in

Imigrantët, protagonistët e rinj të kinemasë italiane

Qëllimi është të mundet frika nga tjetri si temë për të fituar konsensus dhe publik televisiv. Por hendeku mes agjendës mediatike dhe shqetësimeve të qytetarëve mbetet i thellë

Nga Ilvo Diamanti, La Repubblica

Këtë vit në Festivalin e Venecias, kinematografia italiane, pas shumë vjetësh u bë sërish protagoniste. Çmimi i jurisë iu dha filmit “Terraferma” i Emanuele Crialese. Çmimi për veprën e parë më të mirë: “Là-bas” i  Guido Lombardi. Të dy filmat kanë një subjekt të përbashkët: imigrantët. Filmi i Crialeses: eksodin e të dëshpëruarve që ikin nga Afrika Veriore, i parë me sytë e peshkatarëve siçilianë.

Filmi i Lombardit : përjetimet dramatike të imigrantëve në revoltë në Castelvolturno, në vitin 2008. Por veprat e paraqitura në Venezia nga regjisorët italianë, mbi këtë temë janë të shumta. Në të gjitha seksionet e festivalit. Janë mbi dhjetë. Të përmendim vetëm disa. “Cose dell’altro mondo” i Francesco Patierno, i cili hedh hipotezën (shkatërruese) të zhdukjes së imigrantëve në një zonë verilindore të vendit. E më tej: “Storie di schiavitù” i Barbara Cupisti, “Io sono Li”, i Andrea Segre (ndër të tjerët interpreton Marco Paolini), “Villaggio di Cartone”, i shkruar dhe i drejtuar nga një maestro: Ermanno Olmi. Deri tek filmi “L’ultimo terrestre”, i Gipi, që rrëfen për mbërritjen e alienëve mes nesh. Ku alienët janë “të tjerët, ata që theksojnë brishtësinë tonë. Ndjenjën tonë të të qenit në periferi “.
Të dërguarit e gazetës Le Monde (Jacques Mandelbaun dhe Philippe Ridet), kanë vënë re se për kinematografinë italiane imigracioni është kthyer në një “zhanër më vete”. E mbi këtë ide kanë realizuar një reportazh të zgjeruara me titullin shumë domethënës: “Imigrantët, roja amerikane e Festivalit të Venecias”. Nga ana tjetër është e vështirë, e pamundur të gjehet në Evropë – dhe gjetkë – një vëmendje kaq e thellë – gati si fiksim – si ajo e shprehur nga kinemaja italiane ndaj të huajve. Megjithëse e shtyrë nga ndjenja qytetarie dhe solidare, nuk arrin të mbulojë pakënaqësinë e përhapur, në një vend emigrantësh ku imigracioni ka mbërritur papritur. Dhe ku brenda më pak se 10 vjetësh është rritur 1000%. Sot është rreth 7% (në shifra absolute rreth 5 milionë, sipas Caritas-Migrantes), por arrin deri në 20% në zonat më të industrializuara të Qendrës dhe Veriut (Lombardia, Emilia Romagna, Toscana, Nordest). Megjithatë “masat” reale të fenomenit nuk mjaftojnë për të shpjeguar kaq shumë ndjeshmëri nga ana e regjisorëve dhe autorëve italianë të kinemasë. Intelektualë dhe specialistë – ndonjëherë dhe artistë – të komunikimit. Vëmendja e të cilëve diktohet me siguri nga “lënda” që ofron tematika. Biografitë dhe historitë e jetës së imigrantëve, takimi me komunitetet vendase, me “italianët”.

