Një djalë shqiptar i jep policisë emrin e tij me të cilin e thërrasin këtu, dënohet për deklarim të rremë me 5 muaj burg
Romë, 29 janar 2014 – E quajnë Sokol por në Itali e njohin si Nicola, apo Josifin si Giuseppe, Hajdarin si Dario, Dritanin si Luciano. Herë pse emri është i vështirë për t’u thënë nga italianët, herë për dëshirën për ta pasur më “italian”, ka plot persona që në Itali thirren jo me emrin që kanë në dokument. Që një gjë e tillë do t’i sillte dënim penal, një i ri shqiptar nuk mund ta kishte imagjinuar kurrë. E aq më tepër duke u sjellë si një qytetar model që denoncon një shkelje në polici.
Ka ndodhur me të vërtetë në Cesiomaggiore të Bellunos ku i riu shqiptar është dënuar së fundi me 5 muaj burg të konvertuara në liri të kontrolluar.
Dy vjet më parë, ka parë që në një lokal të Cesiomaggiores luhej në mënyrë klandestine poker me para. Duke e ditur që është e ndaluar me ligj, telefonoi karabinierët për të sinjalizuar rastin. Kur e pyetën për emrin, pa u menduar shumë u dha atyre emrin me të cilin e njohin në Itali. Por kur u paraqit në kazermë për të dhënë hollësi mbi lokalin e ç’kish parë, karabinierët panë që emri që u kish dhënë në telefon nuk përpuqej me atë të dokumenteve. Shqiptari u përpoq t’u shpjegonte se për kollajllëk e thërrisnin kështu në Itali, se meqë shpesh ia shtrembëronin emrin e vërtetë e kishte “italianizuar” atë. Por karabinierët as nuk i morën parasysh arsyet e tij dhe e kanë hedhur në gjyq me akuzën e deklarimit të tëdhënave personale të rreme ndaj një zyrtari të shtetit.
Ditët e fundit mbërriti edhe vendimi i gjykatës: 5 muaj heqje lirie, natyrisht të konvertuara menjëherë në liri nën kontroll.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)