in

Importimi i mbetjeve, kapitullimi i Qeverisë

Kryesore në debatin e plehrave, nuk janë argumente teknike dhe financiare por  pse qeveria hoqi dorë nga politika për t’u marrë me logjikë ekonomike në këtë çështje.
Dorëzimi i saj politik, është një kambanë alarmi. Të dorëzosh 9 muaj para zgjedhjeve pa qenë nevoja, një nga kuajt e betejës tënde politike, është ose guxim i madh, i cili vjen nga një ndjesë e thellë për dëmin që i ke shkatuar biznesmenëve, ose indiferencë e madhe për atë çfarë u ke premtuar qytetarëve.
Nga Mero Baze

Argumentet financiare dhe teknike për industrinë e riciklimit të metaleve, kanë ekzistuar edhe në vitin 2013. Për mua janë bindëse dhe është katastrofë financiare për ata që kishin ndërtuar planet e biznesit bazuar tek lënda e parë në shumicë importi për këtë industri. Disa fonderi të ricikluesve shqiptarë dhe më pas disa fabrika më moderne, ndërtuar para vitit 2013, u gjendën vërtet para falimentimit, nga vendimi i papritur ekstrem i qeverisë së Edi Ramës, ditën e parë të punës së tij si kryeministër.

Nuk kam asnjë vërejtje për ato argumente pasi janë të vlefshme si atëhere, dhe tani.

Problemin e kam me faktin, se vendimi ekstrem i qeverisë Rama kundër importit të çdo mbetjeje nga jashtë në të gjitha listat “e kuqe, “e verdhë” dhe “jeshile”, ishte vendim politik dhe shikohej si vullnet politik.

E dinim dhe më 2013 se po bëntë një dëm të madh ndaj kësaj industrie, por një Kryeministër kur merr një vendim të tillë politik, peshon dhe dëmin dhe përpiqet që me politika të tjera, ta zbusë atë.

Tani përparësia që u jepet argumenteve teknike dhe financiare, para atyre politike, nuk vlejnë. Ato janë të vërteta, por nuk na hyjnë në punë politikisht.

Qeveria e ka nisur këtë iniciativë ekstreme si vullnet politik dhe tani është shumë e vështirë të argumentohet, se çfarë e ka ndryshuar vullnetin politik.

Argumenti financiar dhe rreziku i falimentimit të këtyre sipërmarrjeve është i vërtetë, por ka ekzistuar dhe atëhere kur u ndaluan.

Argumenti se procedura do të jetë transparente ka ekzistuar dhe kur u ndaluan, dhe nuk është i ri.

Mua më ka pëlqyer vendimi i dikurshëm i Edi Ramës, jo se kishte logjikë ekonomike, por se na përshtatej si shoqëri e papërgjegjshme, që nuk vendosim dot standarde në asgjë që rrezikon jetën tonë.

Të mjafton të kesh qenë shikues i emisionit “Fiks Fare” këtë javë dhe shikon se ne nuk kontrollojmë dot ushqimet që hamë dhe përditë shikojmë se si na i gatuajnë qoftet me pisllëqe, si na i riciklojnë akulloret e shkrira, si mbushin ujin përrenjëve të papastër, si injektojnë hormone në perime, si fusin ilaçe jashtë kontrollit në mishin e vogël etj. Shqipëria është kthyer në një laborator të papërgjëshëm zullumqarësh, që duan të fitojnë nga çdo gjë dhe me çdo kusht, pa vrarë mendjen përse i duan ato lekë dhe çfarë po i bëjnë vendit të tyre. Për këtë arsye më ngjiti shumë në vitin 2013, vendimi për të mos lejuar importin në asnjë rrethanë, pasi është nga ato vendimet që të bën të ndjehesh i sigurtë, kur je i paaftë.

Nuk është si lejimi i pjesshëm i listës së mbetjeve, kryesisht atyre metalore, do na rikthejë gjëmën, pasi kështu kemi qenë dhe para 2013, por do na rikthejë makthin dhe pasigurinë për ato mbetje që do të vijnë. Është e kotë të japësh tani leksione se çfarë standardi kontrolli do ketë dhe si duhet bërë. Ne jemi vend pa standarde dhe gjithkush që e lë rrugëzgjidhjen tek standardet, është duke e hequr përgjegjësinë nga vetja. Ne thjesht do importojmë disa mbetje që u duhen ricikluesve tanë të vendosin në kapacitet fabrikat e tyre, që kanë tre vite që nuk punojnë. Dhe jemi në dorë të tyre sa i përket cilësisë së importit.

Pra kryesore në këtë debat, nuk janë argumente teknike dhe as argumentimi shkencor, përse disa fabrika kanë nevojë për mbetje.

Kryesore në këtë debat është pse qeveria hoqi dorë nga politika për t’u marrë me logjikë ekonomike në këtë çështje?

Dorëzimi i saj politik, është një kambanë alarmi, pasi nuk justifikohet nga asnjë llogari financiare. Të dorëzosh 9 muaj para zgjedhjeve pa qenë nevoja, një nga kuajt e betejës tënde politike, pa ta kërkuar njeri publikisht, por vetëm për argumenta teknike dhe financiare, është ose guxim i madh, i cili vjen nga një ndjesë e thellë për dëmin që i ke shkatuar biznesmenëve, ose indiferencë e madhe për atë çfarë u ke premtuar qytetarëve.

Por meqë vendimi i parë i Edi Ramës frenoi referendumin kundër plehrave në Shqipëri, pasi e bëri të panevojshëm, rikthimi i këtij vendimi së paku t’i hapë rrugë referendumit, që të mos mbetemi pa përgjigje politike.

Botuar në TemA

 

Apeli aktual i Savianos: “Ruajuni plehrave të Italisë”

Bonus bebe, nënat fitojnë përsëri: “Mjafton leja e qëndrimit”