  do të jetë në sallat e kinemave italiane filmi “Dimmi che destino avrò” i regjisorit Peter Marcias, me skenar të Gianni Loy-t dhe me protagonistë, Luli Bitrin në rolin e Alinës, një vajzë rome, dhe Salvatore Cantalupo, aktor napoletan i vlerësuar shumë vitet e fundit, në rolin e një komisari policie.

Së fundi, Luli Bitrin që jeton mes Torinos, Romës e Tiranës, e kemi parë në rolin e Elsës në filmin Amnistia të Bujar Alimanit. Elsa ishte një grua e fortë, me shumë halle e dashuri për jetën: me burrin në burg, me dy fëmijë për të rritur, gruaja e re duhet të luftojë për të gjetur rrugën e saj mes respektit për familjen, dashurisë për fëmijët, dhe pasionit për një thuajse të panjohur. Ashtu si ajo edhe Alina është një heroinë e vështirë. Është një vajzë rome e shkolluar që nga kampi i Sardenjës ku jeton familja e saj është transferuar për punë në Paris ku punon në fushën sociale, për mbrojtjen e të drejtave të të emargjinuarve. “Dimmi che destino avrò” (Më thuaj ç’fat do të kem) ka në qendër pikërisht figurën e Alinës, të cilës kthimi në kamp, i vlen si arsye për të parë veten, emocionet më të thella, ëndrrat dhe dëshirat por edhe identitetin e saj të vërtetë.

Për të hyrë sa më mirë në këtë rol, Luli Bitri tregon për shqiptariiitalise.com se jetoi për një muaj në një kamp romësh. “E ndieja të nevojshme të qëndroja mes romëve për t’i kuptuar më mirë. Mësova më parë edhe disa fjalë në gjuhën e tyre e dhe ndenja me ta mëse një muaj, nga mëngjesi në darkë në një kamp romësh, shoqërohesha me ta, flisja dhe haja me ta. Pak nga pak, me kalimin e ditëve nisën të më trajtonin si njeriun e tyre, të hapeshin me mua. Për disa prej tyre, ata me të cilët bëra më shumë miqësi, ruaj kujtime shumë të mira”.

Një ngjarje kronike e ndodhur në kamp sjell takimin dhe vënien përballë të Alinës dhe një komisari policie i luajtur nga Cantalupo (një ndër rolet e tij më të spikatura, ai i rrobaqepësit në filmin Gomorra të Matteo Garrones). Dy botë që ndeshen, që fillimisht i ruhen njëra tjetrës e janë të mbyllura secila në vetvete, e më pas njihen e afrohen, duke u lidhur në një miqësi të ngrohtë. “Nga njëra anë Alina e njerëzit e saj që nuk kanë shumë besim te të tjerët, nga ana tjetër janë të tjerët që shohin ndryshe romët. Por edhe vetë komisari i policisë, pjesë e të tjerëve, ruan të fshehtat e tij personale, ka anët e tij që nuk dëshiron të shohin të tjerët.” tregon Luli Bitri. Filmi trajton pikërisht këtë përplasje mes kulturash, mes atyre që ndihen vendas e të tjerëve që shihen si të huaj, të ardhur, si ndryshe.

“Një emigrant e kupton më mirë këtë përplasje. Shumë prej shqiptarëve që jetojnë në Itali – shpjegon Luli – janë ndier ndonjëherë të huaj, të mënjanuar, apo edhe të padëshiruar. Janë parë pa shumë besim, ndonjëherë me frikë apo me përbuzje. Nga ana tjetër ka shumë emigrantë që, veçanërisht në fillim, janë të mbyllur, kanë pak besim te italianët, i mbajnë larg ata. Ndaj në këtë aspekt Alina e njerëzit e saj kanë pak a shumë problemet e emigrantëve”.

Luli ndërkohë vazhdon të shijojë suksesin e filmit “Amnistia” të Bujar Alimanit  ku luan rolin e Elsës që këto ditë shfaqet në Tiranë në kuandrin e Festivalit Shqiptar të Filmit. Para pak javësh, u vlerësua me çmimin për Aktoren më të mirë në festivalin ndërkombëtar të filmit East West (1-7 tetor 2012), në Orenburg të Rusisë, si ‘aktore që arrin të transformohet e të veshë petkat e një gruaje që është shumë larg Lulit reale qoftë nga jeta që bën e qoftë nga bukuria’. Filmi i Alimanit ka korrur sukses në arenën ndërkombëtare, e bashkë me të edhe Luli Bitri për të cilën çmimi i marrë në Orenburg është i treti çmim ndërkombëtar për rolin e Elsës, pas atij të marrë në Festivalin ndërkombëtar të Kinemasë në Vernon të Francës dhe tjetrit në Festivalin e Prishtinës Prifilmfest.

 

Obama: “Crediamo in un’America aperta ai sogni dei figli degli immigrati”

Sanatoria. Takimet e para për familjet, ndërmarrjet e punonjësit e huaj