in

Imigrantët përjashtohen, karta e blerjeve për më të varfërit përfundon në gjyq

Inca Cgil paraqet ankim kundër kriterit të kartës së qëndrimit të parashikuar nga Mbështetja për Përfshirjen Aktive. “Duhet të mjaftojë një lejeqëndrim i zakonshëm me kohëzgjatje të paktën njëvjeçare”

Romë, 7 tetor 2016 – Ka nisur prej vetëm një muaji, por edhe Mbështetja për Përfshirjen Aktive (SIA – Sostegno per l’Inclusione Attiva) përfundon në gjykatë. Arsyeja është e zakonshmja: edhe masa e re e qeverisë për t’u ardhur në ndihmë më të varfërve përjashton një pjesë të mirë të imigrantëve.

SIA parashikon lëshimin e një karte blerjesh në të cilën shteti ngarkon deri në 400 euro në muaj e që mund të përdoret për të bërë pazarin, për të blerë barna apo për të paguar ujin, dritat e gazin e shtëpisë. Të huajt që jetojnë në Itali, që kanë të ardhura shumë të ulëta e plotësojnë të gjitha kriteret e tjera, duhet të kenë në xhep kartën e qëndrimit apo lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë.

Mbeten jashtë të gjithë ata që kanë një lejeqëndrim “normal”, për shembull për punë apo për motive familjare, edhe pse normativat evropiane thonë se duhet të trajtohen njësoj si italianët nga pikëpamja e shërbimive asistenciale.  Për këtë arsye, Patronati Inca Cgil ka lajmëruar sot një ankim në gjykatën administrative (TAR) të Lazios kundër dekretit të ministrisë së Punës për zbatimin e SIA-s, ankim me të cilin kërkojnë heqjen e kriterit të kartës së qëndrimit.

Duke futur këtë kriter shtrëngues, denoncon patronati, “ligjvënësi nuk ka marrë fare parasysh sentencat e shumta të Gjykatave Evropiane dhe të atyre italiane që përsa u përket shërbimeve asistenciale u kanë njohur të drejtën e përfitimit edhe të huajve mbajtës të një lejeqëndrimi të zakonshëm me kohëzgjatje të paktën njëvjeçare. Është paradoksale që pikërisht kjo kategori e popullsisë, ndër më të rrezikuarat, sot përjashtohet nga masa që kanë për qëllim pikërisht luftën kundër varfërisë”. 

“Është e rëndë të futet ky kriter mbi një tip kontributi që ka për qëllim ndihmën e personave për kapërcimin e varfërisë, aq më tepër kur ekzistojnë një sërë sentencash, më e rëndësishmja ndër të gjitha sentenca Dahbi e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, nënvizon Claudio Piccinini, përgjegjës imigracioni i Inca Cgil. “Ndodh shpesh që bëhemi dëshmitarë të mohimit të të drejtave për të cilat duhet bërë betejë legale”.

Tani e kanë radhën gjykatësit të vendosin nëse të varfërit janë të gjithë të barabartë apo jo”.

EP

 

Futboll. Shqipëria merr kreun e grupit G, ja ç’thonë mediat italiane

Taksa mbi lejeqëndrimin, kaos në pritje të sentencës së re