Por ndoshta më shumë ka ndikuar synimi për të “sfiduar” Mendimin e Vetëm të përcjellë nga mediat dhe nga propaganda e populizmit të djathtë – me influencë në shumicën në pushtet. Frika ndaj Tjetrit si temë për fitimin e konsensusit – dhe audiencës. Mjafton të vëzhgohen të dhënat e Observatorit Evropian të Sigurisë (nën kujdesin e Demos, Observatorit të Pavia dhe Fondacionit Unipolis). Në edicionet e lajmeve në kanalet shtetërore në disa vende të rëndësishme evropianë (Italia, Franca, Spanja, Gjermania dhe Britania e Madhe), gjatë katër muajve të parë të vitit 2011, lajmet lidhur me imigracionin kanë zënë 3% të totalit. Më në veçanti: tek France 2 kanë përfaqësuar 1,6%, në ARD (rrjeti shtetëror gjerman) 0,6%, tek të tjerat akoma më pak. Tek Tg1, përkundrazi, 13,9%. (E njëjta kuotë arrihet gjithashtu duke llogaritur edhe lajmet e kanaleve të tjera italiane, shtetërore dhe private). Natyrisht, Italia është vendi ku “revolucionet” afrikanoveriore e, mbi të gjitha ndërhyrja në Libi kanë pasur më shumë impakt. Me ndryshimin që gjetkë në Europë këto ngjarje janë trajtuar si fakte dhe episode lufte. Ndërsa në Itali janë trajtuar në mënyrë specifike nga pikëvështrimi i imigracionit. Ose më mirë (apo më keq), të pushtimit. Elementi i parë dhe kryesor i përdorur nga Lidhja e Veriut për të argumentuar kundërshtimin e saj ndaj ndërhyrjes në Libi.

Megjithatë, me gjithë zbarkimet e luftërat në bregun tjetër mesdhetar, hendeku ndërmjet agjendës mediatike dhe shqetësimit të qytetarëve, mbetet shumë i madh. Mjafton të konsultohen sërish Observatorit Evropian të Sigurisë duke u përqendruar këtë herë tek perceptimi social. Imigracioni cilësohet si shqetësim kryesor për 6% të italianëve (nga kampioni përfaqësues i anketuar nga Demos në qershor të 2011). Ankthet më të mëdha të  italianëve ama mbeten tematikat që kanë të bëjnë me ekonominë, punësimin, koston e jetesës (55%). Shikimi i medieve mbi imigrantët pra duket asimetrik në krahasim me atë të popullatës. E njëjta gjë ndodh me kriminalitetin, i cili mbetet në qendër të informacionit televiziv (55% e informacioneve të mbrëmje), ndërsa nga ana tjetër shqetëson një pjesë shumë më të vogël të popullatës (10%). Bëhet fjalë për një “ndërtim” politik dhe mediatik të pasigurisë, gjë që shtyn drejt enfatizimit të “frikës ndaj të tjerëve” dhe drejt pakësimit të pasigurisë për arsye ekonomike dhe të (pa)punësimit. (Nga ana tjetër pesimizmi ekonomik është komunist dhe anti-italian, ka përsëritur kryeministri edhe kohët e fundit).

Por në këtë fazë nuk më duket se “të tjerët” kufizohen vetëm me imigrantët që mbërrijnë në Itali të shtyrë nga nevoja apo emergjencat. Në kushte të vështira, ndonjëherë dramatike. Sot në Itali po përhapet një sindromë e rrethimit më e zgjeruar dhe e pacaktuar. Ndihemi të kërcënuar nga jashtë, nga çdo front e drejtim. Nga revoltat e luftërat që shpërthejnë në vendet e Afrikës së Veriut  dhe në Lindjen e Mesme. Por edhe nga Europa e mbi të gjitha nga Gjermania. Që nuk besojnë në ekonominë, e mbi të gjitha në sistemin tonë politik. E kërcënojnë që të mos mbulojnë borxhin tonë shtetëror, të mos blejnë aksionet tona shtetërore. Ndjehemi të kërcënuar nga bursat dhe Tregjet, nga Spread dhe S&P. Ne, që kemi kultivuar gjatë identitetin tonë kombëtar të bazuar mbi artin e përshtatjes, mbi aftësinë e të rregulluarit dhe të reagimit. Ne që jemi konsideruar një shoqëri “e gjallë”- pavarësisht nga qeveria, pavarësisht nga Shteti. Sot e ndjejmë veten pa busull. Jetimë të një qeverie që të dijë të qeverisë dhe të një Shteti ku mund të kesh besim. Kështu ndihemi të huaj në vendin tonë. Kjo është arsyeja, ose : njëra prej arsyeve të rëndësishme të kaq shumë filmave italianë mbi imigrantët këtë vit në Venecia.

Në të vërtete flasin për ne. Të humbur e pa drejtim në vendin e Terraferma-s.

Marrë nga La Repubblica ku është botuar me titullin “Quei film sugli immigrati
nel Paese di Terraferma”
 

 

Nis viti i ri shkollor në Shqipëri. 650 mijë në bankat e shkollave

Neonazistët Blood & Honour marshojnë në Romë