Dimri ka hyrë tashmë me të ftohtin e acartë e reshje të dendura bore në mbarë Shqipërinë. Viktima, fshatra të tërë të izoluar dhe pa energji elektrike në Veri të vendit dhe rrugë të bllokuara nga bora e ngricat
Në qarkun e Elbasanit një person ka humbur jetën si pasojë e motit të ftohtë. I riu është nga fshati Banjë i Gramshit dhe është gjetur i ngrirë në rrugë sot në mëngjes. Orges Daja, 38 vjeç është gjetur i ngrirë pranë shtëpisë së tij. Dyshohet se viktima ka pësuar infarkt nga i ftohti, pasi vuante nga zemra.
Mësohet se Orges Daja, i cili ishte i pamartuar dhe jetonte me të atin. Kjo është viktima e dytë në qarkun e Elbasanit. Dy ditë më parë në Elbasan një i moshuar gjeti vdekjen nga atak në zemër. Edhe për të, mjekët thanë se shkak ishin temperaturat e ulëta dhe i ftohti.
Kukës
Reshjet e dëborës kanë pushuar që nga mbasditja e djeshme duke e lënë zonën verilindore nën pushtetin e një të ftohti të acartë.
Trashësia e dëborës në zonën verilindore shkon nga 50 – 80 centimetra. “Janë ende të pakalueshme akset rrugore Kukës – Shishtavec, Kukës – Peshkopi, Kukës – Qafë Shllak – Qafë Mali, Krumë – Bajram Curri, Bajram Curri – Qafë Mali dhe Bajram Curri – Valbonë”, thotë përgjegjësi i zyrës së emergjancave civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema.
Në të gjitha akset rrugore ku është mundësuar lëvizja e mjeteve, përdorimi i zinxhirëve është i domosdoshëm.
Shtresat e akullit dhe trashësia e dëborës, veçanërisht në zonat mbi 700 metër, e vështirësojnë mjaft punën e manovratorëve. Pavarësisht se reshjet e dëborës janë ndalur, vazhdojnë të mbeten të izoluara një pjesë e mirë e komunave si Arrni, Kalisi, Grykë Caja, Zapodi, Ujmishti, Shishtaveci në rrethin e Kukësit dhe Margegajt, Bytycit dhe Lekbibajt në rrethin e Tropojës. Janë të izoluara edhe mjaft fshatra të komunave të Topojanit e Bushtricës e të disa komunave të tjera.
Has
Bllokimi i rrugëve automobilistike dhe mungesa e energjisë elektrike janë pasojat kryesore të reshjeve të borës dhe të të ftohtit të acartë që ka mbërthyer rrethin e Hasit. Edhe pse reshjet kanë pushuar, trashësia e saj ka arritur në 80 centimetra në një pjesë të mirë të fshatrave duke shkaktuar edhe izolimin e tyre.
Zahrishti, Cahani dhe Mujaj, janë jo vetëm të izoluar por edhe pa energji elektrike prej 3 ditësh.
Më e rënduar është situata në komunën e Golajt. Thuajse të gjitha fshatrat e komunës janë të izoluara. Kjo ka bërë që të ndërpritet edhe mësimi. Për shkak të defekteve, fshatrat e Helshanit, Letajt dhe Perajt nuk kanë energji elektrike.
Në komunën e Gjinajt të gjitha fshatrat janë të izoluar nga akulli dhe dëbora dhe pa energji elektrike si rrjedhojë e defekteve të ndodhura në rrjetin shpërndarës. “Kjo ka sjellë edhe mbylljen e shkollave deri në përmirësimin e situatës”, thotë kryetari i komunës, Pëllumb Thaci.
Vlorë
Pas reshjeve të dëborës të ditëve të fundit, ngricat dhe akulli i krijuar si pasojë e rënies së temperaturave dhe erës së ftohtë, kanë shkaktur vështirësi në qarkullimin e automjeteve përgjatë rrugës që përshkon Qafën e Llogorasë, pjesë e aksit kombëtar Vlorë-Sarandë.
Automjetet mund të qarkullojnë, por drejtuesit e tyre janë të këshilluar të përdorin zinxhirët.
Elbasan
Rajoni i Elbasanit është përfshirë mëngjesin e sotëm nga një mot me temperatura të ulëta edhe pse dita ka nisur me diell. “Dëbora që ra paraditen e së martës, ka ngrirë duke shkaktuar ngrica në aksin rrugor Prrenjas–Qafë Thanë. Po ashtu, ngrica dhe vështirësi në qarkullim ka edhe në vendin e quajtur “Kthesat e Murrashit” në hyrje të qytetit të Librazhdit”, bëjnë të ditur burime nga shtabi i emergjencave civile. Në këtë aks mungon kripa dhe skoria, ndaj policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të mos ecin me shpejtësi dhe të mos parakalojnë, pasi ka rrezik që mjeti të humbasë kontrollin si pasojë e ngricave, pasi
Aktualisht është i kalueshëm me vështirësi aksi malor Librazhd Qendër–Qarrishtë, ndërsa aksi Lunik–Stëblevë i kalueshëm vetëm me zinxhirë për shkak të borës.
Gjirokastër
Temperaturat nën 0 gradë Celsius që kanë përfshirë qarkun e Gjirokastrës prej 24 orësh, kanë shkaktuar bllokimin e aksit rrugor kombëtar Jorgucat -Qafë Muzinë, rreth 13 km.
Sipas ATSh-së, segmenti rrugor prej 3 km që ndodhet mbi 500 metra mbi nivelin e detit pothuajse ka ngrirë, duke shkaktuar radhë të gjata të automjeteve në të dyja drejtimet. Një autobus i linjës ndërkombëtare Sarandë-Athinë me targë AA 660 CF, ka dalë nga rruga dhe fatmirësisht të 50 pasagjerët nuk janë lënduar.
Lexo edhe: Shqipëria në darën e të ftohtit polar