in

Shteti i largët

Nga Fatos Baxhaku

Lajmi se pranimi i Shqipërisë me statusin e kandidatit u shty edhe një herë tjetër, me siguri do t’i ketë bërë shend e verë nacionalistët e marrosun që na rrethojnë. Do kohë më parë ishin egërsuar nga disa deklarata nacionaliste të lëshuara në Vlorë e Tiranë nga njerëz tanë me shumë pozitë. Kujtoni këtu deklaratat e ngrysura të diplomacive fqinje, por kujtoni edhe se pas një ndeshjeje normale futbolli dy të moshuar dhe një adoleshente, të tre shqiptarë, u rrahën prej nacionalistëve të çmendur vetëm e vetëm se ishin tifozë shqiptarë të “Shkëndisë”. Shenja fort të këqija në një territor që kishte nisur të qetësohej.

Prej shumë kohësh, ata që nuk kanë dashur që të ekzistojë shteti shqiptar kanë sajuar teorinë e “pamundësisë së shqiptarëve për të bërë shtet”. Kundër kësaj teorie shoviniste e fashiste ne jemi përgjigjur vetëm me studime të ndrojtura historike dhe me parulla të fryra patriotike. Për fat të keq e të trishtë, kemi qenë ne vetë që shumë herë u kemi dhënë argumentet e duhura shovinistëve për të përsëritur e ripërsëritur pafundësisht teorinë e lindur që në mesin e shekullit XIX me “Naçertanijen” e Garashaninit dhe me “Megali Idenë” e Koletis.

Cili ka qenë raporti ynë me shtetin? Nëse fiksojmë si fillim të periudhës moderne shekullin XIX, si kudo në Europë, atëherë marrëdhëniet tona të para në periudhën moderne me shtetin kanë qenë ato të sundimit osman. Shteti ishte diku larg, në Stamboll ku rrinte Padishahu. Një pjesë e maleve që prej kohësh kishin fituar të drejtën e venomeve të tyre dhe nuk para trazoheshin nga osmanët. Malësorët e Veriut, Himara, Mirdita, zona të tëra të padepërtueshme nga pushteti qendror për shekuj me radhë jetuan në një lloj apatizmi primitiv. Shteti ndërhynte fort vetëm kur malësorët, qoftë në Jug e qoftë në Veri dilnin jashtë kontrollit, ose kur këta u kundërviheshin reformave. Ndër qytetet e mëdha sundonin pashallarët, shumica me origjinë shqiptare, Ali Pashë Tepelena e Bushatllinjtë, ose të shqiptarizuar si Vrionasit. Më shumë se minishtete, pashallëqet ishin sundime princërish egoistë e të pangopur, sikurse ishin thuajse të gjithë sundimtarët e asaj kohe. Për sunduesin (për minishtetin nëse mund ta quajmë kështu) njeriu i thjeshtë ishte një hiçgjë, një individ që mund t’ia hiqje kokën sakaq, sikurse mund t’i bëje edhe nderin më të madh.

Pas periudhës osmane, erdhi qeveria e parë e brishtë e Pavarësisë. Sigurisht që për rrethana ndërkombëtare, por edhe me mosnjohjen tonë dhe ndrojtjen ndaj shtetit, që e konsideronim njësoj si beu, na u deshën disa dekada që më në fund të vinte era shtet. Një pjesë e mirë e themeluesve të shtetit shqiptar vinin nga familje hijerënda që kishin pasur privilegje në Perandorinë Osmane. Një pjesë vërtet ëndërronte një Shqipëri moderne dhe europiane vërtet, porse një pjesë edhe më e madhe kishte ndër mendje postet qeveritare, pagat e larta dhe ruajtjen e çifligjeve dhe ofiqeve. Këta ishin oxhaqet e famshme, të përshkruara në mënyrë mjeshtërore nga Eqrem bej Vlora.

