in

Imigrantët? Janë të rinj, punësojnë italianë dhe duan të rriten profesionalisht

Raporti i Cnel-it mbi sipërmarrësit e huaj në Itali. “Kanë zëvendësuar italianët falë dëshirës së madhe për punë”

Romë, 28 nëntor 2011 – Janë të shpërndarë në mbarë Italinë, jo vetëm në zonat e industrializuara të Veriut, janë integruar mirë me ndërmarrjet e vogla italianë, të motivuar dhe të prirë të rrezikojnë, punësojnë personel dhe bashkëpunëtorë italianë e mbi të gjitha dëshirojnë të rriten.

Janë sipërmarrësit imigrantë në Itali, siç del nga hulumtimi i Cnel-it, “Profili kombëtar i sipërmarrësve imigrantë në Itali”, i kryer nga Organizmi Kombëtar i Koordinimit për politikat e integrimit shoqëror të të huajve në bashkëpunim me Departamentin e studimeve shoqërore dhe politike, i paraqitur sot në Romë.

Nga një anketim i 200 sipërmbarrësve Cnel ka marrë identikitin e imigrantit sipërmarrës: është 40 vjeç dhe ka mesatarisht më shumë fëmijë se homologu i tij italian, formim të mirë shkollor (mbi 12 jet studime në atdhe). Jeton në Itali prej 18 vjetësh dhe përkeqësimi i kushteve ekonomike të vendlindjes ka qenë shkaku kryesor i emigrimit. Ka hapur aktivitetin privat për të qenë i pavarur, për të fituar më shumë e për të vënë në punë të gjitha aftësitë e veta. Në rastin më të madh të rasteve është titullar i një ndërmarrjeje në të cilën ka punësuar deri në 5 vetë, kryesisht italianë.

Nga ç’del në dritë nga studimi, pjesa më e madhe e sipërmarrësve të huaj (67%) ka ngritur aktivitetin me kursimet e veta pas një periudhe të gjatë pune të varur. Pjesa më e madhe e konsideron marrëdhënien me italianët më të rëndësishme se ato me bashkatdhetarë apo familjarë. Klientët e furnizuesit janë kryesisht italianë (me dallime të forta sipas sektorit të punës), po ashtu edhe konsulentët e ndryshëm të cilëve u drejtohen (por çështje fiskale, ekonomike, sigurie dhe higjiene).

Ndërmarrjet e vogla të imigrantëve, ashtu si edhe ato të italianëve, konsiderojnë reputacionin element themelor për suksesin e tyre, ndaj bëjnë më shumë për rritjen e cilësisë sesa për uljen e çmimeve, dhe i tremben më shumë konkurrencës së të huajve të tjerë sesa asaj të italianëve.

Kanë të njëjtat vështirësi të ndërmarrjeve të italianëve: janë shumë të vogla përballë krizës, vë në dukje Cnel. Nëse kërkohet që ndërmarrja e vogël të kontribuojë për zhvillimin ekonomik u duhet kërkuar imigrantëve sipërmarrës ajo që u kërkohet edhe italianëve: të rriten. Ka ndihmuar ngritjen e ndërmarrjeve etnike jo vetëm përhapja e madhe në Itali e sipërmarrjeve të vogla e shumë të vogla, por edhe mungesa e rigjenerimit breznor në administrimin e sipërmarrjes italiane, për shkak të motivimit të ulët të bijve, fitimeve të pakta dhe kohës së gjatë të punës. Në këtë situatë, vëren raporti, imigrantët po u zënë vendin autoktonëve falë dëshirës së madhe për punë, që vjen kryesisht nga dëshira për ngritje shoqërore më shumë se ekonomike, dhe nga pritshmëri fitimi më modeste.

Shumë sipërmarrës të intervistuar kanë fituar tashmë qytetarinë ekonomike dhe duken të përfshirë përfundimisht në botën e ndërmarrjeve të vogla që operojnë në Itali. Shpresa është që këto ndërmarrje dalëngadalë të kthehen nga të vogla në të mesme. Ndërsa rruga drejt qytetarisë shoqërore është ende e gjatë e do të përfshijë brezat e bijve të tyre të lindur në Itali, që flasin italisht e studiojnë në shkollat e universitetet italiane, që do të marrin në dorë ndërmarrjet dhe që, ashtu si bijtë e sipërmarrësve italianë, do të kenë problemet e motivimit dhe të transmetimit të aftësive të tyre sipërmarrëse.

 

Aksident rrugor. Vdes nëna e re, rëndë i biri 4muajsh

E shtyp kamioni. Në rrezik jete 47 vjeçarja Çela