in

I dua shqiptarët

Shqiptarët janë italianët më të mirë që ekzistojnë. Kanë ditur të integrohen, të bashkohen, të ndryshojnë dhe të na ndryshojnë, duke u bërë të padallueshëm pa u asimiluar, pa hequr dorë nga çka janë. Shpresoj vërtet që nesër të kemi një kryeministër me origjinë shqiptare, çfarë Obame! Atëhere ndoshta do të jemi një vend më i mirë.
Nga Matteo Zola, East Journal

Të jesh rritur me pellushin One – atë të Bim Bum Bam për t’u kuptuar, përcjellës ogurzi i filmave vizatimorë japonezë – apo me telefilmat amerikanë të transmeruar nga Fininvest, apo me “Ok il prezzo è giusto”, dhe Iva Zanicchi-n që thërriste “njëqind, njëqind, njëqind”, pra, të jesh rritur dhe edukuar nga ai television i vrazhdë është diçka që la gjurmë në breza të tërë italianësh. Por jo vetëm në ta, por edhe në një brez të tërë shqiptarësh. Ai përfaqësim i bollëkut e fatit, ajo përmbytje dritash dhe biletash të gjelbra që binin nga qielli, ato çmime marramendëse dhe vajza kofshëzbuluara, i ke pas gjithë jetën, si shenjën e një plage. Po, si shenjë. “Nuk dilet gjallë nga vitet ’80”, do të këndonte një bandë pas disa vjetësh. Nuk dilet gjallë, pra, nga një mit i konsumit, nga një falsifikim i realitetit, nga premtimet për mullinj të bardhë që nuk u mbajtën kurrë. Zgjimi ishte i egër.

E pra, e kisha fjalën te shqiptarët. Ata dolën gjallë, mjaftueshëm të paktën. Ata të brezit tim janë pasqyra ime, vetëm me ndonjë gërvishje më shumë. Atyre, kriza iu përplas në fytyrë që në moshë të njomë. Ne besuam vërtet, të paktën për njëfarë kohe, tek ajo ëndërr e trashë dhe fshatareske me mullinj të bardhë, me robotë me qarqet me mijëra valvula, siç besohet te Plaku i Vitit të Ri. Ne patëm atë besim, atë siguri në një të ardhme plot begati. Në vend të fëmijërisë, ata patën diktaturën, realitetin e ashpër të shkatërrimit, psikozën e bunkerëve, deri në 1991-shin të arratisë së madhe drejt “Lamerica”-s. Por atje nuk i priste Iva Zanicchi krahëhapur.

Pati indiferencë, barbari italiane, “t’i hedhim në det”, dhe karamele të tjera të helmuara të një populli racist të rritur në bum ekonomik, me bukë të bardhë, veturë në oborr, pushime në plazhe apo në male, iluzione të një mirëqenieje që ajo shpullë e realitetit të përbërë nga anijet e shqiptarëve vinte në pikëpyetje. Por ata, shqiptarët, fituan. Kjo duhet të jetë arsyeja që sot i admiroj thellësisht ata. Ka ardhur çasti të dal hapur, e them dhe e konfirmoj, unë i dua shqiptarët.

Sepse janë si ne, por më mirë se ne. Janë guximtarë, të këmbëngulës, inteligjentë, dhe janë italianët më të mirë që kam njohur ndonjëherë. Po, italianë. Pa thonjëza. Sepse Iva Zanicchi apo Gira la Ruota vlejnë më shumë se çdo pasaportë. Ata 500 mijë që ka numëruar sivjet ISTAT-i janë italianë – me zemër dhe me mendje. Nuk kanë harruar kurrë rrënjët e tyre, e përse vallë duhet ta bëjnë, dhe provo t’u kritikosh vendin e tyre – ata mundet ta bëjnë, dhe e bëjnë vazhdimisht, por ti as mos e mendosh ta bësh – sepse të nxjerrin sytë. Por e duan vendin tonë, që është edhe i tyri, dhe e përmirësojnë me krijimtari, me shpirt sipërmarrës, pa u ndalur nga parrallat si “tekefundit është e pamundur” që neve, italianëve bij të veturave në oborr, na ngushëllojnë. Për një emigrant nuk ka asgjë të pamundur.

Ata rezistuan, kokëulur, duke punuar për të fituar bukën e gojës dhe respektin derisa nisën të dëgjohen fjali si: “Është shqiptar por është një njeri i mirë”. Ajo “por” ishte shenja e një të care që u hap në ksenofobinë italiane. Sot është e pamundur të mos kesh njohje (miqësi?) me një shqiptar. Dhe kështu që është e pamundur të mos ua kesh parë cilësitë, padyshim më të shumta se të metat.

Askush nuk u ka dhuruar kurrë gjë shqiptarëve. Të gjitha ato që kanë arritur i kanë fituar pak e nga pak. Në flamurin e tyre kryeson një shqipe me dy krerë, dhe kështu besoj se janë edhe ata: një kokë sheh të ardhmen, fëmijët që do të lindin, jetën që kanë dhe që duhet të ndërtojnë në këtë vend drështrënguar në mundësi; koka tjetër sheh të kaluarën, prindërit dhe gjyshërit, Shqipërinë që nuk mund të harrohet dhe që e dëshirojnë të jetë më e drejtë dhe e ndershme me bijtë e saj.

Shqiptarët janë italianët më të mirë që ekzistojnë. Kanë ditur të integrohen, të bashkohen, të ndryshojnë dhe të na ndryshojnë, duke u bërë të padallueshëm pa u asimiluar, pa hequr dorë nga çka janë. U bëmë një vend më i pjekur falë tyre, mësuam që ka edhe të tjerë, mësuam edhe të bashkëjetojmë, mësuam që imigrancioni nuk është një e keqe – po, ka akoma ndonjë që e mendon akoma – mësuam që nuk ekzistojnë mullinj të bardhë. Dhe shpresoj vërtet që nesër të kemi një kryeministër me origjinë shqiptare, çfarë Obame! Atëhere ndoshta do të jemi një vend më i mirë.

Botuar me lejen e autorit

Artikulli në origjinal në East Journal Amo gli albanesi

 

Shqiptarët ia mbathin, politika merret me trenin e fëmijëve te Parku

Mjeku dhe pediatri i familjes, ç’shërbime ofrojnë e a duhen paguar?