in

“Imigrantët? Ja pse janë ekonomikisht të vlefshëm për shoqërinë”

Përbëjnë 9,1% të të punësuarve, deklarojnë 40 miliardë euro dhe paguajnë 6 miliardë euro IRPEF. Por janë më të varfër se italianët.
Raporti i Fondacionit Moressa

Romë, 9 nëntor 2011 – Imigrantët përfaqësojnë një pasuri për Italinë. Janë mbi dy milionë punonjësit e huaj, 9,1% e të gjithë të punësuarve, deklarojnë të ardhura për 40 miliardë euro, ose 5,1% të të gjitha të ardhurave të deklaruara, dhe paguajnë IRPEF rreth 6 miliardë euro, apo 4,1% të totales së paguar të këtij tatimi.

Por, imigrantët janë edhe pjesa e popullsisë që më shumë se të tjerët kanë vuajtur pasojat e krizës (norma e papunësisë mes tyre është rritur nga 8,5% në vitin 2008 në 11,6% në vitin 2010),  që janë më të varfër se italianët (3,7% e familjeve të huaja jetojnë nën minimumin e varfërisë) dhe rrogat e tyre janë 300 euro më të vogla se ato të punonjësve italianë.

Këto janë disa nga rezultatet e mbledhura në Raportin Vjetor mbi Ekonominë e imigracionit 2011 të realizuar nga Fondacioni Leone Moressa nën patronazhin e OIM dhe të ministrisë së Jashtme, të paraqitur më 8 nëntor pranë Departamentit të Sociologjisë së Universitetit Bicocca  të Milanos në konferencën “Immigrati: quale valore economico per la società?”

Tregu i Punës

Nga viti 2008 deri në 2010-tën është vërejtur një rritje e papunësisë së imigrantëve me 3,5 pikë përqindjeje, duke shkuar nga 8,1% në 11,6% e duke arritur shifrën absolute të 274 mijë imigrantë pa punë. Kjo do të thotë që në dyvjeçarin e konsideruar, një në çdo katër të papunë është i huaj. Për sa u përket të punësuarve (që janë mbi 2 milionë), pjesa më e madhe janë punonjës të varur (86%) të rinj, kryesisht punëtorë (89,9%), me kualifikim të ulët profesional, në sektorin e shërbimeve (51,3%) dhe në ndërmarrje të përmasave të vogla (53,4% punojnë në ndërmarrje me më pak se dhjetë persona).

Rroga e punonjësve të varur

Një punonjës i huaj fiton në muaj (sipas të dhënave të tremestrit të katërt të vitit 2010) një shipër neto prej 987 eurosh, rreth 300 euro më pak se kolegu italian. Mund të çojë më shumë para në shtëpi imigranti që punon në sektorin e transporteve (1.348 euro në muaj)  ndërsa më pak nga të gjithë ajo që punon në sektorin e shërbimeve ndaj personit (724 euro në muaj).

Të ardhura të deklaruara dhe Irpef

Në Itali numërohen 3,2 milionë taksapagues të lindur jashtë Italisë (të dhëna mbi të ardhurat e vitit 2009) që deklarojnë mbi 40 miliardë euro: që të kthyera në shifra relative, përbëjnë 7,9% të të gjithë kontribuentëve dhe 5,1% të të ardhurave të përgjithshme të deklaruara në Itali. të huajt deklarojnë mesatarisht 12.507 euro (7 mijë euro më pak se italianët) kryesisht nga punë e varur. Në vitin 2009 të lindurit jashtë shtetit kanë paguar rreth 6 miliardë euro Irpef (4,1% të këtij tatimi të paguar në shkallë kombëtare) që përkthehet në 2.810 euro për kokë. Por të huajt përfitojnë më shumë se italianët zbritje fiskale, kryesisht, për shkak të të ardhurave të ulëta: në fakt 64,9% e të lindurve jashtë Italisë që deklaron të ardhura paguan efektivisht Irpef, kundrejt 75,5% e të lindurve në Itali.

Niveli i varfërisë

37,9% e familjeve të huaja jetojnë nën nivelin e varfërisë (të dhëna të vitit 2008), kundrejt 12,1% e familjeve italiane. Të ardhurat e fituara nuk u lejojnë atyre të kursejnë, pasi shpenzimet kapërcejnë, edhe pse pak, të ardhurat familjare. Të ardhurat vijnë në 90% të rasteve nga puna e varur dhe u kushtohen, mes të tjerash, pagesës së qirasë, pasi vetëm 11,3% e të huajve është pronar i shtëpisë ku banon.

Problemet ekonomike

Familjet e huaja deklarojnë më shumë vështirësi ekonomike se ato italiane (të dhëna 2008): 24,8% thotë se arrin me shumë vështirësi në fund të muajit (kundrejt 16,7% e atyre italiane), 24% paguan me vonesë faturat e ujit, gazit, energjisë elektrike (kundrejt 11,2% të italianeve), 58,8% nuk është në gjendje të përballojë një shpenzim të paparashikuar prej 750 eurosh (kundrejt 30,2%) dhe 52,6% nuk mund t-i lejojë familjes së vet një javë pushime (kundrejt 38,6%).

“Mbledhja e analiza e të dhënave mbi impaktin ekonomik të imigracionit” pohojnë kërkuesit e Fondacionit Leone Moressa “mundësojnë ravijëzimin e një profili sa më shumë objektiv të dukurisë së migrimit, në mënyrë që ky të mos jetë pjesë ekskluzive e politikave mbi sigurinë por të njihet edhe si instrument i mirëfilltë zhvillimi ekonomik, begatie dhe konkurrence: në thelb një vlerë ekonomike për shoqërinë”.

 

Për xhelozi, qëllon me sqepar të shoqen dhe të moshuarin për të cilin ajo kujdesej

Transplantimi i veshkës në Torino i shpëton jetën vogëlushes shqiptare