in

Taksa mbi lejeqëndrimin, kaos në pritje të sentencës së re

Paguhet apo nuk paguhet? “Kush ka mundësi, të presë” këshillojnë nga Patronatet, të paktën deri sa të mbërrijë vendimi i ri i Këshillit të Shtetit. “Imigrantët të çorientuar dhe të nxehur”

Romë, 8 tetor 2016 – Loja me taksën mbi lejeqëndrimet po bëhet aq e vështirë sa po na i merr mendtë.

Kontributi nga 80 deri në 200 € mbi lëshimet dhe përtëritjet e lejeve të qëndrimit, i gjykuar i tepruar plot një vit më parë nga Gjykata evropiane e drejtësisë dhe i hequr nga TAR i Lazios në maj, nga mesi i shtatorit është kthyer sërish në fuqi përkohësisht nga Këshilli i Shtetit, që më 13 tetor duhet të vendosë nëse do të konfirmojë ose jo, gjithnjë përkohësisht, atë vendim. Ndërkaq, kuesturat kërkojnë paratë. Situata bëhet kaotike, qoftë për imigrantët qoftë për ata që i ndihmojnë të paraqesin kërkesat për lejet e qëndrimit.

“Po  këshillojmë ata që duan të përtërijnë lejen e qëndrimit të presin të paktën deri të enjten e ardhshme, kur do të japë vendimin Këshilli i Shtetit. Atyre që kanë urgjencë të paraqesin kërkesën apo që duan të tërheqin dokumentin e gatshëm në Kuesturë, u këshillojmë të paguajnë kontributin thotë për Stranieriinitalia.it Pino Gulia, përgjegjës për imigracionin i pattronatit Aclli, sipas të cilit shumë qytetarë të huaj “janë të çorientuar e nuk arrijnë të kuptojnë çfarë po ndodh”.

E Kuesturat, informojnë? “Kanë vënë lajmërime, por mbi të gjitha u kanë kërkuar të gjitha shoqatave në territor të informojnë imigrantët. Operatorët tanë gjenden mes kudhrës dhe çekanit, janë ata që u dalin përballë imigrantëve. E merrni me mend ç’do të ndodhte nëse do të mbyllnim sportelet e do t’u thonim të gjithëve të shkonin të kërkonin shpjegime në Kusturë…”.

Edhe në sportelet e Anolf Cisl të Milanos rregulli është “kush mundet, të presë” siç konfirmon presidenti Maurizio Bove: “Po të ketë kohë është më mirë të mos rrezikohet që të paguhet taksa e më pas të duhet të kërkohet rimbursimi nëse gjykatësit vendosin ta heqin përsëri. Të huajit, ama, janë ë çorientuar e të nxehur, sidomos ata që kishin paraqitur kërkesë gjatë muajve të shkuar pa paguar e që tani u kërkohet të bëjnë integrimin e praktikës duke derdhur shumën”.

Në të vërtetë, nënvizon Bove, pjesa më e madhe janë të gatshëm të paguajnë një kontribut për lëshimin dhe përtëritjen e lejes së qëndrimit. “Me kusht që të jetë i arsyeshëm. Të paguash 100 euro për një lejeqëndrim që zgjat vetëm një vit është e ekzagjeruar. Nëse nuk duan të ulin çmimet, të paktën të zgjasin vlefshmërinë e lejeve të qëndrimit, duke kthyer ato me kohëzgjatje 2 e 4 vjeçare që ekzistonin para ardhjes në fuqi të Bossi-Finit, në mënyrë që përtëritjet të ishin më të rralla”.

Ndërkaq Inca e Cgil, që kanë çuar përpara ankimin kundër taksës mbi lejet e qëndrimit e që më 13 tetor do të jenë në seancën e Këshillit të Shtetit, vazhdojnë në rrugën e tyre. Pas Ternit, Modenës, Arezzos, Bergamos dhe provincave të tjera italiane, të enjten manifestuan në shesh përpara prefekturës në Firence. “Qytetarët e huaj që takojmë përditë kanë të drejtën e një qëndrimi koherent, të një normative të qartë e në përputhje me sa u takon sipas të drejtës kombëtare dhe asaj evropiane” shkruajnë Maurizio Brotini nga Cgil Toskana dhe Giorgio Cartocci i Inca Cgil eToskana.

“Është e nevojshme t’u japim zë të gjithë këtyre personave që besojnë te ne e të cilët ndihmojmë me praktikat e qëndrimit. Do të bëjmë ç’të mundemi për të çuar përpara të drejtat e punonjësve dhe shtetasve të huaj. Kërkesat e drejta – nënvizojnë Brotini e Cartocci – nuk ndalen as përpara bashkëbiseduesve të shurdhër”.

Elvio Pasca

 

Imigrantët përjashtohen, karta e blerjeve për më të varfërit përfundon në gjyq

Sfida ndaj Spanjës, sfida e italianit De Biasi