Njeriu që mori përsipër të bënte shtet, Ahmet Zogu, nuk e pati aspak të lehtë përpjekjen e tij kolosale. Iu desh të përballonte ndasi fetare e krahinore, armiqësi e ambicie për pushtete të vogla e të mëdha, mentalitetin shekullor të malësorëve për të mos pranuar asnjë autoritet të qendrës. Kjo punë shkoi aq larg, saqë lindi edhe ideja e Mirditës autonome në një Shqipëri një pëllëmbë. Në kohën e republikës së tij presidenciale dhe më pas të Mbretërisë, individi i thjeshtë shqiptar nisi të kuptojë se më në fund ka një autoritet lart tij të cilit duhet t’i nënshtrohet sipas ligjeve. Por sërish shteti ishte diku larg, ndër xhepat e nëpunësve të korruptuar, te dajaku i xhandarit, tek izolimi gjeografik. Shteti deri në atë kohë ishte vetëm një gjë së cilës duhej t’i ruheshe. Ishte, si me thënë, një armik e jo një aleat.

Si kaloi 1944, gjërat ndryshuan edhe më. “Diktatura e Proletariatit” ishte një tjetër dajak i fortë. Edhe sipas modës së kohës në gjysmën e botës, ishte një përpjekje për të krijuar më shumë se shtet, sundimin e një grupi të vogël njerëzish mbi shumicën. Ca nga frika dhe ca nga indoktrinimi që në moshë të vogël, shumica jonë (dhe kjo duhet pranuar plotësisht e jo me gjysmë zëri) këtë realitet e pranoi për plot 50 vjet, mjafton të kujtoni të qarat në ditën kur vdiq Enver Hoxha.

Për shumëkënd, shteti vazhdonte të ishte armiku, por për një pjesë tjetër ai nuk ekzistonte. Ishte partia ajo që vendoste. Kështu vazhdoi deri në 1990, kur gjërat ndryshuan në botën e madhe dhe uria nisi ta gërryejë nga poshtë besimin te partia dhe të rrisë urrejtjen ndaj armikut. Shteti u bë edhe një herë i largët. Ai thuajse nuk ekzistonte në funksionet e tij bazë. Kishte vetëm policë e sigurimsa që vazhdonin, madje me ëndje, të rrihnin dynjanë.

1990 ishte shpresa e madhe e shqiptarëve. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, thërritën studentët e dhjetorit, porse ëndrra tashmë që kanë kaluar më shumë se dy dekada ka mbetur ende e parealizuar. Përse?

Më e para nga të gjitha është ideja jonë e të parit të shtetit nga njëra anë si sundim ndaj të cilit je i pafuqishëm (mileti) dhe nga ana tjetër, e të parit të tij si një mjet për të zhvatur jo vetëm pasuri, por edhe lavdi, një post në histori. Pastaj mbase duket si çudi, por në shumë raste, janë ende në fuqi lidhjet krahinare, farefisnore, edhe fetare, pa folur pastaj për ato politike. Sa herë që ndërrohen partitë në pushtet e pëson edhe nëpunësi më i vogël. Në vend të tij vihet ai që ka lidhje me “beun” e ri. Tani, ëndërrimtarë sikurse jemi, ne patëm guximin dhe aplikuam për vend anëtar të BE-së. Më parë duhej t’i kishim bërë pyetje vetes: a e meritojmë vallë? A jemi shkëputur nga mijëra fijet që na lidhin me qëndrimin anadollak ndaj shoqërisë e shtetit? Përgjigjen na e dhanë vetë europianët. Për sa kohë shteti do të jetë një gjë e largët që mendon vetëm për vete dhe jo për qytetarët ndërsa qytetarët presin me sytë nga Allahu, po aq kohë ëndrra për të qenë i barabartë me një gjerman, danez, italian a grek do të jetë shumë e largët.

Gazeta Shqip

Qeveria Monti dhe kostot e reformave

I ftohti i acartë në Shqipëri. Viktima, errësirë e rrugë të bllokuara